Shtyhet seanca paraprake për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 11 majit. Shkak u bë kërkesa e avokatit të tij, i cili kërkoi kohë të njihej me aktet e Prokurorisë. Seanca e radhës u caktua më 21 Nëntor, ora 09.30, teksa sot u legjitimuan palët nga gjykata.

Kryebashkiaku socialist akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 11 majit dhe se u kërkonte banorëve vota në favor të PSD-së së Tom Doshit. Sipas SPAK, gjatë fushatës se 11 majit, Shkreli “u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë në Bashkinë e Vaut të Dejës, në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate”.

Prokuroria tha se Shkreli ka shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatt Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë fushatës.

Sipas njoftimit të SPAK, ky episod është një fraksion i hetimit për korrupsion aktiv në zgjedhje ndaj kryebashkiakut Shkreli, çështje për të cilën hetimi vijon dhe dyshohen të përfshirë edhe persona të tjerë.