Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të shkojë në mbledhjen e Këshillit të Mandatave , i cili do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. Berisha sulmoi drejtësinë dhe prokurorët duke i cilësuar si larot e Ramës, që kanë shkelur Kushtetutën. Nga ana tjetër, Berisha ka organizuar sot një protestë para Kryesisë së Kuvendit.
“Sot, njëlloj si në diktaturë, dikur hetuesia speciale e Sigurimit të Shtetit, larot e Edi Ramës, prokurorë mercenarë, paraqitën në Komisionin e Mandateve të parlamentit, pasi kanë kryer puçin kushtetues, i kanë marrë pushtetin parlamentit me urdhër të Edi Ramës, pasi kanë shkelur me dy këmbë nenin 73 dhe 38 të Kushtetutës së vendit, ata sot paraqiten si gardë pretoriane mbi parlamentin, mbi Kushtetutën, për të kërkuar jo vendosjen e masave siç e kërkon Kushtetuta, por për të kërkuar legjitimin e vendimit të tyre antikushtetues, madje rëndimin e këtij vendi, jo se ka ndryshuar gjë, se në akuzë janë zero, po se unë kundërshtova këtë vendim si një element të puçit të shtetit brenda shtetit, të Edi Ramës, marrjen e pushtetit të parlamentit nëpërmjet mercenarëve në gjykata dhe prokurori.
Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi kanë rishkruar në zyrat e tyre me urdhër politik Kushtetutën e vendit. Gjë të cilën nuk mund ta bëjë kurrë asnjë njeri në Shqipëri, as presidenti, as kryeministër, atë mund ta bëjë vetëm parlamenti dhe sovrani popull në referendum. Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi i kanë hequr parlamentit kompetencën kushtetuese për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së deputetit, siç bënë ata me heqjen e lirisë Sali Berishës për largimin jashtë shtetit. Sot pra, ata shkojnë si përfaqësues të Edi Ramës, mbi Kushtetutën, mbi parlamentin, poshtërojnë në këtë mënyrë institucionin qendror të një republike parlamentare, de facto sot një narkorepublikë apo republikë e bandës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit. Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij.
Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë. Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie. Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie.
Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare. Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament., tha Berisha.
Lajmi kryesor: