Në një intervistë me Studio Live në Report TV, analisti Namir Lapardhaja komentoi debatet në Këshillin e Mandateve, mbi kërkesën e SPAK për autorizim nga kuvendi për arrestimin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku.
“Problemi i politikës shqiptare është që nuk japin dorëheqjen dhe përballen me drejtësinë pa imunitet. Imuniteti dhe mbështetja politike tani vihen në shërbim të ministres apo politikanit”, tha ai. Sipas Lapardhasë, “duhet të jenë vetë deputetët që duhet të kërkojnë heqjen e imunitetit në raste të tilla.”
Ai argumentoi se pavarësisht çfarë do të bëjë sot Këshilli i Mandateve, Partia Socialiste dhe Belinda Balluku “e ka humbur këtë betejë” sa i përket imunitetit dhe çështjes së mandatit.
Sipas Lapardhasë, politikanët në Shqipëri gjejnë strehë tek partitë politike për tu ruajtur nga përballja me drejtësinë.
“Kjo praktikë duhet të marrë në fund sepse nuk i shërben demokracisë dhe kulturës sonë politike dhe juridike” tha ai.
Sipas tij, Balluku duhet të përballet me drejtësinë si individ dhe të mos e përdorë politikën si mburojë.
“Njerëzit e kuptojnë që në momentin kur një parti politike bëhet mburojë për politikanë të caktuar, aty ka diçka. Edhe nëse Balluku del e pafajshme në fund të këtij procesi, në momentin që shikon këtë lëvizje dhe mobilizim të partisë në pushtet dhe Ramës, atëherë ka diçka që nuk shkon në këtë histori,” argumentoi ai.
Lapardhaja komentoi edhe përplasjet e dhunshme të deputetëve të Partisë Demokratike në kuvend që sipas tij, vijnë si pasojë e efektit Salianji.
“Dje, qytetarët shqiptarë do të donin një opozitë e cila të fliste me qetësi dhe të tregonte e evidentonte gjithçka që ka ndodhur, po ndodh dhe do të ndodhë. Në vend që të tregohet e arsyeshme dhe të përdorë të gjithë këtë ‘municion’ që ia jep SPAK, opozita zgjedh të bëjë shfaqje që krijojnë konfuzion tek qytetarët dhe askush nuk e kupton çfarë po ndodh” tha ai.
Lapardhaja solli në kujtesë dakordësinë e opozitës dhe mazhorancës për të diskutuar reformën zgjedhore dhe atë territoriale dhe shtoi se “sa herë që kjo opozitë ka probleme të brendshme, atëherë e shohim në këto sjellje kaotike në parlament.”
Ai i sheh përplasjet e opozitës në kuvend si një mesazh ndaj militantëve të mbetur që “ne jemi opozita e vërtetë dhe askush tjetër nuk mund ta kapitalizojë atë pa lejen e Sali Berishës.”
Ndërsa Berisha ka paralajmëruar një protesë anti-qeveritare me 22 dhjetor, Lapardhaja gjykon që ajo do të jetë “një xhiro në bulevard”.
“Problemi është që fatkeqësisht brenda asaj partie, askush nuk po gjen kurajon që ta vëjë Berishën përballë premtimeve të para 3 viteve. Siç po tregojnë faktet, këto premtime nuk kanë shanse që të ndodhin. Sidomos tani që SPAK po bën gjithçka kundër kësaj mazhorance. Nga njëra anë opozita bën politike me akuzat e prokurorisë dhe nga ana tjetër e quan organizatë kriminale. Në situatën ku jemi duket sikur Berisha e përgëzon punë e SPAK dhe nga ana tjetër i mbivendos krijimet dhe fantazitë e tij dhe nuk kuptohet më ku fillon e vërteta dhe trillimi i Berishës” tha ai.
Sa i përket largimit të Ervin Salianjit nga zona e Kombinatit pas pretendimit të Berishës se ai ka shkelur ‘vijën e kuqe’ të PD-së, dhe se ka bashkëpunuar me Suel Çelën për organizimin e takimit e Elbasanit, Lapardhaja tha se vijat e kuqe në DP i përcakton Berisha.
Ai solli në kujtesë vitin 2021, kur Gazment Bardhit akuzonte Flamur Nokën dhe Sali Berishën, për bashkëpunim me bandën e Suel Çelës për mbledhjen e firmave të demokratëve, për mbledhjen e Këshillit Kombëtar. “Pra kur mendohet se bashkëpunon Berisha me Nokën gjithçka shkon mbarë, dhe në çastin që akuzohet Salianji, ai ka kaluar vijën e kuqe. Pra kemi dy standarde për të njëjtën gjë, diçka që nuk është e re në PD me drejtimin e Sali Berishës,” argumentoi ai.
Sipas tij, opozita, ajo përtej Berishës dhe Metës, duhet të gjejnë forcën dhe kurajon që të dalin mbi veten dhe interesat e tyre, e të krijojnë një fort të përbashkët opozitar kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes dhe mbetjeve të fundit të tranzicionit që kanë marrë peng opozitën dhe qeverisjen e vendit.
“Shqipëria ka shumë arsye për të protestuar. Duhet gjetur mekanizmi i duhur që e gjithë kjo pakënaqësi e madhe popullore të gjenerohet në një lëvizje të përbashkët” përfundoi ai.
Komente











