Partia Socialiste do të votojë kërkesën e SPAK për t’i hequr mandatin deputetit Sali Berisha, për të cilin prokuroria e Posaçme ka kërkuar masë më të ashpër, duke kërkuar arrestimin e tij. Kryetari i grupit parlamentar në PS, Bledi Çuçi tha se qëndrimi i tyre në këtë pikë ka qenë i prerë.
‘Padiskutim që do të votojmë. Qëndrimi ynë është i qartë i prerë në këtë pikë. Nuk kemi diskutuar as mandatin e kolegëve tanë kur vjen puna kur SPAK-u kërkon përjashtimin.’- tha Çuçi.
I pyetur në lidhje me sfidën e Gazment Bardhit, i cili thotë se nëse Rama plotëson tre kërkesat e opozitës, do të shkojnë në Kuvend për të marrë pjesë në votimin që do të zhvillohet për heqjen e imunitetit ndaj Berishës, Çuçi tha se kjo është qesharake, pasi ata po djegin kuvendin për të.
‘Po duan të djegin parlamentin për Berishën. Nuk ka sfidim fare nuk është çështje dëshire por zbatim i ligjit. Ne jemi në ushtrim të plotë të sovranitetit që na kanë kërkuar shqiptarët. Qesharake të mendosh se Bardhi do të vij dhe do të votojë imunitetin e Berishës.’- tha Çuçi.
Sa i takon mandatit të Arben Ahmetajt, Çuçi tha se shumë shpejt do të mblidhen për vendim.
‘Ben Ahmetaj është çështje e drejtësisë. Shumë shpejt do ta marrim një vendim, jo nga grupi por do ti digjen afatet kushtetuese.’- tha Çuçi.