Belinda Balluku u zhvesh nga posti ministror dhe numri 2 i qeverisë. Megjithatë, në tryezën e Kuvendit është një kërkesë e SPAK që kërkon t’i hiqet edhe imuniteti i deputetes, për t’i hapur rrugë arrestimit e për ta vijuar hetimin ndaj saj, pa pengesa. Ndryshe nga demokratët të cilët e kanë të qartë qëndrimin e tyre për t’i thonë PO me votë arrestimit, socialistët ende nuk e kanë gati raportin që do çojnë në seancë plenare.

Si përfaqësuesit socialistë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ashtu dhe vetë kryeministri Edi Rama, në takimin e javës së shkuar me grupin parlamentar, ku njoftoi largimin e Belinda Ballukut dhe ndryshimet e tjera në kabinet, kanë lënë të kuptohet se fakti që ajo nuk ka më një post qeveritar, nuk e justifikon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e saj.

E megjithatë, socialistët, ende nuk e kanë gati, raportin që do të çojnë në seancën plenare, dhe qëndrimin që do të mbajnë për këtë çështje. Rama po ashtu ka përsëritur se dhe ai vetë është në pritje të këtij raporti, përpara se të shprehet publikisht.

Afati i fundit për t’u votuar në seancë, është 12 marsi, pasi më tej, skadon afati 3 mujor brenda të cilit parlamenti duhet të shqyrtojë një kërkesë për heqje imuniteti të një deputeti.

Me tejkalimin e këtij afati, kërkesa e  SPAK quhet e rrëzuar automatikisht

Por ndërsa PS është ende pa një raport për të, Belinda Balluku u shfaq këtë të martë në mbledhjen e kryesisë në selinë rozë, që u mbajt për vetëm 30 minuta.

Rama ka kërkuar që të intensifikohet puna në terren dhe kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët. Paralelisht, socialistët do të nisin përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në parti.