
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK ku kërkohet heqja e imunitetit të deputetit për zv.kryeministren Belinda Balluku.
Blushi thotë se kjo kërkesë duhet të kalojë menjerë për votim në seancën e radhës plenare. Ndër të tjera ai shkruan se si asnjëherë më parë, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është urgjente dhe e pashmangshme.
Reagimi i Tedi Blushit:
Në zbatim të Rregullores së Kuvendit, konkretisht neneve 13 dhe 118, dhe në emër të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, kërkoj thirrjen e menjëhershme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me qëllim shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e Zv/Kryeministres Belinda Balluku.
Ky autorizim duhet të vendoset pa asnjë vonesë si pika e parë e rendit të ditës së seancës plenare të datës 18 dhjetor.
Vjedhja sistematike e taksave të shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet të gëzojë as edhe një sekondë më shumë imunitet politik. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të shndërrohet kurrë në strehë dhe mburojë të korrupsionit të shfrenuar dhe kriminal të Edi Ramës dhe rrethit të tij më të ngushtë.
Miratimi i kërkesës për arrestimin në detyrë të Zv/Kryeministres Belinda Balluku nuk është vetëm i domosdoshëm, është tejet i vonuar dhe, fatkeqësisht, i pjesshëm. Ai përbën një tjetër përpjekje të dëshpëruar për të shkarkuar përgjegjësitë e rënda penale që rëndojnë drejtpërdrejt mbi Edi Ramën, për aferat e tmerrshme korruptive të kryera me urdhërin e tij dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ballukun, në dhjetëra projekte infrastrukturore që kanë grabitur miliarda nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Vetëm marrja e Edi Ramës si i pandehur do të mund të rikthente sadopak shpresën dhe besimin e shqiptarëve te drejtësia. Edhe atëherë, do të jetë sërish shumë vonë, sepse me vetëdije ai jo vetëm është amnistuar për kryevepra të rënda korruptive, por i është garantuar një imunitet politik absolut, edhe kur është kapur hapur në afera flagrante.
Dorëheqja e Edi Ramës sot nuk është thjesht e domosdoshme, është urgjente, e pashmangshme dhe thellësisht e vonuar.
Kërcënimet boshe dhe manovrat e tij të ndyra politike, institucionale dhe mediatike për të shpëtuar veten dhe për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë gati ta fundosin bashkë me veten, kanë marrë fund.
Shteti shqiptar nuk mund të mbahet më peng nga një strukturë e organizuar kriminale, në krye të së cilës qëndron vetë Edi Rama, ideatori, urdhëruesi, autori dhe përfituesi kryesor i aferave monstruoze korruptive të kësaj qeverie.
Hapi i radhës, duhet të jetë krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme të parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër, ku qytetarët shqiptarë të shprehin vullnetin e tyre të lirë, pa presion, pa frikë dhe pa manipulim.
Është momenti që shqiptarët e ndershëm dhe patriotë të flasin qartë, me guxim dhe kurajë, në Protestën Kombëtare të thirrur nga Opozita e Bashkuar më 22 dhjetor. Numërimi mbrapsht për Narkoshtetin ka filluar.
Lajmi kryesor:
Reagimet/ SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Rama: Do të mbajmë një qëndrim të drejtë! Opozita: Mos u bëni mburojë











