KORÇË- Drejtori i Tatimeve në Korçë, Thoma Tontonozi dhe një specialist Stjuart Bardhoshi janë arrestuar ditën e sotme me akuzën e korrupsionit.

Një muaj hetime, të drejtuara nga SPAK kanë zbuluar skandalin dhe janë siguruar prova të shumta se Tontonozi së bashku me Bardhoshin kanë marrë ryshfet nga disa biznese për të mos kryer kontrolle për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.

Si prova u janë gjetur një sasi lekësh, por edhe dokumente që vërtetojnë implikimin e drejtorit dhe specialistit në këtë veprimtari korruptive. Operacioni për arrestimin e tyre është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nën drejtimin e SPAK-ut, teksa vijojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skandal.

Ndaj Thoma Tontonozi dhe Stjuart Bardhoshi rëndon akuza për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i plotë i Policisë
"Finalizohet operacioni policor i koduar "Tatimi".Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nën drejtimin e SPAK-ut. Vihen në pranga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë dhe një specialist i regjistrimit. Operacini në kuadër të procedimit penal të referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, ka referuar materialet në Prokurorinë  e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në funksion të këtij procedimi nga Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes, u bë i mundur finalizimi i  operacionit policor të koduar "Tatimi", në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:
• Th. T., 58 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.
• S. B., 39 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist i regjistrimit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë.

Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës të Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në provat e sigurura gjatë hetimit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë nën drejtimin e Prokurorit të SPAK, ka vendosur masën e sigursë “Arrest në burg” për dy shtetasit e mësipërm.

Hetimet për këtë procedim penal janë kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, intesivisht për një muaj nën drejtimin e Prokurorit të çështjes dhe gjatë finalizimit të operacionit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive.  Këta shtetas kundrejt rryshfetit i kanë premtuar disa subjekteve për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore. Nën drejtimin e SPAK, vijonë hetimet për evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari korruptive.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:35
Ky është specialisti i Tatimeve në Korçë që paguhej nga bizneset për të mos i kontrolluar (FOTO)

1598545564_Stjuartbardhoshi2.jpg

Ky është Stjuart Bardhoshi specialisti i Tatimeve i cili është arrestuar ditën e sotme me akuzën për korrupsion. Bardhoshi së bashku me drejtorin e Tatimeve, Thoma Tontonozi merrnin ryshfet për të mos bërë kontrolle ne disa biznese.

Ora 17:46
FOTO/ Kush është drejtori i Tatimeve në Korçë që u arrestua sot! Merrte ryshfet nga bizneset për të mos ushtruar kontrolle

1598543142_3701797321913077710920191119688967520780288o001.jpg

Report Tv ka siguruar foto të drejtorit të Tatimeve në Korçë, Thoma Tontonozi i cili u arrestua ditën e sotme me akuzën për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ai ka marrë ryshfet për nga disa biznese për të mos kryer kontrolle për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.