Kampionatit po i afrohet fundi dhe Interi ashtu si disa skuadra të tjera në Itali e ka ende në pikëpyetje objektivin “Champions Leaguë”. Skuadra zikaltër 7 ndeshje para fundit renditet në vendin e tretë, me 5 pikë më shumë se skuadra e vendit të katërt, që aktualisht mbahet nga Milani.
Gjithsesi pavarësisht se objektivi është ende në ajër Inter sipas ‘sportmediaset’ po përgatit të ardhmen që është pa Spalletti-n në krye të pankinës. Beppe Marotta, administratori i deleguar i Interit i cili ka dorë të lirë nga Sunning në skuadër, ka vendosur për të sjellë Conte-n te zikaltërit.
Gjithçka do të ndodhë në fund të sezonit, me Interin që do jetë i detyruar të ndërpresë kontratën me Spalletti-n. I gjithë ky operacion, shkarkimi i trajnerit aktual dhe emërimi i Conte-s do t’i kushtojë Interit 25 mln euro. Një shumë që nga qershori nuk do të ketë problem për Interin.
Sipas ‘sportmediaset’ Conte do të jetë trajneri i parë post FPF (Fair Play Financiar) te Interi ku do të përfitojë 10 mln euro në sezon, aq sa merrte te Chelsea pas rinovimit të kontratës. Me Conte-n do të ketë edhe ndryshim planesh përsa i përket merkatos.
Ish-trajneri i Juventusit, Italisë dhe Chelsea-s, sikundër flitet nuk do të pretendojë largimin e Icardit, ish-kapitenit që përflitet se do të jetë zëvendësuesi i Griezman te Altetico Madrid. Për Conte, ashtu siç është evidentuar edhe nga specialistët, e domosdoshme është rinovimi i mesfushës pasi ndryshe do të jetë e pamundur për të bërë mirë në “Champions League”.