MADRID - Kancelarja gjermane Angela Merkel mbështeti sot gjatë një vizite në Spanjë, kundërshtimin e vendosur të qeverisë së Mariano Rajoy ndaj organizimit të një referendumi mbi vetëvendosjen e rajonit të Katalonjës.
"Asnjë referendum i jashtëligjshëm nuk do të organizohet", deklaroi shefi i qeverisë së Mariano Rajoy gjatë një konference për shtyp të përbashkët me Angela Merkel.
Ndonëse ajo deklaroi se bëhet fjalë për një çështje politike të brendshme të Spanjës, megjithatë Merkeli theksoi se mbështet pozicionin e Rajoy-t.
"Gjithaçka që ai ka thën në të kaluarën dhe ajo që përsëriti më duket shumë logjike dhe duhet të mbështetet", deklaroi kancelarja gjermane.
Presidenti i Katalonjës, Artur Mas, në krye të koalicionit nacionalist konservator "Convergencia i Unio" (CiU), u bashkua me lëvizjen e majtë për pavarësi të partisë ERC për të organizuar një referendum mbi vetëvendosjen e këtij rajoni prej 7,5 milionë banorë në verilindje të Spanjës, ku ndjenja për pavarësi ka fituar terren vitet e fundit nën efektin e krizës ekonomike./ATSH/