Opozita nuk ka ide të reja, kanë akoma kryetar Berishën që nga 1992. Kështu ka deklaruar avokati Spartak Ngjela, teksa komentoi situatën aktuale në opozitë.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv ai tha se pushteti i mazhorancës nuk rrezikohet, pasi opozita nuk ka figura që mund ta sfidojnë atë.
‘Unë nga opozita nuk sheh ide të reja, ata kanë akoma kryetar atë të ‘92, kjo tregon se nuk bie mazhoranca sepse opozita nuk ka figura, kanë akoma figurën e vitit 1992. Politika nuk është dëshira e njërit apo tjetrit. Keni parë ju në perëndim që të humbasësh 4 herë zgjedhjet dhe të jesh në parti akoma. Kurse mazhorancën e ka zgjedhur populli shqiptarë’, tha ai.
Ngjela foli edhe për protestën e zhvilluar nga Partia Demokratike pak ditë më parë para Kryeministrisë.
‘PD bëri protestë dhe pastaj ikën në shtëpi, atje ishin rreth 3 mijë veta. Po protestë mund të bëjë çdo parti. Pyetja është e influencon kjo për të krijuar një krizë qeveritare, pastaj kjo është gjë tjetër. Kriza qeveritare vjen me numrin në parlament, PS ka 83’, tha ai.
Avokati komentoi rolin e SPAK në hetimin e korrupsionit në Shqipëri, duke theksuar se aferat e mëdha janë në dorë të SPAK, jo të partive politike.
‘Aferat i ka SPAK në dorë, nuk i kanë partitë. Partitë mund të gënjejnë gjithë ditën. Partitë s’kanë forcë ekzekutive. Nuk mund të flas për krime me gjuhën e Saliut, unë njoh SPAK-un dhe atë se drejtojmë ne. Shpresën e kemi tek SPAK. E ka thënë presidenti amerikan SPAK është për eleminimin e korrupsionit në Shqipëri, kemi nën hetim zv-kryeministër, ish- ministra. Pak ka bërë SPAK? Të gjithë ata nën akuzë vështirë se shpëtojnë. Të shohim kur të nisin gjyqet. SPAK nuk e drejtojmë ne atje ka ekspertë ndërkombëtarë’, tha ai.
Komente










