Shtatë motorë katërçikël u lëshuan në rrugët e ngushta të qytetit historik të Prizrenit. Zhurma e tyre përplasej në kalldrëmet e qytetit të vjetër, ndërsa ajri i freskët që zbret nga bjeshkët e Sharrit shoqëron karvanin drejt destinacionit: dy pika simbolike kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, Shishtaveci i Kukësit dhe Vermica e Prizrenit.

Udhëtimi zgjat rreth tetë orë, përmes rrugëve malore të pasigurta, por mahnitëse. Në çdo kthesë, natyra, historia dhe adrenalina takohen në një itinerar që të shndërron nga turist në dëshmitar të gjurmëve të së kaluarës.

Pas daljes nga qyteti dhe një ngjitjeje mbi kalanë e Prizrenit, ndalesa e parë është Pasha Çeshme, një burim natyror malor që për shekuj ka shërbyer si strehë për udhëtarët dhe karvanet që përshkonin rrugët osmane.

Bashkim Rakaj, një nga pjesëmarrësit në udhëtim, tregon se kjo çeshme ndodhet mbi rrugën e vjetër që lidhte Opojën me Maqedoninë e sotme.

Karvani i motoristëve vazhdon rrugën përmes fshatrave Leskovec, Lubiçevë dhe Billushë, duke ndërthurur asfaltin e urbanizuar me shtigjet e ashpra të Sharrit. Rruga të çon drejt Dragashit, në zemër të zonës kufitare me Shqipërinë. Peisazhi është i egër. Pyje të dendura, lugina të izoluara dhe kodra të gjelbëra që ofrojnë panoramë mbi të dy shtetet shqiptare.

Mbi fshatin Leskovec, në një lartësi të madhe, dallohen tri shkronja gjigande UÇK. Janë vendosur aty si kujtim i rrugëve të luftës që dikur kalonin nëpër këto shtigje. Leotrim Muqaj, një hasjan që prej dy dekadash jeton në Sarajevë thotë se i njeh mirë këto male.

Pas shumë kilometrash sfiduese, motoristët ndalen në Shishtavec, një nga pikat më të larta e më të izoluara të Kukësit. Kjo zonë lidhet ngushtë me veri-lindjen e Shqipërisë dhe me Kosovën, përmes një lidhjeje natyrore dhe historike që nuk e njohin kufijtë politikë.

Udhëtimi përmbyllet në liqenin e Thatë të Vermicës, disa kilometra larg pikës kufitare Vërmicë-Morinë. Bashkim Rakaj tregon se këtu mbaron Kosova dhe fillon Shqipëria-mëmë.

Ky itinerar nuk është thjesht një rrugë për motorë katërçikël. Është një udhëtim përmes historisë, natyrës dhe kujtesës kolektive. Është prekje e rrënjëve, aty ku kufiri nuk është vetëm vijë gjeografike, por një rrëfim i ndarjeve, dhimbjeve dhe shpresave.Në afërsi të doganës së sotme, mbi një shtrat të tharë liqeni, kanë dalë në sipërfaqe gjurmët e kufirit të vjetër. Rrënojat, bunkerët dhe piramida D/10, ndërtuar në vitin 1948, dëshmojnë ndarjen mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Jugosllavisë Socialiste Federale. Ky kufi funksionoi deri në vitet ’80, kur zona u përmbyt nga ndërtimi i hidrocentralit të Fierzës.Gjatë luftës së Kosovës, kjo zonë u bë rrugë e armëve dhe shpresës. Në mars të vitit 1999, mijëra shqiptarë të dëbuar u strehuan në Shqipëri. Një ndër dëshmitarët e asaj kohe është Fidan Krasniqi, nga fshati Jeshkovë i Prizrenit.Në kohën e luftës isha marrë peng nga forcat serbe ndersa tregon sot, në fshatin tonë kemi ndërtuar një kullë që përjetëson kujtimin e UÇK-së dhe lidhjen me Shqipërinë.

Kjo zonë ka parë gjithçka.Kalime armësh, vuajtje njerëzore dhe sakrifica të mëdha. Për banorët e kësaj treve, piramidat e komunizmit janë më shumë se simbole betoni,janë plagë të hapura të ndarjes shqiptare.

Sot, rrugët e katërçiklit i prekin këto kujtime.Ky udhëtim me motorë katërçikël, që fillon nga kalldrëmet e Prizrenit e mbaron mbi gurët e thatë të kufirit të vjetër, nuk është një shëtitje për adrenalinë apo aventura turistike. Është një rikthim në rrënjë, një kujtesë se rrugët që sot shkelim me helmetë dhe pajisje moderne, dikur ishin shtigje lufte, rrugë ikjeje, korridore jete. Në çdo kthesë të kësaj rruge të thyer e të bukur, historia flet, qoftë në gurët e një çeshme, në emrin e një fshati të harruar, në shkronjat e pikturuara në kodër, apo në sytë e një banori që ende mban mend ndarjen.

Aty ku dikur kalonin karvanët e barinjve dhe armatimet për luftë, sot kalojnë motoristë që ndjekin jo vetëm rrugët e maleve, por edhe ato të kujtesës.