Në lartësitë e thyera të Pukës, aty ku masivet e pishave dhe dushkut thurin një kurorë të gjelbër mbi Shqipërinë e Veriut, jeta ecën me një ritëm që njeriu modern shpesh e ka harruar. Ky rajon, i njohur për klimën e tij të ashpër por të pastër, fsheh në gjirin e tij një nga thesaret më të çmuara të ekosistemit tonë. Për udhëtarin e zakonshëm, ky është thjesht një peizazh piktoresk që fton për pushim. Por për Doktor Abdyl Arifajn, këto male janë zyra, laboratori dhe vetë shtëpia e tij shpirtërore. Gjithçka nisi dekada më parë, në një kohë kur Shqipëria jetonte në izolim, në bankat e universitetit. Aty ku një student i ri bujqësie ra në dashuri me një botë sa të vogël, aq edhe magjepsëse. Vendimi për t’u përkushtuar seriozisht ndaj bletarisë nuk ishte një zgjedhje ekonomike, por një pakt jetësor. Sot, Abdyl Arifaj nuk është thjesht një bletar që prodhon mjaltë; ai është një studiues, autor i disa librave shkencorë dhe mbi të gjitha, një mbrojtës i vendosur i asaj që ai e quan rregullatorja e vërtetë e planetit tonë. Për të, të njohësh bletën do të thotë të njohësh sekretin e mbijetesës së vetë njerëzimit.

"Bleta është cilësuar si insekti më i dobishëm i globit. Ajo ndikon në ekosistem duke rregulluar parametrat e jetesës së bimëve sepse 70%-80% e bimësisë pjalmohet nga bletët. Mbi këtë bazë ka dalë edhe një thënie e Ajnshtajnit sipas të cilit, nëse do të zhduken bletët, nuk ka më shumë se katër vite jetë në glob. Është bërë një llogari, ndër 3 kafshatat tona, një është në sajë të bletës. Sepse bleta ka lidhje miliona vjeçare me lulen, të dyja mbajnë njëra-tjetrën",- shprehet studiuesi Abdyl Arifaj.

Të kuptosh lidhjen miliona vjeçare mes lules dhe bletës kërkon durim, por mbi të gjitha kërkon shkencë. Doktor Abdyl Arifaj nuk është mjaftuar asnjëherë me metodat klasike të bletarisë tradicionale. Pasioni i tij për kërkimin shkencor e shtyu atë të hulumtonte një fushë që në Shqipëri ka qenë pothuajse e virgjër për shumë vite: apiterapinë. Në mes të kësaj natyre të paprekur në Pukë, ai ka ngritur një qendër të veçantë që tërheq dhjetëra vizitorë çdo muaj. Njerëzit që vijnë këtu nuk vijnë thjesht për të mbushur kavanozat me mjaltë, por për të gjetur shërim përmes një metode alternative që bazohet te frymëmarrja. Brenda një shtëpize druri të ndërtuar me kujdes, funksionon aeroterapia. Përmes një sistemi tubash dhe maskash speciale të lidhura direkt me zgjojet, vizitorët thithin avullin e ngrohtë që çlirohet nga aktiviteti i pandalur i bletëve. Ky ajër, i pasur me propolis, dyllë dhe vajra esencialë të mbledhur nga lulet e egra, kthehet në një balsam natyror për rrugët e frymëmarrjes. Është një proces ku mjekësia dhe natyra shkrihen në një të vetme, duke ofruar një stacion shprese për ata që vuajnë nga sëmundjet kronike respiratorë.

"Ka disa vite që jemi angazhuar në investime në fushën e apiterapisë dhe praktikisht aeroterapia që kemi realizuar këtu, ka efekte në organet e frymëmarrjes, në njerëz alergjikë, në problemet e sinuseve dhe sidomos në përgjithësi me organet e frymëmarrjes ka një përmirësim por që do një kohë mbi dy ose tre javë që të bëhet një kurë e mjaftueshme për të arritur një rezultat të dëshirueshëm. Ka mosha të ndryshme, të rinj, por edhe mosha të treta që kanë përmirësim por kjo do një trajtim kompleks, jo vetëm aeroterapi bur edhe përdorim të produkteve të bletës. Duhet të përdorim edhe mjaltin dhe propolisin, kombinimin e tyre me qumësht që arrin qëllime më të mira. Unë kam 5 vite që e kam ngritur këtë. Është një miniambient për dy-tre persona, në Shqipëri ka edhe të tjerë që kanë ngritur qendra të tilla, ka në Elbasan, në Kavajë dhe në zona të tjera të vendit",- thotë Arifaj.

Apikultura dhe apiterapia sot formojnë një binom të pandashëm, një urë lidhëse mes shëndetit të njeriut dhe mbarështimit të qëndrueshëm të insekteve. Në fakt, peizazhi i bletarisë shqiptare ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm gjeografik dhe sasior në dy dekadat e fundit. Nëse hedhim një vështrim mbi statistikat zyrtare, rritja është marramendëse. Kosheret e bletëve janë shtrirë në çdo cep të territorit, duke u kthyer në një shtyllë të rëndësishme të ekonomisë rurale për mijëra familje që jetojnë në zonat malore dhe kodrinore. Ky vrull ka bërë që Shqipëria të ketë një densitet të laltë familjesh bletësh. Por sekreti i vërtetë i këtij sektori nuk qëndron vetëm te shifrat në letër, por te cilësia e asaj që quhet 'ari i lëngshëm'. Flora e pasur shqiptare, e ndikuar nga klima mesdhetare dhe mikroklimateve specifike të zonave malore, bën që mjalti i prodhuar këtu të ketë karakteristika unike organoleptike. Çdo lule e egër, çdo rrjedhë uji i pastër dhe çdo rreze dielli lënë gjurmën e tyre në shijen e mjaltit, duke e bërë atë një produkt shumë të kërkuar si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

"Në Shqipëri ka një rritje të numrit të bletëve. Sot sipas statistikave janë diku tek 500 mijë - 600 mijë familje bletësh që mbarështojnë bletarët në Shqipëri. Në rrethin e Pukës kemi diku rreth 7 mijë familje bletësh që mbarështojnë bletarët në të gjitha fshatrat e Pukës. Mjalti është sipas shijes së çdo personi, por mjalti shumëlulesh është më i miri. Kjo lidhet med bimësinë që ka zona, me ujin, me klimën që është vendimtare. Ka mjaltë nga të gjitha bimët, nga të gjitha zonat e Shqipërisë pothuajse ka mjaltë të preferuar dhe të shijshëm, por më shumë është vlerësuar mjalti i trumzës, i akacies, shumëlulesh, gështenja gjithashtu kërkohet shumë e të tjera të cilat kanë vlera kur edhe bletët trajtohen mirë",- shpjegon Arifaj.

Përveç mjaltit tradicional, bleta është një prodhuese e jashtëzakonshme e një serie nënproduktesh me vlera të larta terapeutike dhe ushqyese. Ajo funksionon si një fabrikë farmaceutike në miniaturë, ku asgjë nuk shkon dëm. Nga qumështi i bletës, i njohur si eliksiri i rinisë, te poleni i pasur me proteina, propolisi që shërben si antibiotik natyror, e deri te dylli dhe helmi i bletës që përdoret gjerësisht në mjekësi. Të gjitha këto produkte përbëjnë shtyllën e mjekësisë alternative, duke dëshmuar se sa jetike është ruajtja e këtij insekti.

"Ka disa lloje bletësh në të gjithë botën, të përshtatura në zona, rajone, kontinente të ndryshme. Bleta ka disa produkte përveç mjaltit, ka qumështin, ka polenin, ka propolisin, ka helmin dhe dyllin. Të gjitha këto produkte janë të njohura në të gjithë botën, me vlera të jashtëzakonshme për shëndetin e njeriut. Këtu është edhe ajo lidhja e apiterapisë me apikulturën, një binom i pandashëm. Apikultura shërben nga njëra anë për mbarështimin dhe shtimin e bletëve dhe shtimin e produkteve nga bleta ndërsa apiterapia është një mjekësi alternative që përdor produktet e bletës dhe kombinimet e tyre për të mirën e shëndetit të njerëzve",- tregon doktor Abdyl Arifaj.

E megjithatë, pas këtij peizazhi idilik dhe pasurisë që na dhuron natyra, fshihet një realitet i zymtë dhe i frikshëm. Bleta, insekti që mban në këmbë zinxhirin ushqimor të planetit, sot ndodhet në rrezik ekstrem ekzistencial. Paradoksi më i madh i kohës sonë është se armiku më i pamëshirshëm i bletës nuk janë grabitqarët natyrorë, por vetë qenia njerëzore. Përmes veprimeve të pakujdesshme dhe mosveprimeve ligjore, njeriu po shkatërron habitatin e saj. Ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, të nxitura nga aktiviteti industrial, po prishin ekuilibrat delikatë të natyrës. Bimët lulëzojnë jashtë kohës së tyre, burimet e ujit shterojnë dhe bleta mbetet pa ushqim, duke kaluar në një gjendje stresi të vazhdueshëm që ia dobëson imunitetin. Mbi të gjitha, përdorimi pa kriter i pesticideve dhe helmeve kimike në bujqësi po kthehet në një dënim me vdekje për miliona familje bletësh. Në të njëjtën kohë, dëmtuesit natyrorë si varatoza, një sëmundje parazitare agresive, po përhapen me shpejtësi në mbarë botën dhe në Shqipëri, duke shkaktuar kolapse totale të parqeve të bletarisë nëse menaxhimi nuk është i duhuri.

"Fatkeqësisht bleta kërcënohet nga disa faktorë dhe arsye në të gjithë botën, jo vetëm në vendin tonë. Armiku më i madh i bletës është vetë njeriu, me veprimet dhe mosveprimet e tij. Dhe nga ana tjetër kemi edhe dëmtues natyrorë të bletës, armiku më i madh është varatoza. Është një sëmundje parazitare, në të gjithë botën ka pasur dhe ka probleme në lidhje me këtë dëmtues kaq kërcënues për bletën. Një kërcënim tjetër është përdorimi i shumë pesticideve që janë helme të dëmshme për insektin më të dobishëm, bletën. Ngrohja globale është një faktor tjetër që po kërcënon bletën, ndryshimet klimatike. Duke u prishur ekuilebret, bleta mbetet pa ushqim. Nëse bleta kalon në stres, sulmohet nga sëmundje të ndryshme. Dhe për pasojë krijohet një kolaps dhe eleminin i familjeve të bletëve nëse bletari nuk tregohet i kujdesshëm",- sipas studiuesit Arifaj.

Por krahas kërcënimeve mjedisore, bletarët e vërtetë në Shqipëri po përballen edhe me një tjetër krizë: atë të menaxhimit të fondeve dhe subvencioneve shtetërore. Shifrat tregojnë se nga 80 mijë familje bletësh që numëroheshin para viteve '90, sot kemi arritur në rreth 600 mijë. Një rritje sasiore e jashtëzakonshme, e mbështetur edhe nga fondet publike. Megjithatë, Doktor Arifaj ngre alarmin për një fenomen shqetësues. Shumë nga këto subvensione janë keqpërdorur dhe kanë rritur fiktivitetin në letër, pa sjellë një rritje reale të produktit apo të rendimentit. Kemi më shumë koshere, por më pak mjaltë në treg, një problem që na e vënë në dukje edhe ekspertët evropianë.

"Mbarështimi i bletëve është rritur shumë në 20-30 vitet e fundit, sepse nga 80 mijë që ishin para viteve ‘90, sot në Shqipëri numërohen deri në 600 mijë familje bletësh. Ka patur edhe subvencione bur është keqpërdorur shumë subvencionimi, edhe është abuzuar, duhet të ketë kritere që të jenë sa më efikase. Ato para nuk kanë arritur në eficensën e duhur në shërbim të shtimit, shëndetit të bletës. Më mirë do të ishte stimulimi me rritjen e produktit, jo me numrin e tyre. Sepse nëse në një park ku pretendohet të jenë 100 familje bletësh, aty mund të jenë vetëm 50 përqind e bletëve. Ai e ka marrë subvencionin për 100 familje, por produkti ku është? Na e kanë vënë në dukje edhe kolegët evropianë që thonë: ju keni shtim të numrit të bletëve por jo të rendimentit. Pra ka bletë shumë por nuk mjaltë",- shprehet Abdyl Arifaj.

Për të dalë nga ky rreth vicioz i fiktivitetit dhe rreziqeve, zgjidhja kërkon zbatim të prerë të ligjit dhe një koordinim të ngushtë shoqëror. Shqipëria ka miratuar një ligj për bletën, por që në terren shpesh mbetet thjesht një dëshirë e mirë në letër. Bletarët duhet të deklarojnë me saktësi numrin e familjeve, ndërsa marrëdhënia me fermerët që përdorin pesticide duhet të jetë e rregulluar me njoftime paraprake për të shmangur tragjeditë në koshere. Por mbi të gjitha, ngrihet pyetja: çfarë duhet për t’u bërë një bletar i vërtetë në kohët e sotme? Doktor Arifaj ka ndërtuar një formulë të artë, një udhërrëfyes prej katër kolonash për këdo që dëshiron të hyjë në këtë rrugë me profesionalizëm dhe jo thjesht si një aventurë e çastit. Mungesa e njohurive bazë te shumë bletarë të rinj po krijon dëme të mëdha, andaj kualifikimi mbetet kryefjala.

"Duhet të shtohen të rinjtë që merren me bletët dhe të rritet kualifikimi i bletarëve, duhet të rrisim edhe produktet që marrim nga bleta. Në të kundërt bleta është e rrezikuar. Ne kemi bërë një ligj për bletën bur nuk po gjen zbatim të plotë, sepse çdo bletar duhet të deklaroj në pranverë sa bletë ka dhe pastaj del diferenca. Edhe deklarimi duhet t’i nënshtrohet një farë kontrolli që të mos ketë të dhëna false. Pesticidet janë kërcënim i vazhdushëm për bletët, dhe në zonat ku funksionojnë mirë ligjet dhe marrëdhëniet shoqërore, në çdo zonë që bëhet spërkatja, njoftohet një ditë më parë dhe ka një rakordim të bletarëve nëpërmjet shoqatave dhe prodhuesëve të bujqësisë. Pra duhet të ndodhë kjo që bletarët të marrin masa dhe të mbyllin bletët. Spërkatja në orët e pasdites dhe në darkë jep efikasitet më të mirë. Kështu edhe bleta shpëton. Çdo njeri që merret me një profesion duhet të ketë njohuritë bazë për të. Në Shqipëri ka edhe nivel të ulët të bletarëve që nuk kanë njohuritë e duhura. Si pasojë krijojnë probleme jo vetëm për veten por edhe për bletarët e tjerë. Sepse nuk I trajton në kohë bletët apo bën tratime të gabuara të tyre të cilat janë në dëm të shëndetit të bletëve në përgjithësi. Ka shumë probleme, por kryesorja është kualifikimi i bletarëve. Për t’u bërë një bletar unë kam një formulë, duhet të plotësosh katër K-ja që të mbash bletë: Kapital, Kohë, Këmbë dhe Kualifikim",- sqaron studiuesi i bletarisë.

Por sfidat e këtij sektori nuk mbyllen brenda parkut të bletëve apo në marrëdhëniet me shtetin. Beteja më e madhe sot zhvillohet në treg, në tryezat e konsumatorëve. Falsifikimi i mjaltit është kthyer në një epidemi ndërkombëtare, një treg i zi ku sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, pothuajse gjysma e produktit që shitet në supermarkete është e rreme, e përzier me shurupe sheqeri dhe solucione artificiale. Në këtë kaos global, konsumatori shqiptar gjendet i pambrojtur. Metodat empirike, si djegia e mjaltit apo kthimi i kavanozit përmbys, shpesh nuk mjaftojnë. Siguria e vetme mbetet analiza laboratorike ose, më thjeshtë akoma, blerja e produktit lokal nga bletarë të njohur e të besueshëm.

"Problemet me falsitetin e mjalit janë të gjithë botën. Nuk po gjendet një emërues i përbashkët, së fundi bletarët e sllovenisë kanë bërë një pakt me komunitetin evropian që ta marrin në shqyrtim problemin e falsifikimit të mjaltit, por ende nuk po e marrin. Pothuajse 50% e mjaltit në evropë po vlerësohet i falsifikuar. Edhe ne pjesë e kësaj shoqërie jemi, edhe ne kemi akuzues dhe abuzues plot. Blerja e mjaltit lokal me njohje është më i sigurtë krahasuar me ato në supermarket. Ka disa metoda empirike që qarkullojnë për njohjen e mjaltit bur ato që e verifikojnë plotësusht origjinalitetin e tij janë analizat laboratorike",- sipas doktor Arifajt.

Dr. Abdyl Arifaj ka kaluar më shumë se një çerek shekulli duke trajnuar breza të tërë bletarësh, burrash, grash dhe të rinjsh në të gjithë Shqipërinë. Ka parë shumë prej tyre që nisin me entuziazëm, por tërhiqen sapo kuptojnë se bleta kërkon sakrificë të përditshme dhe nuk pranon gjysmakë. E megjithatë, këtu në Pukë, mes gumëzhitjes së koshereve të tij, mesazhi i tij i fundit nuk është një dorëzim përpara vështirësive. Është një thirrje e fortë, një apel racional për t’u kthyer te jeta e vërtetë e fshatit, aty ku një familje e përkushtuar, me vetëm 100 bletë, mund të ndërtojë një të ardhme të sigurtë, të ndershme dhe të pasur ekonomikisht. Sepse kush mbron bletën, mbron vetë jetën.

"Unë kam mbi 25 vjet që merrem me trajnime bletarësh, kanë ardhur edhe të rinj e gra, por sot jo më shumë se 50 prej tyre merren me mbarështimin e bletëve vetëm e kanë hobi. Maksimumi kanë përfituar disa të mira materiale dhe pastaj e kanë lënë. Një familje në fshat me 100 bletë ka të ardhura të mira sepse kanë vlera të jashtëzakonshme të gjitha produktet e bletës",- e mbyll fjalën e tij studiuesi Abdyl Arifaj.

Sot, bleta mbetet insekti më i rrezikuar në glob. Mbrojtja e saj nuk është më çështje pasioni, por mbijetese.