Kullat e veriut janë banesa tipike të skajeve më veriore të Shqipërisë, elementë që kanë përcjellë ndër shekuj etnografinë dhe historinë e banorëve të tyre.
Në fshatin Koçanaj të Tropojës qëndrojnë ende në këmbë dy shtëpi tradicionale të cilat shërbenin dikur si vende mbledhjeje për kuvendet e burrave, duke ofruar një pasqyrë të rëndësishme të jetës shoqërore dhe kulturore lokale. Secila ka një histori për të rrëfyer.
Ram Dollapi na njeh me banesën e të parëve të tij ku edhe ai ka kaluar 47 vite të jetës së tij.
Kulla njihet si Kulla e Osmanlisë e Dollapajve. Ajo është mbi 200-vjeçare dhe mban statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Sipas Ramës, pavarësisht disa ndryshimeve të vogla, sidomos në çati, ruan autenticitetin e saj si kullë me pozicion luftarak.
Në vitin 1980 kjo kullë u përzgjodh si shesh xhirimi nga regjisori Gëzim Erebara për të realizuar skena të filmit Nusja.
“Në këtë dhomë është xhiruar filmi ‘Nusja’. Prej këtu ka dalë nusja dhe ka shkuar te burri në Bujan”, rrëfen Rama, i cili në kohën e xhirimeve ishte 33 vjeç.
Ai tregon detaje të atmosferës ndryshe që përjetuan të gjithë banorët e fshatit Koçanaj e në mënyrë të veçantë familjarët e tij që i vunë odat në dispozicion të filmimeve të kohës.
Si valltar, ai ka qenë pjesëmarrës në film në skenën e vallës së burrave, gjatë përcjelljes së nuses te burri, rol i interpretuar nga aktorja Ermira Gjata.
Rama kujton se në film këngëtarja Fatmira Breçani, së bashku me 12 vajza nga fshati Markaj, kanë kënduar këngën e njohur. “Kaj qiko kaj, me mall ty po të pret bajraku me zall.”
Filmi është xhiruar në tre fshatra të Tropojës, Koçanaj, Bujan dhe Shoshan. Ram Dollapi tregon se skenat e përcjelljes së nuses te burri janë realizuar për dy ditë rresht.
Për shkak të veçantisë që e dallon nga kullat e tjera të zonës, Ram Dollapi shprehet se kulla ka nevojë për restaurim. Ai tregon se këtë vit një grup ekspertësh nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës e kanë vizituar në kuadër të projektit për rrjetëzimin e kullave-shtëpi në veri-lindje të vendit.
Në fshatin Koçanaj ndodhet edhe një kullë tjetër, e cila ndryshe nga Kulla e Osmanlisë së Dollopajve monument kulture i kategorisë së parë është e kategorizuar si kullë patriotike dhe mikpritëse. Ajo është Kulla e Brahim Hoxhës. Ram Dollapi shpjegon se kjo kullë ka qenë mikpritëse e Isa Boletinit për katër vite rresht dhe se pikërisht aty është përdorur për herë të parë dinamiti në Malësinë e Gjakovës, gjatë kohës së Turgut Pashës.
Në fund, ndërsa Rama zbret ngadalë shkallët e kullës, duket sikur nuk po largohet vetëm nga një ndërtesë guri, por nga një kapitull i tërë jete. Kjo kullë nuk është thjesht vendi ku ai ka jetuar 47 vjet, as vetëm skenat ku u xhirua një nga filmat e kinematografisë shqiptare. Ajo është një arkiv i gjallë kujtese, ku bashkëjetojnë jeta private, arti dhe historia.
Muret e saj kanë dëgjuar zërat e dasmave, krismat e pushkëve, këngët e vajzave, vallen e burrave dhe më pas heshtjen e viteve.
Sot, nipi dhe mbesa e Ramës ngjisin të njëjtat shkallë, jo si aktorë filmi, por si trashëgimtarë të një historie që rrezikon të mbetet vetëm kujtim, nëse nuk ruhet.
Komente






