SPECIALE/ ‘Mjeshtrja e hekurt e dekadave’, e vetmja në Kukës! 72 vjeçarja që merret me avolxhimin e elektromotorëve: Zanati im, ka qenë më i miri në Shqipëri

Ajo është “mjeshtrja e hekurt e dekadave” dhe e vetmja grua në qytetin e Kukësit, që me punë e aftësi profesionale ka arritur t’i përshtatet fort mirë edhe teknologjisë moderne.

Fatime Basha 72 vjeçe, ka krijuar biznesin e familjes së saj me thurjen e telave të elektromotorave,të cilën e ka bërë një jetë të tërë bashkë me bashkëshortin e saj. Ajo thotë se që në 1968 e ka nisur këtë zanat të rrallë për një grua.

“Po bëj elektromotorat. Thurje elektromotorash. Këtë zanat e kam që në vitin 1968.Kam bo shkollën fizike-elektromekanike. Në Durrës. Në UEM e kam bërë. Sot jam 72 vjeçe dhe punoj që 55 vjet. Punën që kam punuar unë është jashtëzakonisht e vështirë. Sepse këtë punë zakonisht e bëjnë burrat. Kur shkova në Kosovë,u habiten se unë bëj elektromotorat. Në vitin 1971 jam martuar me bashkëshortin tim. Ai më ka bërë të lumtur sepse ka qenë njeri shumë i kulturuar, human dhe me vlera të shumta”.-tregon avolxhuesja e elektromotorave.

Fatimja, kujton edhe punën e parë që ka bërë kur punonte në ish-Ofiçinën Mekanike në Kukës.

“Puna e parë që kam bërë ishin tre elektromotora që i sollën në ofiçinë. Ishin monofazë. Ishte hera e parë që e prisha monofazën. E hapa një fletore. Bëra një skemë. Më pas ia mora dorën”

Me daljen në pension në vitin 2000 vendosi të hapë një punishte për të siguruar një jetesë më të mirë për familjen megjithëse siç shprehet ky zanat nuk të sjellë të ardhura të shumta.

“Sepse isha më e re. Fëmijët nuk i kisha martuar. Do punonim për t’i shkolluar, për t’i martuar. Ky zanati imi nuk është me pas lekë. Për të ngrënë e jetuar është zanat i mirë. Nuk dorëzohem. Jam 72 vjeçe dhe filloj duke punuar përsëri. Prej punës nuk lodhem fare. Kur ishte rruga e kombit kishte shumë punë. Burri më thoshte leje Fatime punën. Nuk e ndjej lodhjen. Kam kënaqësi kur punoj. E kam zanatin të dashur. Unë thashë, zanatin tim e bëj symbyllur. Unë jam 72 vjeçe dhe i marr e i zëvendësoj telat me shumëzim e pjesëtim. Sot rinia marrin telefonin dhe e kanë më kollaj ndërsa unë i bëj pa telefon. Edhe burri më ka ndihmur shumë se ai ka qenë shumë i zgjuar në Fizikë dhe më ka ndihmuar jashtëzakonisht në teori”.

E nga ajo kohë nuk është ndalur së punuari në avolzhimin e elektromotorave. Prej 22 vjetësh ajo vazhdon të bëjë të gjitha elektromotorat e shteteve të botës dhe shprehet se “edhe pse nuk ka punë sa të kem fuqi do të vazhdoj të punoj bashkë me djalin infermier i cili e ndihmon kur ka kohë të lirë”.

Në ushtrimin e zanatit të saj në jo pak raste Fatimja, është paragjykuar nga klientët e saj të cilët nuk besoni se një grua mund të rregullojë motorat.

“Mbaj mend që një herë më sollën një gjenerator Anglez që nuk punonte. Personi që e solli më pa grua dhe më tha mos nuk di. I thashë bjere. E hapa. Ishte e fabrikës. E pashë dhe i lidha me mendim tim. Kur punoi ai u habit dhe tha: si ka mundësi ta bësh ti këtë punë. Se janë me qindra tela. Një tel të ngatërrosh,motori plas. Vjen një burrë që kishte një elektromotor për mulli bloje. I thotë burrit tim, ti Fehim do ma bësh dhe jo gruaja jote. Fehimi nga ana mekanike ka qenë kryevepër, inxhinier. I thotë mos ki merak se t’a bëj unë. Burri im nuk dinte ta bënte avolzhimin. E bëra elektromotorin. E montova e vura në punë. Kur erdhi me e marrë tha, eh more Fehim sa mirë ma ke bërë. Ta ka bërë gruaja motorin,i tha. Kam qenë e paragjykuar.”

Mekanikët i drejtohen asaj kur nuk gjejnë zgjidhje dhe e cilësojnë si “inxhiniere” për shumë probleme që vetë nuk mund t’i zgjidhin.

“Më thonë inxhiniere sepse e bëjnë rrallë njerëzit këtë punë. Sot për sot jam e vetmja në Kukës, Has e Tropojë. Unë nuk kam mbaruar shkollë për inxhiniere. Kam bërë dy shkollë të mesme. Ngaqë kam punuar mirë dhe me ndershmëri njerëzit më thonë “mjeshtre” rrugës kur kaloj. Jam shumë e lumtur për këtë zanat se më ka ndihmuar të jetoj e qetë dhe me rregulla mesatare. Ky zanat është shumë i vështirë dhe nuk ka punë përditë dhe është në zhdukje sepse kanë dalë makineritë.”

Fatimja që zanatin e mori nga dëshira e babait të saj, thotë se më këtë zanat ka rritur 4 fëmijë. I ka shkolluar dhe martuar. “54 vjet punë në jetën time nuk e kam gënjyer asnjë klient sepse jam shumë e vendosur për këtë punë” thotë ajo.

Fatimja thotë se ndjehet e lumtur që profesionin e saj ia ka trashëguar njërit prej djemve ndërsa shton se bashkëshorti që e ndihmonte ka qenë njeri humnaitar dhe gjithmonë punonte pa para.

“Djali ka marrë zanatin tim, e ka marrë jashtëzakonisht mirë. Montim,çmontim të kuzhinetave,elektromotorave di t’i bëjë. Unë merrem vetëm me thurrjen e elektromotorave. Bashkëshorti im gjithmonë punonte pa lekë.Ishte humanitar. I thoja pse Fehim. Është gjynah grua,si dihet kur del kjo puna. As unë nuk e dua haram dhe edhe unë jam pak fetare. Nuk marrë haram por dua djersën time. Bashkë me djalin Sokolin, kemi gjetur nja 5 fletore ku kishte shënuar borxhet dhe askujt nuk ia kërkonte. Kishte shënuar emër mbiemër dhe asgjë tjetër. Ai më ka nxjerr difiçit se gjithmonë punonte pa lekë.”- tregon Fatimja duke buzëqeshur.

Ndjen keqardhje që profesioni që ajo e do aq shumë po humbet.Si e vetmja avolzhuese në Kukës konstaton se interesi për zanatet ka rënë, pasi të rinjtë nuk e duan punën. Ndaj e moshuara e ka një mesazh edhe për ta:

“Të rinjtë të kërkojnë zanatet dhe të vazhdojnë shkollat profesionale se zanati është i mirë për çdo njeri. Mos ta humbin kohën nëpër klube,internete,telefona por të mësojnë diçka.Unë jam e vjetër dhe marr e shoh tek telefoni im se çfarë ka të re për punë elektrike, për elektromotorat. Rinia nuk mësojnë për këtë zanat. Zanati im ka qenë më i miri në Shqipëri.”

/a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alex: 02/05/2023 12:51

    Zonje grua.........i meriton te gjitha.

    Përgjigju
  • Rexha: 22/04/2023 04:30

    U mbyll UEM dhe qindra industri kur Saluku e çoi Shqiperin drejt gremines pas 92 dhe u zhvillua kuotura e vrasjes se kohes neper kafenera.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'