SPECIALE/ Në zjarr me lopata, të nënvlerësuar dhe me pagë të ulët, vështirësitë që u duhet të përballen zjarrfikësit çdo ditë

Paga bazë e ulët, heqje shpërblimesh për orët shtesë dhe ditët e pushimit. Të gjitha këto shqetësojnë prej më shumë se një viti sindikatën e zjarrfikësve të Shqipërisë. Pakënaqësive u janë shtuar edhe mungesa e kushteve të përshtatshme për t’u hedhur në zjarr.

Me këto flakë përballen rreth 1250 zjarrfikës në 70 stacione në 61 bashkitë e vendit.

Thonë që në zjarr të hedh pasioni.

“E dashuroj këtë pasion, e dashuroj këtë punë”

“Këtë zanat duhet ta dashurosh. Po nuk e pate me qejf më mirë mos u fut fare”

“Zjarrfikësi është si ai engjëlli. Vetëm se ka diçka, është i vërtet, jo personazh përrallash.”

Kur gjithçka mbaron, ata konsiderohen heronjtë e heshtur. Por sa vlerësohet ky hero në Shqipëri?

“Kryetarët e bashkive po i vjedhin zjarrfikësit”, tha Bledar Bajrami, Kryetar i sindikatës së zjarrfikësve të Shqipërisë

Ky është pretendimi i kryetarit të sindikatës së zjarrfikësve të Shqipërisë. Vjedhja sipas tij qëndron në interpretimin gabim që i bëjnë vendimit të Këshillit të Ministrave që mban datën 10 prill 2019.

“Është një antikap me VKM 203.  Po ta shohësh, VKM është e saktë, por tek interpretimi i ligjit çalo”, thotë Bajrami. 

Po përse ka përplasje interpretimesh ky Vendim i Këshillit të Ministrave?

Në të thuhet se zjarrfikësit do të paguhen:

Vendimi më 10 prill 2019 për zjarrfikësit:

– 25 % për çdo orë pune/shërbimi shtesë në ditë të zakonshme pune;

– 50 % për çdo orë pune/shërbimi shtesë të kryer gjatë pushimit javor;

– 25% për çdo orë pune në ditët e festave zyrtare;

– 50% për çdo orë pune në ndërhyrje operacionale të kryer nga ora 22:00 deri në orën 06:00.

Po përse ka përplasje interpretimesh ky vendim i Këshillit të Ministrave.

“Në një shkresë të ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, shkruhej se në ditë festash pushimesh duhet të paguhen si ditë normale pune dhe orët e natës mos të paguhen”, thotë ai.

Rrëmuja e shpjegimeve ka ardhur fill pas sqarimit që i ka bërë ish-sekretari i Ministrisë së Brendshme vendimit “Për përcaktimin e kritereve, të masës së përfitimit dhe llojeve të pushimeve të tjera, me apo pa pagesë, në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi”.

Para daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave, të shtunat dhe të dielat paguheshin. Kjo ka ndodhur nga viti 2016 deri në vitin 2020. Më pas në sqarimin e Ministrisë së Brendshme në shtator të  2020 ju tha se ishin me statusi të veçantë dhe nuk duheshin të trajtoheshin me kod pune dhe të shtunat dhe të dielat do ishin ditë normale pune. 

 “Statusi ligjor i veçantë i shërbimit të MZSH-së automatikisht e bën të paaplikueshëm Kodin e Punës, çka do të thotë se ky shërbim ka legjislacionin e vet rregullues dhe s’mund t’i referohesh dispozitave të përgjithshme të këtij kodi për orët e natës, apo aspekteve të tjera që përmblidhen me termin status, kur në fakt ligji nr,152/2015 ka parashikuar rregullimin e këtij aspekti me akt nënligjor pra me VKM tashmë të miratuar me nr 203, datë 10.04.2019.”- tha sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

E bën të pa aplikueshëm Kodin e Punës saktëson ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së brendshme. Ne iu drejtuam Inspektoratit të Punës për t’u njohur me anën ligjore të një punonjësi me status të veçantë siç konsiderohen zjarrfikësit.

“Kur lind një marrëdhënie punësimi është caktuar paga bazë mbi të cilën do të shpërblehet punëmarrësi. Në kontratën individuale, kolektive është përcaktuar paga bazë, përcaktohet një kohëzgjatje javore minimale apo maksimale e punës. Dhe çdo punë e kryer mbi këtë kohëzgjatje normale, kërkon detyrimin e punëdhënësit për të kompensuar punëmarrësin me shtesa apo pushim të pagueshëm. Si rregull ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor, janë ditë pushimi dhe janë të pagueshme, pavarësisht se punëmarrësi nuk është në dispozicion të punëdhënësit për të kryer punën, por përjashtohet mundësia që punëmarrësi për nevoja operacionale të punës të punojë gjatë këtyre ditëve. Sigurisht ligjvënësi ka detyruar punëdhënësin për të bërë kompensim me shtesë mbi pagë, apo dhe pushim të pagueshëm”, tha Përgjegjësja e Sektorit Juridik, Irena Gjoka.

Jo vetëm Inspektorati i Punës por edhe vetë ministri i brendshëm Bledar Çuçi mendon ndryshe nga ish sekretari i kabinetit të tij. Në shkresën me numër 3811/2 të datës 25 shtator 2021, pra pas sqarimit të ish sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së brendshme, Ministri Çuçi udhëzon titullarët e bashkive se si të zbatojnë aktin nënligjor, VKM nr. 203 për strukturat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Dhe vetë ai i referohet Kodit të Punës.

 “Në cilësinë e titullarëve të bashkive, në zbatim të parashikimeve të VKM-së nr 203, datë 10,04.2019 është e rëndësishme që ju të keni përcaktuar dhe të implementimi tashmë, procedurat standarde dhe mënyrën e pagesës së orëve shtesë së punës mbi kohën normale apo rastet e tjera të parashikuara nga ky akt nënligjor.

Këto procedura duhet të bazohen në parashikimet e:

Ligjit nr,152/2015, Vkm nr 203 dhe Kodit të Punës që parashikon trajtimin financiar për pagesën e orëve shtesë të punës rast pas rasti dhe në varësi të punës shtesë që kryen shërbimi zjarrfikës, për aq sa nuk parashikohet në legjislacionin sektorial.” -Ministri i Brendshëm Bledar Çuçi

 “Nuk e di se si të flasim më ku ka dal Ministri dhe thotë vazhdo me kodin e punës. Për çfarë të lë mangësi ligji sektorial, nuk e zbaton njeri. Me Kukësin që është shumë e rëndë. Kukësi i ka marr deri dje dhe i kanë thënë kthe lekët mbrapsht. Nga 360 i bie që të marrin 260 mijë lekë. I shkojnë shkresës mbrapa. Ju mbahen paratë në mënyrë arbitrare”, tregon Bajrami.

Po çfarë parashikon Kodi i Punës?

“Orët e natës pavarësisht, parashikohet shtesa mbi pagë. Nëse kohëzgjatja e punës ka qenë nga ora 19:00 deri më 22:00 të natës, pagesa është jo më pak se 20%. Nëse puna ka qenë nga ora 22:00 deri në orën 22:00 pagesa është jo më pak se 50%. Për kompensimin e shtesave mbi pagë, kodi i punës përcakton standardin minimal”, u shpreh Inspektorati i Punës.

“Janë dy bashki që i japin. Është Bashkia e Shkodrës me vendim të Këshillit Bashkiak. Është dhe bashkia e Shijakut. Ju ka dhënë mundësi zjarrfikësve që të jetojnë”, thotë kreu i sindikatës së zjarrfikësve.

59 bashkitë e tjera u ngatërruan me interpretimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave.

“U bënë komisione në Ministri të Brendshme. Sindikata ngriti zërin. U argumentua me fakte pse duhet të ngrihet paga. Ka dal urdhër i Ministri Që të jepen orët e natës, ditët e festave. Nuk zbatohet. Kërkoj vëmendjen sepse normalisht kryetarët e Bashkive po vidhen. Pagat janë ulur. 90 mijë lekë orët e natës, plus 50 mijë lekë e shtunë e diell. Po të fillosh zjarrfikës, është 36 mijë lekë”, thotë Bajrami. 

Para daljes së këtij vendimi të shtunat dhe të dielat paguheshin 25-50% sipas Kodit të Punës si dhe ditët festive. Kjo ka ndodhur nga viti 2016 e deri në vitin 2020. më pas në sqarimin e Ministrisë së Brendshme në shtator të vitit 2020, iu tha që janë me status të veçantë dhe se nuk duhet të trajtohen me Kod Pune por ditët e shtuna e të diela do të jenë ditë normale pune. Po kështu edhe orëve shtesë të natës u ndryshoi orari dhe shpërblimi.

Kodi i Punës përcakton se nëse del nga ora 19:00 deri në 22:00 paguhesh 120%, nga ora 22:00 deri 06:00 mëngjesit paguhesh 150%. Ndërsa VKM 203 thotë po dole natën paguhesh 150% Punonjësit e shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin ndahen në dy kategori:

a) punonjës operacional, inspektues, drejtues, i cili mban gradë;

b) punonjës pa grada, në funksione administrative.

Sistemi i gradave përcakton hierarkinë dhe nivelin e funksionimit e menaxhimit të shërbimit të MZSH-së. Çdo funksioni i caktohet grada korresponduese. Grada është edhe rritje page për zjarrfikësin që nis punën me 36 mijë lekë të reja. Ligj nr.152/2015 për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin përcakton se niveli bazë i gradave fillon me asistent zjarrfikës dhe përfundon deri në nivelin madhor  “Drejtues i lartë zjarrfikës”. Kohëzgjatja e gradimit bëhet çdo pesë vjet. Por edhe këtu punonjësit zjarrfikës janë përballur me një tjetër pengesë. Kriteret e ecurisë dhe fitimit të gradave, tabela e njësimit të funksioneve korresponduese për çdo gradë, paraqitja, forma dhe specifikimet teknike të gradave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave sipas ligjit. Por kjo VKM doli dy vjet pasi ligjit 2015 dhe njohja e gradave nisi dy vjet pas hartimit të ligjit.

“Faji i kujt është? Pra i thonë 2 vjet, faji i kujt është që grada të merret pas dy vjetësh që ka dalë VKM-ja. Shkon tek sigurimet shoqërore dhe i thua kam punuar nga viti 2015 deri në vitin 2017, në shërbim zjarrfikës. A është shërbimi zjarrfikës, shërbim me gradë? Çfarë grade kam pasur unë? Jo po nuk kishte dalë VKM. Lër VKM, shiko ligjin. VKM del në plotësim të ligjit”, thotë kreu i sindikatës.

Të gjitha këto e rendisin Shqipërinë në fund të listës së pagave të punonjësve zjarrfikës në rajon.

“Mjaftohesh me kaq. Vendet e rajonit janë më lart”

Zgjidhjen e ka ofruar përsëri Ministria e Brendshme. Në 19 Tetor 2021, një muaj pas udhëzimit drejtuar titullarëve të Bashkive për t’iu referuar edhe Kodit të Punës për pagesën e punës jashtë orarit të zjarrfikësve, ai i kërkon Departamentit të Administratës Publike rishikimin e pagave të punonjësve të shërbimit të mbrojtjes dhe shpëtimin. Kanë kaluar më shumë se 6 muaj dhe asgjë s’ka ndodhur.

“Faji Kemi bërë draft VKM, në Ministri të Brendshme. Është miratuar nga Romina Kuko. U dorëzuan VKM dhe nuk u mor njeri me të.  Ministria e Brendshme është përgjegjësja. Qeveria nuk e rrit pagën”, thotë Bledari.

Këto probleme i konfirmojnë edhe zjarrfikës në rrethe, por jashtë kamerës pasi i druhen largimit nga vendi i punës.

Vetëm stacioni i zjarrfikësve në zonën e 21 dhjetorit në Tiranë pranoi të tregonte ditën rutinë të punës. Ky stacion është ndër më të rregulltit si nga ana e pajisjeve ashtu edhe kushteve. Refuzojnë të flasin drejtpërdrejtë për problemet me pagat, por pranojnë se vlerësimi duhet të ishte më i madh ndaj punës së tyre.

“Këto pajisje shërbejnë për zjarrin. Dorashkat, çizmet, xhupi janë kundra zjarr”

“Ne i kemi kushtet të volitshme. E mira nuk ka fund, por ky repart është model”

“Disa ligje duhet të jenë më ndryshe, Shquhemi si heronj, apo ku di unë, vëmendja nuk është në lartësinë e duhur”, thotë një tjetër zjarrfikës.

“Pagat deri në një farë mënyre janë të pranueshme. Nëse shteti i shikon, do i pranonim me kënaqësi. Rrogat nuk i kemi të këqija, por e mira nuk ka fund”, thotë komandanti Përparim Boshnjaku.

Tjetër pamje kanë stacionet e Mbrojtjes së Shërbimit nga Zjarri në rrethe.

“Disa rrethe janë në kushte skandaloze. Si kushte pune dhe kushte qëndrimi. Rëndësi ka që këto pajisje dhe makineri të punojnë. A ju bëhet servisi i duhur këtyre makinerive. Disa rrethe lënë për të dëshiruar. Ka rrethe, sidomos ato që janë në buzë autostrade që nuk i kanë pajisjet e duhura”, thotë kreu i sindikatës. 

Edhe pse të kujdesshëm në deklarata, zjarrfikësit e Vlorës kërkojnë pajisje të përshtatshme për shuarjen e zjarreve pasi ato që kanë janë të vjetërsuara.

“Ka ardhur koha që shërbimi zjarrfikës të ketë mjetet e domosdoshme. Ne duam mjete të domosdoshme, por jo kaq të vjetërsuara sa është në Vlorë” thotë shefi i zjarrfikëses Vlorë, Luan Kapaj.

Mangësitë janë të dukshme gjithsesi. Mjafton të hedhësh një vështrim gjatë aksioneve për shuarjen e zjarreve. Zjarri i fundit në ishullin e Sazanit që vuri në rrezik edhe bazën ushtarake nxori në pah formën e vjetërsuar të përballje flakët.  Pas katër ditësh në betejë me flakët, u arrit neutralizimi i vatrave të zjarrit në ishullin e Sazanit pas ndërhyrjes nga ajri. Për këtë i erdhi në ndihmë Greqia që iu përgjigjur kërkesës së Shqipërisë për të sjellë avion tip Canadair CL 415, i njohur ndryshe si bombarduesi i ujit për shuarjen e zjarrit në Sazan.

Me Kod apo pa Kod pune, me pajisje të vjetërsuara apo modern punonjësit e shërbimit zjarrfikës janë ata që nisen të përballen me flakët edhe nëse rrugët nuk ua hapin

“Kur të dëgjojnë sirenën e zjarrfikëses të hapin rrugën”, tha komandanti

Tu japin përgjigje edhe atyre që e kanë lojë numrin e telefonit

“Mesazhi im është që mos ti bien 128 sepse është për të shpëtuar jetë njerëzish”, thotë punonjësja e sallës Vasku. 

Të hidhen në zjarr me ujë apo pa ujë.

“Jeta e zjarrfikësit rrezikohet në çdo moment”

Sepse këta njerëz janë I vetmi shpëtim për njerëz të tjerë që u rrezikohet prona, familja dhe vetë jeta.

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tri pikë shprese, Eintracht Frankfurt fiton 3-1 ndaj Augsburg dhe 'blindon' Evropën (GOLAT)

Tri pikë shprese, Eintracht Frankfurt fiton 3-1 ndaj Augsburg dhe 'blindon' Evropën (GOLAT)