SPECIALE/ ‘Raki mani e buzëqeshini jetës’, këshilla e boboshtarëve të vjetër (VIDEO)

Ata që kanë mbetur në Boboshticë krenohen me historinë e fshatit të tyre. Në defterin e Korçës dhe Përmetit të vitit 1431, Boboshtica numëronte 80 shtëpi dhe 200 mana, ndërsa Korça 26 shtëpi. Kërkimet për origjinën e banorëve vijojnë ende, fakt është që shumica e tyre sot janë vllehë.

Kushdo që vjen në fshatin 7 km larg Korçës, para se të njihet me historinë, duhet të tokë gotat me vendasit që shquhen për rakinë e manit. Vetëm më pas mund të nisë shëtitja nëpër pikat turistike që nuk duhen humbur.

Boboshtica është një destinacion i rëndësishëm turistik i Korçës, me një pozicion kodrinor-malor. Dallohet për një natyrë me ajër dhe ujëra të pastra, bimësi të larmishme me shkurre, drurë shumëshekullore frutorë, dushk dhe halorë, si edhe shumë bimë medicinale.

Para se diktatura komuniste të shkatërronte gjithçka, Boboshtica kishte 13 kisha dhe 3 manastire të rëndësishme.

Kisha e parë që na sugjeron të vizitojmë kryeplaku i fshatit Kostandin Xhoxhi është ajo e Shën Jovanit. Duke u mbështetur në teknikën e ndërtimit, materialin e përdorur për ndërtim dhe nga të dhënat e tjera, mendohet se kisha është ndërtuar gjatë gjysmës së dytë të shek.XIV.

Por Kostandini tregon se datat nuk mund të jenë të sakta për aq kohë sa në muret e kishës gjen afreske të pikturuara njëra mbi tjetrën të cilat i përkasin kohëve të ndryshme.

Kisha e “Shën Dhimitrit” gjendet në perëndim të fshatit Boboshticë të Korçës. Ajo i përket shekullit të XVII-të.

Kisha është njënefëshe me apsidë trifaqëshe. Muratura e kishës është me gurë ranorë të lidhur me llaç gëlqereje si dhe me copa tjegullash të vendosura ndërmjet gurëve. Muret e kishës janë të pikturuar me afreske të cilat janë ende në proces analizimi.

Në apsidë gjendet “Shën Mëria” ndenjur mbi një fron pa mbështetëse duke mbajtur Krishtin dhe anash saj janë pikturuar dy ëngjëj të përkulur nga ajo në pozicion lutjeje.

Një prej këtyre vendeve të shenjta, që njohu egërsinë e sistemit ateist, ishte dhe kisha e Shën Nikollës (Shën Kollit), nga e cila shpëtoi vetëm kambanorja, që ishte kthyer në stacion elektrik.

Boboshticën shumica e turistëve vendas e të huaj e njohin kryesisht për kulinarinë e pasur. Madje vetë banorët thonë me mburrje se ngado të shëtisin, vizitorët të ngrënët e duan nga duart e boboshtarëve. Mish, lakror në saç, petanik, petulla e sallata të ndryshme janë disa nga gatimet tradicionale të zonës.

Por kryeplaku i fshatit këmbëngul edhe në njohjen e kulturës së banorëve.

Nga Boboshtica e ka prejardhjen edhe Viktor Eftimiu, poet me 60 mijë vargje të botuara, prozator me disa romane e vëllime me tregime, dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë, në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa syresh u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë, eseist, etj.

Veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë edhe në kryeqytete të tjera të Evropës e më gjerë.

Në një prej tavernave të fshatit gjejmë një foto të veçantë të Viktor Eftimiut me Leon Tolstoin.

Në mur tregohen copëza nga jeta e boboshtarëve ndër vite. Ndër to shohim se si është festuar festa tradicionale e Rosicave.

Edhe pse duken të vetmuar e të harruar, shpesh herë me sytë nga rruga në pritje të fëmijëve dhe nipërve, boboshtarët e kanë gjetur ilaçin e lumturisë: pini raki mani e buzëqeshini jetës!

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Loreta: 11/02/2024 14:14

    Shume mire qe beni emision per fshatrat e shquar dhe qe kane nxjerre njerez te shkolluar dhe me kulture. Po historine e vertete te Boboshtices e gjeni vetem po takuat boboshtare te vertete qe kane qene brez pas brezi boboshtare. Keta qe keni intervistuar jane vllenj te ardhur ne vitet 1960 ne fshat ( ne fshat eshte folur nje gjuhe sllave KAJNAS dhe i sollen qe te shuhej kjo gjuhe)dhe nuk e dine historine e Boboshtices, as te manave shekullore qe japin prodhim çdo vit dhe nuk duan asnje sherbim, as sperkatje, asnje gje. Pse nuk mbjellin mana teja qe t'i shtojne ( se sekretin e dinin vetem boboshtaret e vertete). Dhe rakia nuk del pak jeshile, del siç do raki e tejdukshme) thjesht i hedhin gjethe mani qe ta bejne me interesante etj,etj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur