SPECIALE/ Shpëtoni zejen e filigranit! Thirrja e 4 mjeshtrave të fundit të artit të dashurisë së shkrirë në fillin e argjendtë

Këta janë mjeshtrat e fundit që mbajnë gjallë zejen e filigranit. Dikur këto stoli prodhoheshin nga më shumë se 145 punëtorë.

Sipas historianëve trashëgimia e filigranit, daton prej shekujsh. Të dhënat e para për argjendarët apo kujunxhinjtë e Prizrenit hasen në shekullin XIII. Por, filigrani lulëzimin e arriti gjatë Perandorisë Osmane periudhë që nxori në pah mjeshtër të njohur të qytetit. Vatra e filigranit ka qenë kryesisht në Çarshinë e kujungjillëkut.

Shkallën më të lartë të zhvillimit të saj argjendaria e arriti në shekullin e XIX. Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, në Prizren në vitin 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë, ka shkruar historiani Ahmedi në librin e tij “Theranda-Prizreni ndër shekuj”.

Filigrani u trashëgua nga gjenerata e mesme e zejtarëve, lista me emrat e të cilëve është shumë e gjatë.

Në vitin 1922 në Prizren identifikoheshin mbi 35 dyqane. Filigranistët prizrenas prodhimet e tyre i eksportonin në panairin ndërkombëtar të Parisit, ku eksponatet e tyre zgjuan interesim jo vetëm tek blerësit francez, por edhe te disa tregtarë nga Tunizi.

Pas Luftës II Botërore në Prizren u themelua kooperativa e argjendarëve ‘’Filigrani’’, ku u punësuan që të gjithë krijuesit aktiv dhe me përvojë në këtë zeje. Iniciativa për themelimin e kooperativës nisi në mesin e vitit 1946, me pjesëmarrjen e 81 kryemjeshtërve argjendpunues, ndërsa puna filloi më 1 janar 1947. Kooperativa u regjistrua në Lidhjen e Kooperativave Zejtare në Beograd më 13 janar 1947, me emërtimin Kooperativa Përpunuese e Kujunxhinjëve.

Më vonë kooperativa ndryshoi emër nga ‘’Filigran – Kooperativa Filigrane e Artizanatit të Prizrenit’’ në ndërmarrjen për prodhimin e stolive prej arit dhe argjendit ‘’Filigran’’.

Gjatë veprimtarisë së saj, kooperativa shënoi rritje të kontribuesve aktiv. Nga 11 krijues dhe iniciatorë për themelimin e kooperativës, numri i zanatçinjve gjatë vitit të parë shënoi rritje në 81, ndërsa deri në vitin e tretë ky numër u rrit në 153. Vlen të veçohet fakti se në kuadër të kësaj ndërmarrje, për herë të parë me këtë zeje filluan të merren edhe gratë shqiptare.një prej tyre është edhe Fatime Baruti.

Prej 55 vitesh, në të njëjtën tavolinë pune e me të njëjtat mjete, duart e Fatime Barutit prodhojnë stoli e zbukurime të larmishme nga metalet e çmuara. Punën si filigraniste në qytetin e artit dhe zejeve, në Prizren e ka nisur në vitin 1964, sapo kishte mbushur të 18-at e që atëherë nuk është ndarë asnjë ditë edhe pse prej vitesh ka dalë në pension.

Sot është 75 vjeçe dhe e vetmja filigraniste grua nga 24 që ishin dikur në punishte. Bashkë me Fatimen janë edhe Bashkim Tejeci, Xhafer Lushaj e Faik Bamja.

Të gjithë i kanë kaluar të 60-at e kanë mbetur të vetmit udhëtarë dëshmitarë të lulëzimit të dikurshëm të kësaj zeje.

Prej vitesh ndërmarrja e filigranit është kthyer në qendër të formimit profesional, me qëllimin e përcjelljes së kësaj tradite të hershme por edhe të veçantë ndër breza. Madje nuk kanë munguar edhe të rinj nga Pogradeci, Tirana, Kukësi e qytete të tjera. Mjeshtrat duan t’i përcjellin dijet e tyre që filigrani të punohet edhe në të ardhmen.

Pak kohë më parë përmes ish-ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi pati bashkëbisedime që ky profesion të shtrihej edhe në shkollën profesionale të Kukësit. Por deri më sot ka mbetur dëshirë e mirë e atyre që duan ruajtjen e traditave.

SI.E./S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë