Speciale/ Zerqani pjesë e 100 fshatrave turistikë, por mungesa e nxënësve kyç shkollën 127-vjeçare! Kryeplaku: Nuk ka asnjë investim

Ky është fshati Zerqan në Bashkinë e Bulqizës. Pak kush e di që këtu flenë histori disa shekullore mbi dijen e kulturën, traditat dhe emancipimin.

Ky është një prej 100 fshatrave turistikë , të përzgjedhur pikërisht për të mos lënë në harresë Zerqanin që në dokumentet historike mesjetare në vitin 1273 krahina në fjalë njihet me emrin “Tamadia” dhe fshati Zerqan, Zirclan që e përkthyer nga latinishtja do të thotë Vend i artë.

Një tjetër ngjarje e rëndësishme për këtë komunë është data 10 maj e vitit 1910 kur u hap shkolla e parë e cila kishte si staf pedagogjik 18 mësues, dhe si ndërtesë, shtëpinë e një fshatari. Kjo është një ndër 10 Abetaret Shqipe, që u sollën nga Stambolli në fshatin Zerqan. Historia e shkollimit të banorëve ka vijuar me hapje e mbyllje sipas situatave të kohës, por ajo që vlen të veçohet është hapja edhe e një shkolle posaçërisht për femrat. Që një shekull e gjysmë më parë, banorët e Zerqanit ishin arsim dashës.

Pavarësisht të gjitha këtyre pasurive kulturore, ku fshat rrezikon të zhduket një herë e përgjithmonë. Kjo reflektohet në mbylljen e shkollës së mesme me 127 vjet histori.

Fëmijët e kësaj Njësie Administrative, të njohur ndryshe edhe si “Gryka e Madhe”, janë të detyruar që mësimet ti marrin në qytetin e Bulqizës, ku për të shkuar duhen rreth 30 minuta . Por ka edhe nga ata që do të shkojnë edhe më larg, siç është rasti i Orgito Sekës, që pavarësisht se shkollën e ka në derë të shtëpisë, i duhet të shkojë në Durrës.

Quhem Orgito Seka. Futem në vit të parë në gjimnaz. Këtu shkolla u mbyll dhe  jam detyruar të shkoj në Durrës tek motrat e mia. E kisha shkollën në derë të shtëpisë. Këtu u mbyll dhe vendosa të shkoj në Durrës.  Biseduam dhe u vendos. Nuk kam mundësi tjetër. Këtu do filloja, por këtu u mbyll dhe u detyrova të shkoj”, u shpreh një nxënës.

Reduktimi i nxënësve për kryeplakun e fshatit, vjen pasi për 30 vite demokraci investimet në shkollë dhe jo vetëm kanë munguar. Nëse do të kishte investime, Olsi Gurra thotë se gjimnazi do të frekuentohej sërish dhe do të kishte rreth 100 nxënës.

“Jemi këtu pranë shkollës së bashkuar Zerqan. Sivjet, për shkak të reduktimit të numrit të nxënësve kanë menduar që ta mbyllin si shkollën e mesme ashtu edhe 9-vjeçare duke e lënë si shkollë fillore vartëse. Nuk ka nxënës nga Zerqani. Është reduktuar shumë.  Për sa i përket shkollës së mesme, kjo shkollë nxënësit i ka pasur më shumë nga fshatrat e tjerë. Për arsye se vitet e fundit nxënësit kanë zgjedhur shkollën Bulqizë, për shkak se kjo shkollë është lënë në harresë për 30 vite demokraci. Duke mos bërë asnjë lloj investimi në atë shkollë. Unë njëkohësisht kam qenë edhe mësues i kësaj shkolle. Për tre vjet. Kjo shkollë, sot që flasim nuk ka banjo. As terren sportive . Terreni sportive është pronë private. Ka vetëm një oborr, ku nuk mund të zhvillohet asgjë. Brenda mungon çdo lloj investimi. Mungon kabineti i informatikës. Një nxënës nuk ka pse të vije nga fshatrat e tjera  në një shkollë të lënë në harresë. Tendenca për ta mbyllur këtë shkollë ka qenë prej vitesh. Ka qenë  prej 10-15 vitesh.  Ka pasur një tendencë për mbylljen dhe shuarjen e emrit të Zerqanit. Vendi është në prioritet të 100 fshatrave turistik, pra nga qeveria. Duke i mbyllur shkollën këtij fshati, duke i mbyllur spitalin, duke e shkurtuar nga komunë, në Njësi Administrative me tre punonjës,  çfarë fshati turistik është ky vend? Çfarë fshati është ky që kalon dhe nuk shikon asnjë person?  Dikur këtu, mbaj mend unë kishte popullsi shumë të madhe. Vinin njerëz nga të gjithë fshatrat e tjerë. Vinin tek komuna, spitali. Vendi kishte gjallëri. Sot siç e shikoni, fshati është lënë në harresë. Po të mbyllet dhe shkolla, vendimi është marrë, por shpresoj të kthehet si vendim , përndryshe emir i Zerqanit do të fshihet. Do fshihet tradita. Shkolla e Zerqanit është hapur rreth 127 vite më parë. Të mbyllet një shkollë me emër që ka nxjerrë intelektual  të shquar është absurde.  Në Zerqan janë 5 nxënës që kanë mbaruar klasën e 9-të.  5 nxënës janë shumë pak, por nëse sillen nxënësit nga fshatrat e tjerë, pra të mos shkojnë në shkollën e Bulqizës dhe të bëhen disa investime, si shërbimi, transporti, nxënësit mund të zgjedhin Zerqanin.  Mendoj se të gjithë nxënësit duhet të zgjedhin këtë shkollë. Jo me detyrim, por ama duhet te investohet për të zgjedhur këtë shkollë.  Edhe prindërit do mundohen që ti çojnë në një vend më cilësor. Së bashku me shkollën 9 vjeçare, domethënë aktualisht është vetëm klasa e 9-të dhe 4 klasa të fillores dhe nëse sillen edhe nxënësit e tjerë, gjimnazi hapet dhe mund të bëhen dhe dy klasa paralele çdo vit. Të paktën gjimnazi mbetet me një total nxënësish 100 deri në 120 nxënës”, u shpreh kryeplaku i fshatit Zerqan, Olsi Gurra.

Për ish drejtorin, Muharrem Bardha, tashmë të dalë në pension, të mbyllësh këtë shkollë e cila ka zanafillën më 14 mars të 1893-it, duke u bërë i pari institucion arsimor në zonën Dibrës është krim.

“Me thënë të drejtën unë kamë punuar 44 vjet si mësues në arsim. 23 vjet kamë punuar në këtë shkollë dhe 21 vjet në shkollat e Gollobordës, Sopot e me radhë. Të mbyllësh këtë shkollë është krim. Është  shkolla e parë e hapur në trevat Shqiptare të kësaj ane të kufirit. Kjo shkollë është e 3-ta e 4-ta në rang Republike. Me një përkujdesje shkolla do ngelej. Kjo shkollë zanafillën, flas me dokumente, e ka me 14 mars të 1893-it. Në atë kohë ka qenë private, jo shtetërore. Kjo shkollë ka vazhduar këtë ecuri deri në ditët tona. Të mbyllet kjo shkollë nga pakujdesia në menaxhimin e nxënësve më duket e padrejtë.  Nxënësit e Zerqanit i pranojnë në Bulqizë. Pse?  Prindërit, familja jeton këtu. Klasën e 9-të e kanë mbaruar këtu  dhe shkojnë i marrin në Bulqizë. Nëse ato do fillonin këtu, shkolla do të ishte e tejmbushur me nxënës.  Flas për shkollën e mesme. 9-vjeçares nuk ka çfarë ti bëje kush, pasi nuk ka lindje, është një problem tjetër. Më duket se me një  studim më të mirë të problemit  të paktën e mesmja qëndron. Është një shkollë që ka krijuar identitetin e vet, fizionominë e vetë. Nga Zerqani kanë dalë me mijëra kuadro. E kanë treguar veten se kush janë. Është tepër e pa studiuar mbyllja e kësaj shkolle. Nuk e lidh me asnjë lloj ngjyrimi politik. Nuk është studiuar mirë mbyllja e kësaj shkolle, në një kohë ku godina është, baza materiale është. Të mbyllësh shkollën është veprim i nxituar.  Janë 127 breza që kanë dalë nga kjo shkollë. Për sa i përket moshës I bie 4 breza. Stërgjyshërit tanë, jo gjyshërit. Me mund i kanë sjellë bazat mësimore nga jashtë për të hapur shkollën. Sot pa një të keq, me një të rënë të lapsit, në një mënyrë tepër burokratike shkolla po mbyllet. Se kujt i pëlqen kjo nuk e di.  Se di kush e sheh Zerqanin me lente të errëta. Për këtë anë të kufirit është shkolla e parë që është hapur. Nuk ka kuptim ta mbyllësh. Nga Zeqanai është hapur, nuk ka qenë nga të huajt. E kemi hapur me forcat tona. Ky fshat ka një histori të lavdishme. Ka nxjerrë nxënës që kanë bërë figurë. Kanë qenë dhe Ministra.  Lëvizje të popullsisë ka pasur. Brezi i ri po largohet. Për një jetë më të mirë, punë. Djemtë e rijnë që mbarojnë shkollën, vijnë e martohen dhe Ikin . Në Angli, Itali etj. Nuk ka shpërngulje të gjithë shtëpisë. Për shembull unë vetë kam ngelur vetëm me gruan në shtëpi. Edhe tjerët si puna ime. Qeveria nuk ka vendosur dorë. Përveç asfaltit. Për 30 vite asnjë gjë. Është caktuar edhe në 100 fshatrat turistikë. Në bujqësi asnjë lloj ndihme. Nuk ka të dhëna të sakta se sa banorë ka Zerqani, pasi janë larguar por gjendjen Civile e kanë këtu. Kemi ngelur këtu vetëm të vjetër. Nuk gjen të rijnë”, tregoi ish-drejtori i shkollës, Muharrem Bardha.

I pyetur për këtë çështje, drejtori i Zyrës arsimore Bulqizë, Kujtim Kërkuti, nuk pranoi të prononcohet, por jashtë kamerës ai tha se mbyllja e shkollës së mesme të Zerqanit ka ardhur pasi ka pothuajse zero nxënës të regjistruar. Mjafton ti referohemi të dhënave ndër vite. Në vitin shkollor 2013-2014 ka pasur 124 nxënës. Ndërsa këtë vit të ri shkollor ka të regjistruar vetëm 17 nxënës gjithsej. Më pak se  në vitet 1925-1926 kur ishin regjistruar 75 nxënës. Mungesa e alternativave për të vazhduar jetën në Zerqan i ka detyruar banorët të ikin. Gjithçka ka mbetur është kjo shkollë e shkretë,  gërmadhat e  furrës së bukës dhe postës, ky i ashtuquajtur muze  dhe spitali që është shndërruar në fole për dallëndyshet.

Pas 747 vjetësh histori të shkruar, fshati Zerqan rrezikon të zhduket, jo nga natyra por nga indiferenca njerëzore.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi