Pas fitores në Kupën e Italisë dita e sotme për Interin ka qenë tepër impenjative në merkato. Klubi zikaltër ka arritur marrëveshjen me Romën për shkëmbimin e Politano-s me mbrojtësin Spinazzola, i cili vetëm në verë ishte te Juventusi. Në pak kohë 26-vjeçari ka ndërruar tre skuadra të elitës në ‘Seria A’, ndërsa tashmë shihet si një element i rëndësishëm për Conte-s që blindon krahun e djathtë. Për momentin në këtë pozicion Interi kishte vetëm Birgahi-n, pasi Asamoah prej shumë kohësh vijon i dëmtuar.
Spinazzola ka qenë sot në Milano për të kryer vizitat mjekësore dhe nga moment në moment pritet zyrtarizimi te Inter. Ndërkohë Gazzeta Dello Sport shkruan se zikaltërit thuajse kanë mbyllur gjithçka edhe për objektivin kryesor të merkatos së dimrit Christian Eriksen. Menaxheri i futbollistit ka qenë të martën në Milano ku ka arritur akordin me klubin zikaltër. Te Inter Eriksen do të hedhë firmën deri në vitin 2022 me 7.5 mln euro pagë në sezon. Tani i vetmi problem mbetet Tottenham, që kërkon 20 mln euro, ndërsa Inter ofron vetëm 10, por sipas këtij burimi edhe ky detaj pritet të zgjidhet dhe që sot mund të kemi zyrtarizim.