'Spiro Koleka erdhi nga vila e Dhërmiut me ‘Benz’-in luksoz dhe zbriti në qendër të fshatit, ku deshi të takonte disa burra por...'

'Spiro Koleka erdhi nga vila e Dhërmiut me ‘Benz’-in luksoz dhe zbriti në qendër të fshatit, ku deshi të takonte disa burra por...'

Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e ç’gënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

Enver Hoxha, qe vërtet njeri tepër i jashtëzakonshëm, përderisa arrinte që, kur ia donte nevoja e në raste të caktuara, derdhte lot para publikut. Ai qante…! A ish parë ndonjëherë që ndonjë diktator komunist të qante?! Enver Hoxha ishte një aktor i madh!

Po! Aktor i madh! Por, njëkohësisht dhe regjisor e autor i një katastrofe e tragjedie rrëqethëse e plot gjak, të cilën do ta përjetonte gjer në kockë, një popull i tërë…!

POLIFONIA E 12 APOSTUJVE TE LUMTUR

…Para se të marrë formën e një burgu, para se të shndërrohet në një kamp përqendrimi, totalitarizmi përbën një ide. Ai shpreh një logjikë e koncept të caktuar të ndërtimit të botës e shoqërisë. Pikërisht, zbatimin e këtij koncepti si edhe ndërgjegjësimin e masave për përmbushjen e misionit të madh, e kish për detyrë Partia.

Po, ç’ish në vetvete, Partia?  Cilat qenë strukturat e saj?

Ç’përfaqësonin drejtuesit e saj të lartë…?

Së pari, duhet theksuar se, motoja kryesore dhe e padiskutueshme e një partie totalitare, është:

Pushtet absolut e nënshtrim absolut.

Por për të arritur këtë, Partia, krahas platformës ideologjike duhet të ketë edhe strukturat e saj të nevojshme si edhe një organizim e disiplinë të përsosur. Me shumë lakonizëm e precizion, Stalini e përshkruan kështu, strukturën e Partisë Bolshevike:

“Në udhëheqjen e Partisë sonë, numërohen 3 deri 4 mijë drejtues të nivelit të lartë. Ata përbëjnë, në se mund të shprehem kështu, Shtatmadhorinë e saj. Pas tyre vijnë 30 a 40 mijë kuadro të nivelit të mesëm. Këta janë, si të thuash, oficeret e Partisë. E së fundi, kemi rreth 100 – 150 mijë kuadro të zakonshëm, të cilët janë nenë-oficerët e saj”.

Qoftë dhe nga ky përcaktim i pjesshëm e fragmentar, kuptohet qartë se, Stalini e shihte dhe e konceptonte Partinë si një detashment ushtarak me strukturë, formacion e hierarki militare. Përndryshe, nuk është rastësi fakti që, të njëjtat ide e mesazhe përcillnin edhe Dhjetë cilësitë e anëtarit të PPSH-së, të formuluara nga nxënësi i tij besnik Enver Hoxha, i cili ndër të tjera, theksonte:

“Partia jonë është një detashment i organizuar dhe pararojë e klasës punëtore. Anëtar revolucionar i saj është ai, që pajiset me vigjilencë të vërtetë revolucionare, që godet pa mëshirë e me urrejtjen më të madhe ata që janë të pandreqshëm e shoqërisht të rrezikshëm, armiqtë e popullit e të Partisë, që është i gatshëm për çdo sakrificë e i vendosur gjer në vdekje, për t’i shërbyer asaj, që di të përdorë metodat më të përshtatshme të edukimit e bindjes e në fund, ato të shtypjes”.

Natyrisht, në tërësinë e tyre, cilësitë e anëtarit të partisë kishin edhe aspekte të tjera të natyrës propagandistike si, bie fjala, lidhja me masat, njohja dhe zgjidhja e halleve të tyre, dashuria për atdheun e popullin etj. Por, realisht, mbrapa atyre sloganeve, fshihej fytyra e vërtetë e Partisë dhe e pushtetit totalitar: shtypja, dhuna, ndëshkimi, frika, urdhri, disiplina ushtarake, lufta e klasave, shfarosja e armiqve etj.

Por, konkretisht, si qe ndërtuar Partia Staliniste e Shqipërisë?

Pikë së pari, teorikisht, në krye të hierarkisë ish Kongresi. Qe pikërisht ai, i cili në parim, zgjidhte Komitetin Qendror ose antishambrën e pushtetit absolut. Ndërkohë, zemra e KQ qe Byroja Politike me 12 anëtarë (Apostuj), të cilët paracaktoheshin e viheshin në postet e tyre nga vetë Mesia, në unitet të plotë me shokët e rrethi i tij. KQ i Partisë, mblidhej në sesione plenare, zakonisht një herë në tre muaj. Ajo qe Mesha e Rregullt, ku dëgjohej e zbatohej vetëm Fjala e Shenjtë. Urdhrat e detyrat e caktuara nga Sekretari i parë i KQ:

 Le roi soleil ! Mbreti diell !

Zot i Partisë dhe pushtetit !

Përsa i përket Byrosë Politike, ajo, duke respektuar me fanatizëm Dogmën e Traditën Staliniste, mblidhej një herë në javë, zakonisht ditëve të enjte. Ai ish edhe takimi i rregullt i Mesisë me 12 Apostujt, fjalët e shenjta të të cilit pastaj, ktheheshin në himne e liturgji për mbarë besimtarët, poshtë në bazë.

Pra, në çdo hallkë të veprimtarisë së tyre, Byroja Politike e Sekretariati i KQ të PPSH-së, funksiononin e zbatonin me fanatizëm e gjer në detajet më të vogla sipas modelit sovjetik. (Te kujtojmë se Byroja e parë politike, u krijua nga V.I.Lenini në mars të vitit 1919, gjatë kongresit të 8 – të të Partisë Bolshevike. Gjatë epokës staliniste ajo përbëhej kryesisht nga miqtë më besnikë e më të afërt të Stalinit)

Byroja Politike e Enver Hoxhës, përveç shokëve të vjetër të idealit, kish dhe një veçori tjetër dalluese. Ajo, përbënte pothuajse një familje, me plot lidhje martesore, krushqi e farefisni. Fill pas prishjes me sovjetikët, më 1961, Radio-Moska, në një emision të saj denonconte pikërisht ato lidhje, duke theksuar se:

“Më shumë se gjysma, ose më saktë 53 anëtarë të KQ të PPSH-së, janë të lidhur familjarisht mes tyre. Pikë së pari, në të bëjnë pjesë 4 çifte: Enver Hoxha me të shoqen, Nexhmijen. Mehmet Shehu me bashkëshorten, Fiqretin. Hysni Kapo me Vito Kapon e Josif Pashko me gruan, Eleni Tereziu. Ndersa gratë e Manush Myftiut e Pilo Peristerit janë motra. Kadri Hazbiu është burri i kushërirës së Mehmet Shehut. Vëllai i gruas së Hysni Kapos është Piro Kondi etj…”!

Në vitet që pasuan, uniteti familjar i Byrosë Politike, do të forcohej edhe më shumë. Shokët e Udhëheqjes do t’i bënin mblesëritë, krushqitë e dasmat vetëm midis tyre e brenda mureve të Bllokut. (Kështu, për shembull, mbesa e Ramiz Alisë do të martohej me djalin e Enver Hoxhës, Ilirin etj., etj.)

(Edhe pse, para popullit nuk pushohej së foluri për unitet të çeliktë në radhët e Partisë, intrigat, lufta për pushtet, larja e hesapeve dhe ndarja në klane, ishin tiparet kryesore të KQ të PPSH-së dhe Byrosë Politike. Nenë grushtin e hekurt të Enver Hoxhës, pjesa më e madhe e anëtarëve të tyre, përfunduan nenë breshëritë e plotoneve të ekzekutimeve, ne burgje e internime. Një “fat” të tillë patën fillimisht, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, Kristo Themelko, Nako Spiru, Koçi Xoxe, Liri Gega, Bedri Spahiu, Kadri Hoxha e më pas, Tuk Jakova, Liri Belishova, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu etj.

Përdorimi i fjalorit figurativ “religjioz” për PPSH-së, nuk është i rastësishëm. Në fakt, regjime të tilla, (ku utopia mplikset me diktatin e “shpëlarjen e trurit”), krijojnë atmosfera, gjendje dhe efekte të përafërta me ato të religjioneve, ose më saktë, mundohen t’i zëvendësojnë ato me “idhujt” e tyre.

Megjithëse, në regjimet totalitare në përgjithësi, s’ekziston asnjë parim ideologjik a dispozitë ligjore me anë të cilave funksionet partiake a shtetërore mund të trashëgohen, kjo s’do të thotë se fenomeni nuk ndodh. Përkundrazi, fëmijët e pushtetarëve, të rretheve të tyre familjare e më gjerë, mbasi arrijnë moshën madhore, janë të destinuar që ashtu si prindërit e tyre, të gëzojnë privilegje Shumë shpejt e me përparësi, emrat e tyre zënë vend në listat e Zyrave të Kuadrit, për emërimin dhe marrjen e posteve të privilegjuara. Ja dy-tre shembuj:

Djali i Enver Hoxhës, Iliri, bie fjala, fill pas mbarimit të studimeve, u emërua drejtor i Institutit të Studimeve Ushtarake, ndërsa dhëndëri i tij, Klementi, drejtor i Institutit të Projektimeve. Mbas vdekjes së Hysni Kapos, gruaja e tij, Vitoja, u emërua ministre e Industrisë së Lehtë e Ushqimore, ndërsa dhëndëri, një ish-futbollist, u caktua kryetar i Komitetit Shtetëror të Sporteve e Fizkulturës. Pas martesës me vajzën e njërit prej anëtarëve të Byrosë Politike, një gazetar i ri u emërua drejtor i Televizionit Shqiptar, ndërkohë që pjesa dërmuese e personelit të ambasadave jashtë vendit, kishin lidhje familjare, direkte apo indirekte, me emra të njohur të udhëheqjes.

Shembuj të tillë qenë me qindra e qindra. Këto ndodhnin, sepse, fenomenet e mësipërme s’ishin përjashtime, por rregulla. Djemtë e vajzat e drejtuesve të lartë s’bëheshin kurrë artizanë a punëtorë, por kuadro të preferuara në aparatin e Partisë, shtetit, institucioneve qendrore, trupit diplomatik etj. Kasta e lartë, e veçanërisht anëtarët e Byrosë, gëzonin privilegje të mëdha e bënin jetë pashallarësh. Ata udhëtonin me vetura luksoze “Benc-Mercedes” të blinduara, të cilat shoqëroheshin nga eskortat e Drejtorisë së Dytë, sektor special i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së udhëheqjes.

Gjithë lëvizjet e tyre jashtë kryeqytetit, shoqëroheshin me masa sigurie të jashtëzakonshme. (Ndërkohë që gjithë efektivat e Sigurimit të Shtetit në rrethe, merrnin urdhrin e gatishmërisë së lartë, për mbrojtjen e udhëheqjes nga akte të mundshme terrorizmi të organizuara nga agjenturat e huaja ose armiqtë e brendshëm). Ndërkohë që, në raste udhëtimesh në krahina të largëta, përveç të tjerash ata shoqëroheshin edhe me auto-ambulanca, mjekë specialistë, furgonë me ushqime, sekretarë, gazetarë, foto-reporterë etj.

Anëtarët e Byrosë e shokët e Udhëheqjes së Lartë, jetonin në zemër të kryeqytetit, në një ‘Bllok’ të posaçëm plot vila, të cilat ruheshin ditë e natë nga ushtarë të Gardës e civilë të Sigurimit. Shëndeti i tyre ish ndër preokupimet kryesore të Partisë. Shokët kryesorë, duhet të jetonin sa më gjatë, për të vazhduar punën e sakrificat vetëmohuese për të mirën e popullit e socializmit.

Për atë qëllim, pranë ‘Bllokut’ qe ngritur e funksiononte, Klinika e Udhëheqjes. Atje, ata u nënshtroheshin vizitave e analizave të rregullta mjekësore, nenë vëzhgimin e aparaturave moderne dhe mjekëve të specializuar jashtë vendit. Edhe në jetën e përditshme, ata gëzonin pa limit të mirat dhe bollëkun e shoqërisë socialiste. Çdo familje kish kuzhinjerin, kamerierin e shërbyesen e saj, të cilët vareshin nga ndërmarrja e Furnizimit të Udhëheqjes. Qe ajo, e cila siguronte për ta, jo vetëm shumë llojshmëri ushqimesh, perimesh e frutash cilësore, por edhe pajisje elektro-shtëpiake, kozmetikë, veshmbathje, sende e artikuj të përdorimit të gjerë etj, të cilat importoheshin me valutë nga vendet perëndimore.

(Aty ku pushteti është në duart e në grushti njerëzish apo një individi të vetëm, privilegjet lindin e lulëzojnë, nganjëherë edhe kundër vetë vullnetit të tyre. Nga ana tjetër, është më se normale që vetë pushteti, t’i tolerojë e t’i inkurajoje ato”).  (Primo Levi “Les naufragés et les rescapés”). Kasta e udhëheqjes (ku, përveç anëtarëve të Byrosë Politike, drejtuesve të Qeverisë e anëtarëve të KQ, bënin pjesë edhe sekretarët e parë dhe kryetarët e Komiteteve Ekzekutive në rrethe etj). quhej ndryshe edhe nomenklatura e lartë). Ndërkohe që, V.I.Lenini është quajtur “babai” i Revolucionit Bolshevik, J. Stalini është cilësuar “shpikësi” i nomenklaturës. Sipas fjalorit burokratik sovjetik termi “nomenklaturë”, kish dy kuptime: a) ai përmbante listën e posteve drejtuese të kuadrove të larta dhe b) listën e njerëzve të emëruar apo të rezervuar për ato poste. “Pashallarët e kuq” – kështu titullohej poema e shkruar nga Ismail Kadare në vitin 1973. Teksti i saj, u censurua dhe u kritikua ashpërsisht e, aktualisht, konsiderohet i humbur. Megjithatë, dihet se përmbajtja e saj, stigmatizonte jetën, ahengjet dhe orgjitë e disa prej drejtuesve të lartë partiakë e ushtarake të kohës, si B.Balluku, P.Dume etj.).

Byroja Politike bënte jetë të lumtur. Anëtarët e saj i kalonin pushimet në vila të ndërtuara anë e kënd vendit. Natyrisht, në zonat më piktoreske, si në Dajt, Durrës, Pogradec, Korçë, Sarandë, Dhërmi etj. Në Vlorë, gjithë zona rreth Ujit të Ftohtë qe plot vila, të cilat, në fjalorin zyrtar quheshin ndryshe edhe Shtëpitë e Partisë. Ato mbroheshin nga ushtarë e civilë të shumtë, të cilët vigjilonin jo vetëm përreth tyre por edhe në periferi, mbrapa gardheve, nëpër pemë, shkurre e gjer lart në malin e Shashicës. Edhe pse cilësoheshin si prona të Partisë, vilat kishin emërtime të tilla si, p.sh.: vila e shokut Enver, vila e shokut Mehmet, vila e shokut Hysni etj.

Mjediset e tyre të brendshme ishin luksoze. Pajisjet e ndryshme, duke nisur që nga çelësat elektrikë, abazhurët, dushet, WC-të, banjat e gjer tek aparatet elektronike, sistemet e ngrohjes e të ajrit të kondicionuar, pompat e filtrat e pishinave, qenë të importuara nga jashtë. Shatërvanët, kopshtet, lulishtet e sheshet përreth tyre ishin plot palma, shkurre dekorative e lule të rralla. Pranë vilave, për informimin e shokëve me ngjarjet që ndodhnin në botë, instaloheshin enkas përforcues të stacioneve të huaja televizive. (Ndërkohë që, ndjekja e tyre prej njerëzve të thjeshtë, qe jo vetëm rreptësisht e ndaluar, por edhe me pasoja të renda).

Natyrisht, brenda Shtëpive të Partisë, jeta qe krejt e ndryshme nga ajo e shtëpive të popullit, i cili jetonte në mizerje, varfëri të plotë e me ushqime të racionuara të cilat arrinte t’i siguronte duke mbajtur radhë të gjata e që përbenin minimumin jetik njerëzor. Në to kishte kuzhina të shumta, kuzhinierë, pastiçer e kamerierë të cilët gatuanin e serverin meny të pasura e të veçanta. Mbas buke, shërbeheshin ëmbëlsira, akullore speciale, ujë i gazuar e kafe plot aromë, shoqëruar me amareta e çokollata, të cilat njerëzit e thjeshtë arrinin t’i shihnin vetëm në reklamat e televizioneve të huaja.

Një nga veteranët e Byrosë Politike, Spiro Koleka, e kish vilën e tij në Dhërmi. E ndërtuar buzë detit e mbi shkëmbej, rrethuar nga palma e shatërvanë, ajo qe zonë e ndaluar për çdo pushues të Kampit të Punëtorëve, i cili ndodhej aty pranë. Përveç djemve e nuseve, nipërve e mbesave, antari i përjetshëm i forumit më të lartë të Partisë, merrte me vete edhe një suitë shoqëruesish. Ai qëndronte në parajsën e tij, gjatë gjithë muajve të verës. Ditët i kalonte në plazh, nenë rrezet e diellit mesdhetar apo nenë hijet e tendave me fier të thatë, ndërsa netët duke peshkuar në thellësi të ujërave të freskëta të Jonit…!

Ndonjëherë, shoku Spiro e prishte rregullin e pushimeve të tij absolute, e ngjitej në fshatin e tij të lindjes, Vuno. Një herë, rastisi të ndodhesha aty për realizimin e një kronike televizive. Shoku Spiro erdhi nga vila e Dhërmiut dhe zbriti nga “Benz-Mercedesi” i tij në qendër të fshatit. Mbasi u takua me kuadrot e Partisë e pushtetit në rreth, ai u drejtua nga një grup fshatarësh që loznin me letra, ulur rreth një guri mulliri. I përshëndeti e u zgjati dorën. Asnjë prej burrave nuk u ngrit në këmbë, por i’u përgjigjën ftohtë e pa i kushtuar vëmendje.

Arsyeja e atij qëndrimi ishte se, shokun Spiro nuk e honepste njeri, as në fshatin e tij të lindjes e jo më në bregdet.

Jo vetëm shumica e bashkëfshatarëve, por edhe bregasit në përgjithësi, e përçmonin fudullëkun, karakterin ambicioz dhe rolin e tij të zellshëm në zbatimin e luftës së klasave, e cila kish qenë me pasoja shkatërrimtare në atë krahinë. Por, kish edhe nga ata që nuk e honepsin thjesht për arsye personale apo sepse, gjatë gjithë karrierës së tij politike, nuk kish bërë asgjë, jo më për bregdetin por as për Vunoin, banorët e paktë të të cilit, arrinin të mbijetonin vetëm falë bujarisë së natyrës e punës së tyre sfilitëse.

Më kujtohet se, një herë tjetër, kam qenë dëshmitar në një takim spontan të tij me gratë e plakat e Vunoit. Ndër të tjera, ato iu ankuan atij se, dyqani i fshatit furnizohej shumë rrallë e, në të nuk gjeje as sapun për të larë rrobat. Anëtari i Byrosë, Spiro Koleka, i zemëruar nga pretendimet e grave, nuk e zgjati, po u përgjigj prerë: Po qe se s’kini sapun, nuk bënte kiameti! Bëni siç kanë bërë nenat tona! I lani rrobat me finjë!

 (Larje me finjë – një mënyrë larje teshash e përdorur në të kaluarën në bregdetin e Himarës, në mungesë të sapunit. Ajo konsistonte në shfrytëzimin e hirit të vatrës, i cili mblidhej nga amvisat në një trastë e pastaj vendosej në ujin e vluar të kazanit. Lëngu i dalë prej saj, qe një lloj sode kaustike me veti të dobëta larëse)./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë