Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali ishte dje pranë banorëve të prekur nga tërmetet në Korçë, lëkundje sizmike të nisura prej ditës së shtunë. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin ishte në fshatrat Floq dhe Qafëzez së bashku me kreun e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filon. Banorët u akomoduan në çadra të ngritura nga Emergjencat Civile, ndërsa Spiropali pa nga afër nëse banorët po marrin ndihmën e duhur jo vetëm me ushqime, por edhe atë shëndetësore për shkak të kushteve të vështira nga moti me shi.
Në mesin e banorëve, ka pasur një vajzë 17-vjeçare shtatzënë e cila është ndjerë keq dhe është transportuar në spitalin e Korçës, - u informua zëdhënësja e qeverisë nga stafi mjekësor atje. Ndërkohë 2 të moshuar po ashtu janë dërguar për trajtim në spital.
Video e publikuar nga kryeministri Edi Rama ku dha lajmin për dëmshpërblimin e të gjithë banorëve
Në mesin e banorëve që po qëndrojnë në çadra është edhe një grua me vajzën e saj të madhe dhe me një foshnje që e mban në djep. Spiropali ka shkuar pranë tyre të interesohet nëse është gjithçka mirë me shëndetin e tyre.
"Si je ti zemër? Janë fatkeqësi që nuk i shmangim dot, por e rëndësishme është të bëjmë gjithçka mundemi. Nëse keni nevojë shërbimi shëndetësor është në gatishmëri për gjithçka", u shpreh Spiropali.
Në total janë dhënë rreth 20 ndihma mjekësore.
Spiropali tha se janë rreth 184 shtëpi të evidentuara nga grupet e emergjencave civile, dhe të bashkive, që i kanë parë nga afër. Më tej do të bëhet vlerësimi i dëmit dhe do të nisë dëmshpërblimi dhë rindërtimi i shtëpive.
"Komisioni i verifikimit të dëmeve ka nisur punën, ku shumë shpejt do të kemi bilancin e situatës për të vijuar me dëmshpërblimin për të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore", theksoi zëdhënësja e qeverisë.
Pranë banorëve ditën e djeshme në çadrat e ngritura, ishte edhe Leonard Olli, kandidat i BIndjes Demokratike për bashkinë e Korçës. Ai ka qenë atje në të njëjtin moment që ishin edhe përfaqësuesit e qeverisë, dhe ka pasur një bisedë me Spiropalin.
"Problemi i parë është të konstatohet niveli i dëmit në raport me dënimin dhe pastaj pjesa e rikuperimit financiar", tha Olli.
"Grupet e bashkisë janë duke bërë edhe evidentimin edh vlerësimin e dëmit", u shpreh Spiropali.