Tërmetet në Korçë/ Zhvendosen disa banorë nga çadrat në shkolla e banesa sociale, Rama: Do rindërtohen shtëpitë (VIDEO)

Të gjithë të prekurit nga tërmetet e vazhdueshme prej tre ditësh në fshatrat Floq, Vidovë dhe Darëzezë të Korçës, do të dëmshpërblehen dhe banesat e tyre do të rindërtohen. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama teksa tha se pas inventarit që grupet e emergjencave kanë bërë për dëmet e shkaktuara, do të nisë menjëherë rindërtimi i banesave të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Mbi 200 banorë të tre fshatrave në Korçë, Floq, Qafë Zezë dhe Vidovë që u prekën nga tërmeti të shtunën kanë kaluar natën e dytë jashtë në çadrat e ngritura nga Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile.

Situata ishte e tensionuar mëngjesin e sotëm. Banorët i kanë kërkuar prefektit që të shpallet gjendja e emergjencës, pasi thonë janë në kushte të vështira dhe nuk kanë ushqime, ndërsa njëri nga banorët ka goditur gjatë debatit njërin nga punonjësit e Emergjencave Civile. Numri i banorëve të tre fshatrave që kanë kaluar natën në çadër edhe mbrëmë ka qenë mbi 200, ndërsa paniku vijon, pasi mbrëmjen e djeshme dhe në orët e para të ditës së sotme nuk kanë pushuar lëkundjet sizmike.

Edhe pse lëkundjet sizmike kanë qenë me magnitudë të vogël 2.1, 2.4 dhe i fundit 3.4 ballë në 07:49 minuta kanë ngjallur panik. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:08
Nis zhvendosja e banorëve nga çadrat në Floq në shkolla e banesa sociale

Pasi kaluan dy net në çadra, banorët e fshatit Floq kanë nisur të akomodohen në ambientet e përcaktuara nga Emergjencat Civile. Mësohet se 45 banorë i janë drejtuar shkollës së fshatit, ndërtesë që nuk pësoi dëme nga lëkundjet sizmike. Ndërkohë, 25 banorë të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë janë transferuar në dy qendrat sociale në qytetin e Korçës, 70 banorë do të vijojnë të kalojnë natën në çadër, ndërsa pjesa tjetër janë rikthyer në banesat e tyre, të cilat u dëmtuan më pak nga tërmetet.

Ora 17:48
Dëmet nga tërmetet në Korçë/ Rama: Të gjitha banesat do të rindërtohen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur më tërmetet e rëna në Korçë. Ai thotë se të gjitha banesat do të rindërtohen. Rama thotë se pas inventarit të dëmeve do të nisë dëmshpërblimi dhe rindërtimi i banesave

"Të gjitha banesat do të rindërtohen. Dje, në Floq dhe Qafëzezë të Korçës, me banorët e prekur nga tërmeti që goditi këtë rajon, si dhe drejtues të institucioneve qendrore dhe lokale. Pas inventarit të dëmeve, nis shumë shpejt dëmshpërblimi dhe rindërtimi për të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore!", shkruan Rama krah një video të publikuar ku shfaqen pamje nga banesat e dëmtuara nga tërmeti.

Ora 16:24
Situata në Korçë/ Braimllari: Qeveria të shpallë menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme

Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi qeverisë të shpallë urgjentisht gjendjen e jashtëzakonshme në Korçë, ku fshatra të këtij qarku janë prekur nga tërmeti. Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Endrit Braimllari tha se banorët kanë nevojë për mbështetjen e strukturave shtetërore dhe jo për show politik.

“Të shpallet urgjentisht gjendja e jashtëzakonshme në zonën e prekur nga tërmetet. Në shenjë solidariteti me banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore e tërmeteve në qarkun Korçës.  Rreshjet e shumta te shiut po përkeqësojnë situanten ndaj ju bëj thirrje organeve të qeverisë qendrore dhe lokale.

Ministrisë së Mbrojtjes, Prefektit, Bashkisë Korcë, Kolonjë dhe emergjencave civile të mos tallen me banorët. Të mos bëjnë politikë me fatkeqësinë e tyre po t’u shërbejnë dhe të gjenden pranë jo me çadra që fusin ujë dhe që nuk kanë mundësi ngrohje por ti ndihmojnë banorët, fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me probleme. Të shpallet urgjentisht gjendja e jashtëzakonshme për atë zonë dhe të mos bëjnë fasadë dhe show politik”, tha Braimllari.

Ora 14:35
Mblidhet shtabi i emergjencës në Korçë, Manastirliu: Shërbim 24 orë për banorët e prekur


“Shërbimi shëndetësor po ofrohet 24/7 për banorët e zonave të prekura nga tërmeti”.  Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu në mbledhjen që u zhvillua në Prefekturën e Korçës, nën drejtimin e prefektit Dhori Spirollari, ku marrin pjesë Kryetari i Bashkisë, deputetë të qarkut të Korçës, përfaqësues të shtabit të emergjencës, drejtues të strukturave vendore të shëndetësisë të angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

“Shëndetësia është e organizuar për të ofruar shërbime 24/7 në Plloq ku përveç çadrës me shërbim shëndetësor, kemi hapur një pikë të posaçme në ambientet e shkollës, ku aktualisht po ofrohet shërbimi shëndetësor. Gjithashtu kemi vendosur 2 autoambulanca në dispozicion, për çdo emergjencë që mund të ketë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë marrë të gjitha masat në spital, me mjekët në gatishmëri 24/7 për çdo emergjencë të mundshme. “Janë 37 konsultat e kryera dhe shërbimet e ofruara nga ekipi i shëndetësisë. Kemi vendosur mjekë dhe infermierë me turne. Mjekët e spitalit të Korçës janë vendosur në gatishmëri 24 orë. Edhe në Qafëzez shërbimi shëndetësor është i ofruar nga mjekët e spitalit të Kolonjës me 1 mjekë dhe 2 infermierë”, u shpreh Ministrja.

Gjatë takimit të zhvilluar në Prefekturë u diskutua edhe për shërbimin psikosocial për banorët që kanë nevojë.  “Jemi duke vlerësuar të gjitha familjet për të vlerësuar të gjitha mundësitë që nënat bashkë me fëmijët të mund të akomodohen në mjedise që do t’i garantojmë nëpërmjet bashkisë apo qendra sociale. Kurse të moshuarit me probleme shëndetësore do të marrin shërbimin në spitale në rastet kur ata kanë nevojë” – tha ministrja.

Ora 14:22
Tërmeti, Salianji takon banorët dhe i vendos ultimatum qeverisë: Do ngremë çadrat

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ishte në Floq ku u njoh me problemet e banorëve pas tërmetit dhe gjendjen aktuale në çadrat ku janë sistemuar. Ai i vendosi ultimatum qeverisë se nëse nuk zgjidhet për 24 orë problemi i banorëve me strehimin do të ngrenë çadrat para Prefekturës.

'Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe të gjenden kushtet dinjitoze në banesa dhe hotele në Korcë për banorët, që të mos jetojnë në këto kushte. Jeni dakord me këto apo jo? (Banorët përgjigjen Po).  Kur të vijnë këto iu thoni, se po e ulët qafën pranuan skllavërinë këtë duan këta.

Faktqësi natyrore, por fatkeqësi më e madhe është qeveria, këta nuk kërkojnë lëmoshë, pasi paguajnë taksa. Keni bërë mirë që e keni përzënë Spiropalin dhe Peleshin, nuk ka nevojë për show. Ne po iu mbështesim. Kjo është tallje, të ngresh këtu kasollet e bagëtive. Bashkë ata janë te lokali ngjitur te 'Sofra' duke ngrënë, pirë dhe kënduar, pasi gjejnë një mundësi për të vjedhur. Kërkoni që t'u ndërtoni banesat. Mos vijnë për shoë, sikur lotojnë apo iu bie rimeli..." tha Salianji.

 

Ora 14:12
Tërmeti/ Mbrojtja: 100 lëkundje në Korçë, janë sistemuar në çadra 210 banorë, ushqime dhe ndihma


Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka do të takojë zhvillojë nesër një mbledhje Shtabin e Emergjencave në Korcë dhe do të vizitojë familjet në fshatrat e prekur nga tërmeti. Ndërkohë, lidhur me situatën, Ministria e Mbrojtjes përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile informon se: 

Deri më tani Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar rreth 100 lëkundje sizmike në qarkun e Korçës.  Lëkundja më e fortë ka qenë më datën 02.06.2019, ora 15:34:53 me magnitudë M=4 Rihter, dhe me epiqendër 18 km në jug të qytetit Korçë.  Nga informacionet e marra është raportuar se lëkundjet e tërmetit janë ndier në zonat përreth epiqendrave, por pa patur dëme materiale dhe njerëzore. Situata vazhdon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm. Situata e përgjithshme mbi gjendjen e banorëve dhe situatës në 3 fshatrat e prekur nga tërmeti me magnitudë M=5.3 Rihter, datë 01.06.2019, është si më poshtë:

Nga verifikimi i bërë në 3 fshatra rezultojnë 184 banesa të dëmtuara, prej të cilave 95 të dëmtuara rëndë, pjesa më e madhe e tyre banesa të pabanueshme prej vitesh. Në fshatin Floq janë sistemuar 160 banorë në 13 çadra me kapacitet deri në 20 vende. Në fshatin Vidohovë janë ngritur 4 çadra, sipas nevojave të banorëve. Janë sistemuar 40 persona dhe nga këta 20 persona në kishën e fshatit dhe 20 në të afërmit e tyre. Në fshatin Qafëzez janë sistemuar 30 persona në 5 çadra të ngritura nga 10 që janë dërguar. Në këto dy fshatra, disa prej banorëve kanë kërkuar që të strehohen pranë të afërmve të tyre.

Janë dërguar 240 pako ushqimore, 100 thasë me miell, 100 detergjente. Nga këto 100 pako janë dërguar nga organizata joqeveritare, 100 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit për të tre fshatrat dhe 40 pako nga Kryqi i Kuq për tre fshatra. Për furnizimin me ujë të pijshëm në fshatin Floq është vënë në dispozicion 1 bot i Detashmentit të Mbështetjes Rajonale, si dhe bidonë me ujë të pijshëm nga kompanite. Po ashtu nga kompanite është siguruar ushqim ditor për 160 banorë të fshatit Floq.

Shërbimi shëndetësor ka qenë dhe është prezent pranë familjeve të evakuuar dhe ka kryer ndërhyrje për çdo rast problematik kur është paraqitur. Në fshatin Floq është ngritur 1 qendër shëndetësore. Janë angazhuar në total 15 mjete nga të cilat Prefektura 2, Detashmenti i Mbështetjes Rajonale 3, Policia 2, Spitali Korçë 1, Bashkitë 6, Kryqi i Kuq 1, si dhe grupi vullnetar i Bashkisë Tiranë 1.  Nga strukturat e FA të Ministrisë së Mbrojtjes në këto 2 ditë janë angazhuar gjithsej në ndihmë të banorëve të zonës 47 forca, 4 mjete dhe 2 zjarrfikëse, thotë ministria.

Ora 12:33
Tërmeti/ Banorët në Korçë: Jemi pa bukë, kemi ftohtë! E moshuara: Nuk rrohet kështu


Situata në tre fshatrat e Korçës që u goditën nga tërmeti vijon që të mos jetë aspak e mirë. Një pjesë e banorëve që janë vendosur në çadra, thonë se reshjet e shiut kanë krijuar akoma më shumë probleme, ndërsa nuk kanë ushqime.

Ata kërkojnë që të shpallet gjendja e emergjencës dhe të vendosen në institucione, pasi në çadër nuk e përballojnë dot më. Report Tv sjell pamjet nga çadrat ku ndodhen të moshuar dhe fëmijë, ndërsa një grua u transportua për në spital pas problemeve shëndetësore.

"Po na lënë pas dore, këtu nuk ka ardhur mëngjesi akoma, ndërsa një pjesë thonë se po hanë edhe qentë, ndërsa këtu akoma jemi pa mëngjes. Nuk na kanë thënë jo për zhvendosje, por as se cfarë do të bëhet me shtëpitë tona" tha njëri nga banorët.

Ndërsa një grua u shpreh se "Bukën e kemi blerë vetë, askush nuk ka sjellë asgjë, ora 12:00. Gjatë natës kemi pasur të ftohtë, sidomos fëmijët, nuk kemi as rroba për t'i ndërruar. Fëmijët kanë pasur probleme si pasojë e të ftohtit". "Ftohtë ka qenë, kuverta nuk kemi pasur aq, ushqimet...sot nuk kemi. Nga mëngjesi deri tani nuk kemi konsumuar asgjë" tha një tjetër.

Nën reshjet e shiut, një tjetër banor kishte një apel për shtetin "Ne kërkojmë të shpallet gjendja e emergjencës. Për shëndetësinë nuk kemi se cfarë të themi. Në çadër në çadër por të kemi ushqim".

Ndërsa në një e moshuar 77-vjeçe tha se "Janë frikësuar fëmijët. Duam një jetë sikur duhet, se kështu nuk rrohet. Jam 77 -vjeçe dhe rri këtu në çadër. Lëkundje ka pasur edhe dje edhe sot, gjatë natës" tha ajo.

Ora 10:22
Kërkojnë të shpallet emergjenca, banorët e Korçës konflikt me prefektin, godasin punonjësin (VIDEO)

Tensionet situata në fshatin Floq të Korçës, që është goditur nga tërmeti. Banorët mëngjesin e sotëm janë konfliktuar verbalisht me prefektin Dhori Spirollari, ndërsa kanë goditur njërin nga punonjësit e Emergjencave Civile. Report Tv sjell pamjet e momentit kur njëri nga banorët e zonës godet punonjësin e Emergjencave.

Banorët i kanë kërkuar prefektit që të shpallë gjendjen e emergjencës në mënyrë që të strehohen në ambiente të tjera, pasi shprehen se janë në kushte shumë të vështira. Kushtet janë bërë akoma më të vështira nga reshjet e shiut që vijojnë që të bien.

"Këta sa vjen njëri, ikën tjetri dhe kot, por Zoti...Kemi ftohtë dhe nuk mund të qëndrojmë më në çadra. Ushqimi nuk ka ardhur. Ka mungesë të ushqimeve dhe krevatëve" shprehen disa nga banorët. Por, pas ndërhyrjes së banorëve dhe punonjësve të tjerë të Emergjencave situata është qetësuar për momentin, por banorët janë të revoltuar me situatën.

Ora 08:23
Tërmetet në Korçë/ Çako: Janë dëmtuar 184 banesa, do merren masat për përllogaritjen e dëmeve

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një lidhje telefonike për Report Tv ka bërë me dije se situata në Korçë është disi më e stabilizuar megjithatë lëkundjet sizmike kanë vijuar.

Çako ka bërë me dije se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për të gjithë banorët në nevojë dhe kanë kapacitete e mjaftueshme për të përballuar edhe strehimin e më shumë familjeve.

Me pas kreu i Emergjencave Civile ka thënë se nga lëkundjet janë dëmtuar 184 banesa ku 95 prej tyre janë dëmtuar tërësisht, ndërsa qeveria po punon për përllogaritjen e dëmeve dhe më pas dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi.

"Është e vërtetë që nuk po mbarojnë lëvizjet sizmike, para pak minutash ka patur termet tjetër 2 ball. Janë marrë masat për strehimin e banorëve. Tërmeti më i lartë është shënuar i shkallës 5.3 ball. Në fshatin Flloq janë mbi 160 persona të strehuar, në Vidov 40 perosna dhe në Qafzezë janë strehuar 30 persona si dhe janë marrë të gjitha masat për banorët , në gatishmëri janë dhe Forcat e Armatosura, Kryqi i Kuq e Emergjencat Civile."

184 banesa janë të dëmtuara, 95 prej tyre janë të dëmtuara plotësisht që do duhet të marrin vlerësimin nga instancat përkatëse. Deri në momentin e stabilizimit sizmik, qeveria është duke bërë një vlerësim për akomodimin e një fondi për të gjitha masat e trajtimit financiar ose rindërtimin e banesave të tyre.

Sigurisht që jemi në dispozicion, të gjitha institucione. Apeli është të solidarizohemi të gjithë. Nuk mund të parashikohet, por banorët janë solidar me njëri tjetrin. Duhet të ftoja të gjithë biznesmenët që kanë mundësi le ta përqëndrojnë vëmendjen tek këta banorë" ë
shtë shprehur Haki Çako.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lulushi: 03/06/2019 19:22

    O Brahimkari dhe ti per shou politik ke dalur ne konference,o Brahimkari thuaji Mones dhe Ilir floririt ta hap thesin e floririt dhe ti ndihmoje, dhe rastin e festes se Fider. BAJRAMIT se edhe zoti mund ta ndimoje dhe tja fali mekatet e medha qe kane bo keto hajduter.

    Përgjigju
  • Kafsha: 03/06/2019 09:10

    Pushteti i Flamur Nokës qe per 30 vjet ishte sulltan, i iku nga duart. Tani ti merret dhe pasuria që ka bërë per keta 30 vjet bashkë me gjith bëzhdilat e tjera dhe tu vihet në dispozicion të demtuarve nga termeti per tu rindertuar shtepitë. Muli mendonte se do rrinte ne pushtet ne jete te jeteve!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU