Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mbajti sot një fjalë në Samitin “Evropë Juglindore-Ukrainë” në Odesa. Përpara fillimit të Samitit, pjesëmarrësit vendosën buqeta me lule në Memorialin e të rënëve në luftën e Ukrainës.
Në fjalën e saj në Samit, Spiropali theksoi se Shqipëria qëndron përkrah Ukrainës, ndërsa agresionin e Rusisë e cilësoi si goditje ndaj rendit ndërkombëtar
“Odesa është një qytet simbol i guximit dhe qëndresës. Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore është një pikë bashkimi një rikonfirmim kolektiv i vlerave tona të përbashkëta: paqes, sovranitetit dhe stabilitetit rajonal. Ndodhemi këtu për të shprehur solidaritetin tonë të palëkundur me Ukrainën në luftën e saj të drejtë dhe heroike për të mbrojtur pavarësinë, demokracinë dhe popullin e saj.
Si përfaqësuese e një kombi të vogël, por qëndrestar, një kombi që e di mirë çmimin e lirisë dhe vlerën e paqes, jam sot këtu për të rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën. Ne jemi përkrah jush sepse besojmë thellësisht në parimet që na bashkojnë parime që tashmë sulmohen nga agresioni i paprovokuar dhe brutal i Rusisë. Agresioni i Rusisë është më shumë se një shkelje e integritetit territorial të Ukrainës. Ai është një goditje ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare’, tha ajo.
Spiropali tha se qëndresa e Ukrainës përballë mizorive të Rusisë frymëzon botën.
‘Pavarësisht vuajtjeve të mëdha dhe shkatërrimit të pamasë, populli i Ukrainës ka qëndruar me një guxim të pashoq. Qëndresa e tyre përballë mizorive ka frymëzuar botën. Qytetet mund të jenë kthyer në gërmadha, jetët janë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme dhe miliona njerëz janë detyruar të largohen por shpirti ukrainas nuk është thyer. Përkundrazi, ai shndrit më shumë se kurrë, duke ndriçuar rrugën për të gjithë ata që besojnë tek liria.
Ne nuk mund ta bëjmë një sy qorr përpara këtyre krimeve. Rusia duhet të japë llogari për çdo predhë, për çdo krim lufte, për çdo jetë të humbur. Heshtja është bashkëfajësi, dhe bota nuk mund t’ia lejojë vetes të rrijë e heshtur. Lufta e Ukrainës sot është një provë e ndërgjegjes tonë kolektive. Është një provë për të parë nëse jemi të gatshëm të qëndrojmë në mbrojtje të vlerave që pretendojmë se i çmojmë. Dhe është një provë ku nuk mund t’ia lejojmë vetes të dështojmë jo vetëm për Ukrainën, por për të ardhmen e paqes në Evropë dhe për brezat që do të vijnë’, tha ajo.
Ky është Samiti i Katërt “Evropë Juglindore-Ukrainë” dhe në të morën pjesë: Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Presidentja e Moldavisë Maia Sandu, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović , Presidenti i Rumanisë Nicuș or Dan, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, Kryeministri i Bullgarisë Rossen Jeliazkov, Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković , Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti,Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon.
Komente


Po qe nuk kishtin ftuar Kosoven pse nuk e permendi kjo?
Përgjigju