Mbledhja e fundit mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës u zhvillua në 20 qershor të vitit 2022, në Prishtinë, ku të dy qeveritë nënshkruan 19 marrëveshje.
Një tjetër mbledhje ishte në program edhe në vitin 2023, e cila u anullua me kërkesë të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e Kosovës dhe krizës mes Prishtinës zyrtare dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Gjatë vizitës së kësaj të mërkure në Prishtinë, me një axhendë të ngjeshur pjesë e të cilës ishte edhe takimi me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Spiropali njoftoi përmes pamjeve të takimit se mbledhja e përbashkët e qeverive Rama-Kurti, me projekte konkrete, me afate dhe me përgjegjësi të qarta, është hapi i radhës i bashkëpunimit. Ende pa një datë konkrete, takimi pritet të zhvillohet brenda vitit 2026.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e nisi vizitën e saj në Kosovë me një ndalesë në memorialin e familjes jashari në prekaz, e shoqëruar nga Homologu i saj Glauk Konjufca. Së bashku kryen homazhe për komandantin legjendar adem jashari si dhe u takuan vëllain e tij, Bacën Rifat.
Në konferencën me homologun e saj Glauk Konjufca, u ndal edhe tek procesi ndaj ish krerëve të uçk në hagë, ku tha se gjykimi final nga trupi gjykues duhet ti përgjigjet drejtësisë dhe jo kërkesës së prokurorëve.
Ministrja Spiropali u prit në takime edhe nga Kryetarja e re e Parlamentit të Kosovës, Albulena Haxhiu dhe më pas edhe nga Presidentja Vjosa Osmani. Pjesë e axhendës së saj ishin edhe takimet me krerët e partive kryesore parlamentare të opozitës, LDK, PDK dhe AAK.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas takimit me ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropalin, e cila vizitoi sot Prishtinën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka ndarë detaje nga takimi, teksa ka shkruar se hekurudha Gjakovë–Shkodër në kuadër të projektit Prishtinë-Durrës do të jetë prioritet i këtij mandati. Kurti shtoi se synonte që puna për ndërtimin e kësaj hekurudhe të niste sa më parë.
Kurti shkroi se gjatë takimit me Spiropalin u diskutua për rëndësinë e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare dhe për nevojën për koordinim në politikën e jashtme.
Një prej temave kyçe të diskutimeve sipas Kurtit, ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy qeverive për Diasporën shqiptare, veçanërisht në promovimin e gjuhës shqipe.
Postimi i Kurtit:
Kënaqësi të prisnim në Zyrën e Kryeministrisë ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali.
Hekurudha Gjakovë–Shkodër në kuadër të projektit Prishtinë-Durrës do të jetë prioritet i këtij mandati, me synimin që puna për ndërtimin e saj të nisë sa më parë. Ky investim strategjik në infrastrukturën hekurudhore do të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve, do të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve dhe do të kontribuojë në zhvillimin rajonal, duke afruar edhe më tej qytetarët tanë.
Po ashtu, në takim theksuam rëndësinë e vazhdimit të mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare gjatë vitit 2026, si dhe nevojën për koordinim më të madh në politikën e jashtme dhe në forume ndërkombëtare. Bashkëpunimi i ngushtë për diasporën shqiptare, veçanërisht në promovimin e gjuhës dhe kulturës te gjeneratat e reja, mbetet prioritet i përbashkët dhe një faktor kyç për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve.

Ramush Haradinaj dhe Elisa Spiropali
Vizita e ministres për Evropë dhe Punë të Jashtme, Elisa Spiropali, në Kosovë u shoqërua edhe me një takim me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Ishte vetë Haradinaj ai që bëri publik lajmin dhe pamjet nga takimi në rrjetet sociale.
“Kënaqësi ta mirëpresim Ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali. Në takim vlerësova angazhimin e Qeverisë shqiptare në çështjet me rëndësi për Kosovën. Diskutuam për zhvillimet që po kalojnë Kosova, Shqipëria dhe rajoni, si dhe për proceset që na presin përpara, veçanërisht ato që lidhen me sigurinë dhe proceset integruese, me synimin tonë strategjik, anëtarësimin në NATO”, shkroi Haradinaj.
Ai theksoi se forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet prioritet.
“Forcimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet prioritet i përhershëm i yni. Integrimi ndër shqiptar është domosdoshmëri kombëtare dhe garanci për të ardhmen tonë të sigurt. I shpreha falënderimin për kujdesin dhe përkushtimin e Qeverisë shqiptare, të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, ndaj çlirimtarëve që po përballen me drejtësinë në Hagë”, shtoi ai.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së sotme në Prishtinë, është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe fotografi nga takimi, Spiropali ka shkruar se diskutimet u përqëndruan në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Po ashtu Spiropali ka shkruar se gjatë bisedimeve të dy palët vlerësuan miratimin nga të dy Kuvendet të Rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Postimi i Ministres Spiropali:
Prishtinë-Me Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për forcimin e bashkëpunimit parlamentar në shërbim të objektivave tona të përbashkëta strategjike.
Mbledhjet e përbashkëta të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht kalendar institucional.
Ato janë shprehja më e lartë e vullnetit tonë për të vepruar së bashku – me ligj, me përgjegjësi dhe me vizion.
Folëm për thellimin e këtij bashkëpunimi, por edhe për detyrimet që burojnë nga historia jonë e përbashkët.
Vlerësuam miratimin nga të dy Kuvendet e Rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Drejtësia duhet të jetë e drejtë.
Lufta për liri e popullit të Kosovës nuk mund të relativizohet.
Dinjiteti i atyre që e përfaqësuan atë luftë është pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Ky është një detyrim që e mbajmë bashkë.

Elisa Spiropali dhe Albin Kurti
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali u takua në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Spiropali dhe Kurti diskutuan për projekte transformuese si hekurudha kuq e zi, korridoret energjetike dhe thellimi i bashkëpunimit në disa fusha.
Sipas Spiropalit, mbledhja e përbashkët e qeverive Rama-Kurti, me projekte konkrete, me afate dhe me përgjegjësi të qarta, është hapi i radhës i bashkëpunimit.
“Kënaqësi e veçantë takimi i hapur dhe përmbajtësor me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti. E përgëzova për rezultatin zgjedhor dhe për konstituimin e institucioneve të reja. Në një kohë kur rajoni dhe Europa përballen me pasiguri, fakti që Kosova formoi në kohë Kuvendin dhe Qeverinë është shenjë stabiliteti dhe maturie institucionale. Stabiliteti nuk është luks. Është kusht për vendimmarrje të qartë – në proceset e brendshme, në dialog dhe në rrugën e integrimit. Në planin dypalësh, folëm për projekte që nuk janë simbolike, por transformuese: hekurudha kuq e zi, korridoret energjetike, thellimi i bashkëpunimit në arsim, kulturë, siguri, diplomaci dhe në çdo fushë me interes të përbashkët. Mbledhja e përbashkët e qeverive Rama-Kurti, me projekte konkrete, me afate dhe me përgjegjësi të qarta, është hapi i radhës i bashkëpunimit. Shqipëria do të qëndrojë përkrah Kosovës jo vetëm me solidaritet, por me angazhim të përditshëm dhe vizion afatgjatë. Sepse zëri ynë është më i fortë kur është i përbashkët”, tha Spiropali.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, e Shqipërisë Elisa Spiropali, u prit këtë të mërkurë nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pas takimit me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca, me të cilën patën dhe një deklaratë për media.
Më tej, Ministrja do të pritet në takime të veçanta nga Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, si dhe nga Kryeministri Albin Kurti.
Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.
Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.
Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjitike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.
Sipas ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, ka ardhur koha që takimi i përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, të mbahet brenda vitit 2026.
“Biseduam edhe për takimin e përbashkët mes dy qeverive. Besojmë fort se ka ardhur koha, që brenda 2026 të kemi një takim të përbashkët të dy qeverive, në Shqipëri ose në Kosovë. Të diskutohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri tani, fushat me interes të përbashkët, të gjitha prioritetet tona, mes dy qeverive, janë duke u implementuar”, deklaroi Spiropali.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Diasporën e Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se sa më i fortë koordinimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, aq më e sigurt do jetë rruga e dy shteteve për në Bashkimin Europian.
“Takimet me homologët nga Shqipëria nuk janë si takimet tipike bilaterale, sepse ne, ndonëse kemi ministri të jashtme, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën. E ardhmja jonë, si e kaluara jonë, do jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë të jetë koordinimi ynë, aq më i sigurt do jetë rruga jonë drejt BE. Përgëzoj Shqipërinë, për hapat gjigandë sa i takon integrimeve europiane. Ne duam të japim të njëjtin shembull si Republika e Shqipërisë", theksoi ai.
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali thotë se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, përfaqësojnë lirinë e popullit të Kosovës.
Në konferencën e përbashkët me Glauk Konjufcën, Spiropali theksoi se drejtësia duhet të jetë e plotë dhe të mos injorohet fakti që në Kosove ka pasur spastrim etnik.
“Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e UÇK, ata përfaqësojnë lirinë. E vërteta historike nuk është në gjyq. Ne nuk ndërhyjmë në proces, por kemi detyrimin moral dhe historilk të them i se drejtësia duhet të jetë e plotë dhe jo e pjesshme. Nuk mund të injorojë faktin se në Kosovë ka pasur spastrim etnik. Kosova si shtet nuk është në gjyq, dhe nuk duhet të jetë në gjyq. Kërkojmë drejtësi. Siguria e Kosovës është prioritet mbi prioritetet për Shqipërinë", deklaroi Spiropali.
Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali thotë se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë.
Në konferencën e përbashkët me Glauk Konjufcën, Spiropali u shpreh se Kosova meriton statusin e vendit kandidat në BE.
“Për ne, Kosova nuk është zgjedhje protokolli, por zgjedhje historie, deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar. Viti 1999 ishte momenti kur bota pa padrejtësitë, por edhe dinjitetin e një populli që kërkonte të jetonte i lirë. Viti 2008, ishte momenti kur Kosova e ktheu aspiratë në shtetësi dhe fitoi vendin e saj në hartën e botës. Të dy qeveritë tona, janë zgjedhur politikbërje bazuar te realiteti. Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë. Shqiëria do intensifikojë angazhimin diplomatik për intensifikimin e njohjeve. Integrimi europian i Kosovës, është teksti koherent i BE. Kosova ka dëshmuar qasje euroatlantike. Heqja e masave shtrënguese, ishte një domosdoshmëri. Kosova meriton statudin e vendit kandidat", theksoi ajo.
Elisa Spiropali dhe Glauk Konjufca kryejnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Kosovë.
Spiropali, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca, kryen homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, aty ku sakrifica e një familjeje u kthye në themel të një shteti.
Të dy ministrat u pritën më pas në Kullën e Jasharajve, prej Bacë Rifat Jasharit. Sipas ministres, kjo kullë është dëshmi se liria ka pasur çmim dhe ai çmim është paguar me jetë.
"Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon që të jemi të denjë", tha Spiropali.
Komente












