TIRANË - Duke filluar nga 3 dhjetori 2014 për bizneset që kanë qenë të rregullt me deklarimet dhe me doganën, do të ketë procedura të thjeshtuara, që ulin kostot ekonomike dhe reduktojnë në maksimum burokracinë dhe korrupsionin. Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali, gjatë prezantimit të masave të reja, tha se kjo nismë e re do të sjellë efekte pozitive në ekonominë dhe ndihmon bizneset. 

Dogana Shqiptare ka zhvilluar një aktivitet duke “Prezantuar Strategjinë e Implementimit të Proçedurave të Thjeshtuara”. Për të prezantuar këtë projekt të ri që merr jetë në dhjetor 2014, foli drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali dhe zëvendësministri i Financave Ervin Mete. Zonja Spiropali tha se këto procedura ulin burokracinë dhe korrupsionin, pasi kjo reflektohet si një marrëdhënie e re besimi me biznesin dhe ulje të kostos së kohës në gjithë procedurën e shkëmbimeve tregtare nga operatorët ekonomikë. 

Përfaqësuesit e biznesit shqiptar e mirëpritën këtë nismë duke theksuar se shkurtohen burokracitë dhe ulen vonesat kohore. Luan Bregasi, presidenti i Business Albania tha se me këtë nismë shkon dogana te biznesi dhe jo biznesi te dogana.

Ndërsa zv/ministri i Financave Ervin Mete tha se procedurat e thjeshtuara do të përdoren edhe në sistemin tatimor. Sipas tij, sa më i besueshëm të jetë subjekti, aq më të thjeshtuara do të jenë procedurat që do të aplikohen për të. Zv/ministri po ashtu informoi se edhe rimbursimi i TVSH-së do të bëhet në bazë të analizës së riskut. Mete u shpreh se thjeshtimi i procedurave do të ndihmojë biznesin e ndershëm dhe do të ulë informalitetin.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)