Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka rrëfyer nëpërmjet imazheve copëza nga vizita e saj zyrtare në Ukrainë, ku përshkruan nga afër realitetin e luftës në Kiev, në mes të dimrit dhe nën sulme të vazhdueshme nga ana e Moskës.
Në postimin e publikuar në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se në kryeqytetin ukrainas pa “lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve”, fytyra luftëtarësh me “plagë të dukshme e të padukshme”, si dhe një popull që vazhdon të rezistojë.
"Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I. Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë" shkroi Spiropali në Facebook.
Komente





