Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së sotme në Prishtinë, është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe fotografi nga takimi, Spiropali ka shkruar se diskutimet u përqëndruan në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Po ashtu Spiropali ka shkruar se gjatë bisedimeve të dy palët vlerësuan miratimin nga të dy Kuvendet të Rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Postimi i Ministres Spiropali:
Prishtinë-Me Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për forcimin e bashkëpunimit parlamentar në shërbim të objektivave tona të përbashkëta strategjike.
Mbledhjet e përbashkëta të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht kalendar institucional.
Ato janë shprehja më e lartë e vullnetit tonë për të vepruar së bashku – me ligj, me përgjegjësi dhe me vizion.
Folëm për thellimin e këtij bashkëpunimi, por edhe për detyrimet që burojnë nga historia jonë e përbashkët.
Vlerësuam miratimin nga të dy Kuvendet e Rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Drejtësia duhet të jetë e drejtë.
Lufta për liri e popullit të Kosovës nuk mund të relativizohet.
Dinjiteti i atyre që e përfaqësuan atë luftë është pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare.
Ky është një detyrim që e mbajmë bashkë.
Lajmi kryesor:
Spiropali në Kosovë, takon Konjufcën, Osmanin, Kurtin dhe Haxhiun: Vendi meriton statusin kandidat në BE, të kemi mbledhjen e dy qeverive brenda vitit 2026











