Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali i dërgoi një mesazh urimi homologut të saj qipriot, Costantinos Kombos, për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian nga Qipro, prej 1 Janarit të vitit të ri 2026.

Në mesazh, Spiropali shkruan se "i urojmë Presidencës së Qipros çdo sukses në këto kohë vendimtare, për avancimin e një axhende europiane proaktive, duke përfshirë një proces zgjerimi gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe të suksesshëm që forcon Europën".

Ministrja e Jashtme thekson se Shqipëria është e gatshme të vazhdojë të bëjë pjesën e saj dhe të investojë në të nesërmen e saj, si pjesë e së ardhmes sonë të përbashkët europiane.

Postimi i Ministres Elisa Spiropali:

Në këtë ditë të parë të Vitit të Ri që sjell mundësi të reja, përgëzoj Qipron dhe kolegun tim, Costantinos Kombos, për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian.

I urojmë Presidencës së Qipros çdo sukses në këto kohë vendimtare, për avancimin e një axhende europiane proaktive, duke përfshirë një proces zgjerimi gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe të suksesshëm që forcon Europën, vlerat e saj dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i uron suksese dhe arritje Presidencës Qipriote të Bashkimit Evropian për gjysmën e parë të vitit 2026, në një periudhë tejet të rëndësishme për Evropën dhe mbarë botën.

Në një postim në rrjetin social X, Kreu i Shtetit shpreh bindjen se Presidenca Qipriote do të jetë e përqendruar në avancimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar këtë proces si prioritet strategjik.

Presidenti i Republikës uron që gjatë kësaj periudhe të nisë mbyllja e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një hap i rëndësishëm drejt realizimit të aspiratës evropiane të vendit.

Postimi i plotë i presidentit Begaj:

“Shqipëria i uron suksese dhe arritje Presidencës Qipriote të Bashkimit Evropian për gjysmën e parë të vitit 2026, në këto momente tejet të rëndësishme për Evropën dhe mbarë botën.

Jemi të bindur se Presidenca Qipriote do të jetë e fokusuar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shpresojmë që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”.