Spitalet e stërmbushura në Gazë buzë kolapsit

Spitalet e stërmbushura në Gazë buzë kolapsit

Palestinezët në Gazën e rrethuar janë grumbulluar të hënën në spitale dhe shkolla, duke kërkuar strehim, teksa furnizimet me ujë dhe ushqim janë pakësuar. Mbi një milion persona janë larguar nga shtëpitë e tyre para një pushtimi të pritur tokësor nga izraelitët, pasi militantët e Hamasit kryen një sulm të koordinuar tokësor, ajror dhe detar, në jug të Izraelit.

Shumica e infrastrukturës ushtarake të Hamasit është e fshehur në zonat urbane, ku luftimet në rrugë me gjasë do të shkaktonin shumë viktima në të dyja palët. Izraeli nuk ka dhënë ndonjë afat se kur mund të nisë një inkursion tokësor.

Furnizimet me ujë, ushqim dhe ilaçe janë duke u pakësuar. Spitalet kanë thënë se janë në prag të kolapsit dhe nuk janë në gjendje të plotësojnë kërkesën e Izraelit që të evakuojnë pacientët. Mbi një javë pas sulmeve shkatërruese të Izraelit dhe shkatërrimin e lagjeve të tëra, Izraeli nuk ka arritur të ndalë sulmet me raketa nga militantët.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 2.670 palestinezë janë vrarë dhe 9.600 janë plagosur që kur kanë nisur luftimet. Kjo shifër e viktimave është shumë e lartë sesa lufta në Gazë më 2014, që zgjati mbi gjashtë javë.

Kjo është lufta më vdekjeprurëse që Izraeli dhe Hamasi kanë zhvilluar.

Mbi 1.400 izraelitë janë vrarë – shumica civilë – dhe shumica e viktimave u shkaktuan nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit. Të paktën 155 të tjerë, përfshirë fëmijë, janë kapur nga Hamasi dhe janë dërguar në Gazë, sipas Izraelit.

Izraeli ka urdhëruar mbi 1 milion palestinezë – pothuajse gjysma e popullsisë së territorit – të evakuohen në jug të Gazës. Ushtria ka thënë se po tenton të largojë civilët para një fushate të madhe kundër Hamasit në veri, ku ka thënë se militantët kanë rrjete të gjera tunelesh dhe kanë raketahedhës.

Hamasi u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Për të tretën ditë me radhë, ushtria izraelite ka njoftuar për një korridor të sigurt që mund të përdorin banorët që të evakuohen nga veriu në jug nga ora 08:00 deri në mesditë. Izraeli ka thënë deri më tani mbi 600.000 persona janë evakuuar nga zona e Qytetit të Gazës.

Spitalet në Gazë pritet të mbesin pa karburante për gjeneratorë në 24 orët e ardhshme, duke vënë në rrezik jetën e mijëra pacientëve, sipas Kombeve të Bashkuara. Kjo pasi, termocentrali i vetëm në Gazë është mbyllur për shkak të mungesës së karburanteve, pasi Izraeli rrethoi plotësisht Gazën, pas sulmit të Hamasit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se spitalet “janë stërmbushur” përderisa njerëzit po tentojnë të gjejnë strehim.

“Ne jemi të shqetësuar për shpërthimin e sëmundjeve për shkak të zhvendosjes masive dhe për shkak të ujit me cilësi të dobët dhe kushteve sanitare”, tha OBSH.

Katër spitale në veri të Gazës janë mbyllur dhe 21 të tjera kanë pranuar urdhra nga Izraeli për t’u evakuuar. Mjekët kanë refuzuar këto urdhra, duke argumentuar se një evakuim i tillë do të nënkuptonte vdekjen e pacientëve që janë në gjendje kritike dhe të foshnjave të porsalindura që trajtohen me ventilatorë.

Vendimi i Izraelit për të ndalur furnizimet me ujë, por edhe sulmet ndaj pompave të karburanteve, kanë shkaktuar mungesë të theksuar të furnizimeve, duke bërë që 3.500 pacientë në 35 spitalet në mbarë Rripin e Gazës.

“Uji është i nevojshëm që të krijohen kushtet sanitare për pacientët të shtrirë në reparte, për dhomat e operimit dhe për departamentet e emergjencës. Është i nevojshëm për parandalimin e përhapjes së infeksioneve në spitale”, tha OBSH.

Kjo agjenci e OKB-së për shëndetësi tha se aktualisht në pikëkalimin kufitar mes Egjiptit dhe Gazës, në Rafah, gjendet një dërgesë me ndihmë mjekësore për 300.000 pacientë.

Afër 500.000 persona, pothuajse çereku i popullsisë së Gazës, janë strehuar në shkollat që udhëhiqen nga OKB-ja dhe në ndërtesa të tjera në mbarë territorin, ka bërë të ditur kjo organizatë.

Izraeli ka thënë se nuk do të heqë dorë nga vendimi për rrethimin e Gazës, derisa militantët e Hamasit të lirojnë të gjitha pengjet./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë/ Përplasen 'kokë më kokë' dy veturat, plagosen në aksident 2 shoferët dhe pasagjeri (VIDEO)

Lezhë/ Përplasen 'kokë më kokë' dy veturat, plagosen në aksident 2 shoferët dhe pasagjeri (VIDEO)