Spitali i Traumës me Skaner të Ri
Beqaj: Vijon puna në shëndetësi

Spitali i Traumës me Skaner të Ri<br />Beqaj: Vijon puna në shëndetësi
Në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës (SUT) në Tiranë ditën e sotme është zhvilluar një cermoni për prezantimin e paisjeve të reja të këtij spitali ku mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Spitali Universitar i Traumës (SUT) do të ketë tanimë një pajisje të re të porsainstaluar të ekzaminimeve imazherike CT Scan (Computer Tomography Scan), financuar prej Buxhetit të Shtetit, si dhe Shërbimin modern të Telemjekësisë, falë mbështetjes financiare dhe teknike të USAID Albania dhe Zyrës së ODC-së (Office for Defence and Cooperation – Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak) të Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri.

“Skaneri i ri rrit kapacitetet diagnostikuese për traumat” – tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj, duke theksuar se “kemi hedhur kështu, një hap të mëtejshëm në kantierin e rimëkëmbjes së kësaj qendreje spitalore, pas financimit dhe ngritjes së laboratorit të ri të urgjencës, financimit të 5 respiratorëve dhe vënies në punë të 10 monitorëve të rinj për shërbimin e reanimacionit dhe ndërhyrjeve të tjera për përmirësimin e infrastrukturës së SUT-së.

Në këtë cermoni mori pjesë gjithashtu edhe Marc Ellingstad, drejtor për programet e Zhvillimit në USAID Albania.
Sipas Beqajt, skaneri i ri do të ndihmojë edhe për kryerjen e ekzaminimeve imazherike që do të rimbursohen nga Fondi (FSDKSH – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), ndërkohë që shërbimi i ri i Telemjekësisë, do të ndihmojë në trajtimin e specializuar të rasteve të traumës që raportohen nga spitalet rajonale në vend, pa pasur nevojë që pacientët të vijnë në Tiranë.

Në takimin me mediat të zhvilluar në Qendrën e porsangritur të Telemjekësisë, e cila është e pajisur me teknologjinë më moderne dhe të avancuar të telemjekësisë të instaluara nga Programi i Integruar i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri, kreu i shëndetësisë falënderoi përzemërsisht për mbështetjen e pakursyer dhe bujare që USAID-i dhe populli amerikan kanë dhënë përgjithësisht për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri nëpërmjet zhvillimeve inovative në këtë sektor në Shqipëri, dhe veçanërisht, në fushën e telemjekësisë dhe shëndetit elektronik, duke siguruar  partnerët e këtij programi pesë-vjeçar se Ministria e Shëndetësisë, është plotësisht e vendosur ta mbështesë këtë program edhe pas përfundimit të financimit të ofruar USAID-i.

Gjithashtu,  Beqaj shprehu mirënjohjen ndaj përfaqësuesve të USAID edhe për ndihmën që ata po japin nëpërmjet projekt të mbështetjes teknike për krijimin e shërbimit kombëtar të traumës, emergjencave dhe urgjencave mjekësore, për ngritjen e qendrës kombëtare për koordinimin e kërkesave për kujdes emergjent, si dhe për krijimin dhe forcimin e kapaciteteve tona për të ofruar kujdes shëndetësor në këto fusha.

Ndërkohë, Marc Ellingstad tha në fjalën e tij, “Fokusi i Ministrisë së Shëndetësisë në përmirësimin në Shqipëri të kujdesit ndaj pacientit të traumës është për t'u përgëzuar. Ka ende shumë punë për të bërë, por këto shenja përparimi tregojnë se jemi duke ecur në drejtimin e duhur.”

 
Redaksia Online
(o.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë