Shpopullimi po zbraz Shqipërinë dhe pasojat po duken gjithnjë e më shumë edhe në bankat e shkollave. Kështu deklaroi deputetja e PD-së, Ledina Alolli, nga Kryesia e Kuvendit duke theksuar se vendi po përballet me një krizë të thellë demografike, si pasojë e emigracionit të lartë dhe numrit të ulët të lindjeve.

“Popullsia e vendit arriti në rreth 2.36 milionë banorë në vitin 2024, duke u tkurrur me 1.2% krahasuar me një vit më parë”, theksoi ajo.

Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, Alolli thotë se 1.1 milion shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Europian gjatë 18 viteve të fundit. Vetëm në vitin 2025, sipas saj u dhanë 68 mijë e 653 leje qëndrimi për shqiptarët, 4% më shumë se një vit më parë.

“Viti i ri shkollor ka sjellë sërish një panoramë të trishtë, me shkolla që mbyllen, me klasa që mbeten bosh dhe me familje të tëra që largohen nga vendi”, tha Aliolli duke i ndalur edhe tek nisja e vitit të ri shkollor dhe duke sjellë shembuj nga disa qarqe. Në Selenicë, shkolla e Lapardhasë tha se nuk hapet pasi është regjistruar vetëm një nxënës, ndërsa në Këlcyrë një shkollë nuk hapet për mungesë regjistrimesh.

Sipas të dhënave të INSTAT të cituara prej saj, në tre vite arsimi parauniversitar numëron rreth 30 mijë e 500 nxënës më pak, ose një rënie prej 8.4%.

“Kjo do të thotë më pak fëmijë në klasa, më pak të rinj që përgatiten për të ardhmen dhe, mbi të gjitha, më pak familje që shohin perspektivë për të jetuar dhe për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri”, vijoi deputetja.

Deputetja demokrate i kërkoi qeverisë politika konkrete për mbështetjen e familjeve, krijimin e vendeve të punës dhe frenimin e largimit të të rinjve. Sipas saj, ka ardhur koha për politika ekonomike dhe sociale që mbështesin qytetarët.

Deklarata e plotë

Shpopullimi i Shqipërisë nuk është më një paralajmërim për të ardhmen, por një realitet i dhimbshëm që po thellohet çdo ditë e më shumë. Një kambanë alarmi për vendin tonë, e cila duhet të dëgjohet nga të gjithë, sepse pasojat e kësaj krize po prekin çdo sektor të jetës ekonomike dhe shoqërore.

Dhe këtë nuk e thotë opozita, por e dëshmojnë të dhënat e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare. Shifrat janë të qarta dhe tregojnë se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, të shkaktuar nga ndërthurja e rënies natyrore të popullsisë me emigracionin masiv.

Raporti më i fundit i publikuar nga Instituti Hungarez i Çështjeve Ndërkombëtare thekson se rënia natyrore dhe emigracioni në Shqipëri po përforcojnë njëri-tjetrin. Sipas të dhënave të cituara në raport, popullsia e vendit arriti në rreth 2.36 milionë banorë në vitin 2024, duke u tkurrur me 1.2% krahasuar me një vit më parë.

Rritja natyrore e popullsisë mbetet shumë e kufizuar, ndërsa emigracioni vazhdon të jetë i lartë. Mosha mediane është rritur në rreth 44.3 vjeç, një tregues domethënës i plakjes së shpejtë të popullsisë dhe i pakësimit të njerëzve në moshë pune.

Shqipëria renditet ndër vendet me diasporën më të madhe në raport me popullsinë. Kjo do të thotë se nuk po humbasim vetëm njerëzit që largohen sot, por edhe mundësinë për të ripërtërirë popullsinë dhe fuqinë tonë punëtore në të ardhmen.

Shifrat e emigracionit drejt vendeve të Bashkimit Europian janë tronditëse. Sipas Eurostat, 1.1 milion shqiptarë janë larguar me leje qëndrimi përgjatë 18 viteve të fundit, duke ndikuar ndjeshëm në tkurrjen e popullsisë së vendit. Vetëm gjatë vitit 2025, shqiptarët morën 68 mijë e 653 leje qëndrimi, 4% më shumë se një vit më parë, ku shumica e tyre emigruan për arsye familjare.

Pas këtyre shifrave qëndrojnë qindra mijëra histori njerëzore, familje të ndara, prindër larg fëmijëve dhe të rinj që detyrohen të kërkojnë jashtë vendit mundësitë që nuk i gjejnë në Shqipëri.

Shpopullimi po godet rëndë edhe territorin e vendit. Fshatra të tëra po boshatisen, komunitete po humbasin banorët dhe shërbimet bazë, ndërsa popullsia po përqendrohet gjithnjë e më shumë në qytetet dhe zonat urbane.

Një nga rastet më ekstreme është qarku i Korçës, ku mbi 80% e territorit rezulton pa popullsi banuese. Kjo është një dëshmi e qartë e përmasave të problemit dhe e braktisjes së zonave rurale, të cilat po humbasin gradualisht jetën dhe perspektivën e tyre. Por pasojat më të rënda të kësaj krize po i shohim te fëmijët, te shkollat dhe te e ardhmja e brezave të rinj.

Viti i ri shkollor ka sjellë sërish një panoramë të trishtë, me shkolla që mbyllen, me klasa që mbeten bosh dhe me familje të tëra që largohen nga vendi. Nga Korça vijnë shembuj që duhet të na shqetësojnë të gjithëve. Banorët e Neviçishtit e kujtojnë me nostalgji kohën kur shkolla e fshatit ishte e mbushur me nxënës dhe mësues. Për breza të tërë, ajo ka qenë një nga institucionet më të rëndësishme të komunitetit, ku qindra fëmijë kanë marrë dijet e para.

Sot, kjo panoramë e dhimbshme nuk është më një rast i izoluar. Ajo po përsëritet në të gjithë Shqipërinë. Shkolla që mbyllen, familje që largohen dhe auditore që po mbeten bosh janë shenja të një krize që po cenon drejtpërdrejt të ardhmen e vendit.

Në Mallakastër, shkolla e bashkuar e Fratarit mbledh nxënës nga fshatrat Drizar, Damës, Gadurovë, Kremenar, Corrush, Kut, Bejar dhe zona të tjera përreth. Në këtë bashki, shkollat e zonave Fratar, Aranitas dhe Ballsh janë bashkuar, ndërsa nxënësit janë orientuar drejt shkollave të përqendruara në qendër.

Në Selenicë, shkolla e Lapardhasë nuk do të hapet, pasi është regjistruar vetëm një nxënës. Dy shkolla 9-vjeçare, “Marigo Posio” në Vlorë dhe “Pano Nikolla” në Himarë, nuk kanë hapur dyert për shkak të rikonstruksionit. Në Këlcyrë, një shkollë nuk hapet për shkak të mungesës së plotë të regjistrimeve, ndërsa një gjimnaz në Bashkinë Libohovë rrezikon mbylljen për shkak të numrit shumë të ulët të nxënësve.

Edhe në qarkun e Elbasanit, këtë vit janë regjistruar më pak nxënës se një vit më parë. Rënia më e madhe vihet re në Prrenjas, Cërrik dhe Belsh.

Ndërsa në qarkun e Durrësit, disa shkolla nuk kanë hapur dyert. Një prej tyre është shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri”, ku punimet për rikonstruksion vijojnë ende. Për të shtatin vit radhazi, nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” do t’i zhvillojnë mësimet në shkollën pritëse “Marie Kaçulini”, ndërsa rreth 70 nxënës të shkollës së Fllakës janë transferuar pranë shkollës “Artan Zeka” në Qerret.

Këto nuk janë thjesht problematika të sistemit arsimor. Ato janë pasoja të drejtpërdrejta të një vendi që po humbet çdo vit një pjesë të popullsisë së tij dhe që po e ka gjithnjë e më të vështirë të mbajë familjet dhe të rinjtë në territorin e vet.

Të dhënat e INSTAT për vitin shkollor 2025–2026 e konfirmojnë këtë realitet. Arsimi 9-vjeçar ka pësuar një rënie prej 2.7%, ndërsa arsimi i mesëm një rënie prej 0.4%, krahasuar me vitin paraardhës. Përgjatë tre viteve, në arsimin parauniversitar përllogariten rreth 30,500 nxënës më pak, një rënie prej afërsisht 8.4%.

Kjo do të thotë më pak fëmijë në klasa, më pak të rinj që përgatiten për të ardhmen dhe, mbi të gjitha, më pak familje që shohin perspektivë për të jetuar dhe për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri. Shpopullimi nuk është thjesht një statistikë. Është një krizë që po rrezikon të ardhmen e vendit.

Një Shqipëri me më pak banorë, me një popullsi gjithnjë e më të moshuar dhe me më pak njerëz në moshë pune është një Shqipëri me më pak mundësi për zhvillim ekonomik, me më pak kapacitete për të mbajtur në këmbë shërbimet publike dhe me më pak garanci për mirëqenien e brezave që vijnë.

Përballë këtij realiteti, nuk mjaftojnë më deklaratat dhe as përpjekjet për ta relativizuar problemin. Shqipëria ka nevojë për një reagim të menjëhershëm dhe për politika konkrete që të ndalin këtë hemorragji demografike.

Qeveria duhet të kthejë sytë nga qytetarët e saj dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Në vend të një realiteti të shoqëruar nga krimi dhe korrupsioni, vendi ka nevojë për një ekonomi që krijon mundësi, për vende pune të qëndrueshme, për mbështetje reale ndaj familjeve dhe për kushte që u japin të rinjve arsye për të qëndruar.

Duhet të krijojmë mundësi që të rinjtë dhe të rejat shqiptare të ndërtojnë të ardhmen e tyre në atdhe, që familjet të mos detyrohen të largohen për një jetë më të mirë dhe që fshatrat e qytetet tona të mos vazhdojnë të humbasin banorët e tyre. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të zbrazet çdo ditë e më shumë. Është koha për masa konkrete, për politika ekonomike dhe sociale që mbështesin qytetarët, për investime që krijojnë perspektivë dhe për një angazhim serioz për të ndalur largimin masiv të shqiptarëve.