Projekti i studiove arkitekturore holandeze, të kryesuar nga kompania OMA, që ka ndërtuar edhe stadiumin e Feyenoordit në Holandë, është shpallur fitues për ndërtimin e stadiumit Selman Stërmasi në kryeqytet, si dhe gjithë zonës para tij. Kostot do mbulohen nga kompanitë zbatuese, që do të ndërtojnë edhe 5 kulla. Dy sipër stadiumit, me nga 80 dhe 50 metra gjatësi secila, një përbri që do jetë më e gjata me 105 metra dhe dy të tjera në zonën e aneksit të stadiumit. Sipërfaqja totale e zonës shkon 110 mijë metra katrorë, ndërsa është parashikuar edhe parkim nëntoksor me kate.

“Është një gëzim shumë i madh që kryeministri i shtetit shqiptar miraton ndërtimin e një stadium sepse kryeqytetit i shtohet një impant i ri,”-u shpreh Refik Halili, president i Tiranës.

Report TV ka mësuar se stadiumi deri pak kohë më parë ishte në pronësi të bashkisë së Tiranës, por me Vendim të Këshillit të Ministrave i ka kaluar Koorporatës së Investimeve Shqiptare. Në 2014 klubi i Tiranës ka nënshkruar një kontratë përdorimi për 18 vite, që skadon në 2032, ndërsa aktualisht kanë mbetur edhe 7 vite nga kjo kontratë.

“Unë jam pjesë e brendshme e stadiumit. E di që nuk i intereson në përgjithësi shumë njerëzve, për atë stadium ndoshta është bërë edhe gjithë kjo zullumahi e madhe që nuk ka pushuar. Unë jam pjesë e këtij stadium dhe jam i bindur që do të ecim para. Klubi do shkojë na maja shumë të larta vitet e ardhshme,”-tha Refik Halili, president i Tiranës.

Stadiumi i ri do të jetë i kategorisë 4 të UEFA-s, në formë katrore me një kapacitet prej 14 mijë vendesh. Qëllimi i ndërtimit të tij përveç pjesës sportive është rijetëzimi i zonës, që do jetë i aksesueshëm 24/7 dhe do të përdoret edhe për koncerte apo evente të tjera.