Kryeministri Edi Rama është shprehur se Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030 të arrijë një kapacitet prej 20 milionë eurosh, në mbështetje të startup-eve, për të rinjtë që janë të fokusuar te teknologjia.
Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me të rinj në aktivitetin ‘Grant 2026 nga Innovation4Albania’, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Më tej kryeministri Rama theksoi se dyfishimi i fondit për mbështetjen e startupp-eve këtë vit, nga 3 milionë në 6 milionë euro, është një trend që ‘duam ta mbajmë duke mbajtur në konsideratë cilësinë e projekteve.’
Kjo rritje e mbështetjes për starupp-et, sipas Ramës rritet edhe me performancën e mirë ekonomike të Shqipërisë gjatë muajve të parë të këtij viti.
“Ne jemi këtu sot pas një shtyrje të shpalljes së fituesve si rezultat i faktit që patëm një numër aplikimesh shumë të lartë dhe nga ana tjetër, nuk u ndjemë mirë që me shumën e vënë në dispozicion, 3 milionë euro, nuk ia dilnim dot të përgjigjeshim me mbështetjen e duhur për të gjithë ata që sipas Komisionit të Vlerësimit meritonin mbështetje. Kështu që e shtymë pak këtë takim, për të reflektuar në aktin normativ të qershorit. Por duke qenë se të ardhurat e shtetit janë rritur përtej parashikimeve, na bëri që të angazhojmë edhe një fond shtesë. Mësuam bashkarisht si ta çojmë përpara ngritjen e këtij ekosistemi. Sot jemi në 6 milionë euro dhe ambicia jonë është që deri në 2030 të arrijmë në një kapacitet prej 20 milionë euro për mbështetjen e startupp-eve. Ne kemi bërë një hap, që është një hap i hedhur për herë të parë nga një qeveri në Shqipëri, duke marrë pjesë në financimin e projektit të ri të Mira Muratit, por besojmë shumë se të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe me startupp-et tona, që kalojnë në një fazë të dytë dhe që kanë nevojë për një mbështetje ekstra për t’u zhvilluar, pasi konfirmohen në fazën embrionale. Në Shkodër dhe Vlorë kemi rritjen më të lartë, mes këtyre qarqeve”, tha mes të tjerash Rama.
Më tej Rama kishte edhe një këshillë për të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë, që ndihen të bullizuar në rrjetet sociale.
Rama, duke iu drejtuar të rinjve, u tha që të mos lexojnë komentet dhe të bien pre e provokimeve në rrjetet sociale.
Për kryeministrin, algoritmi në rrjetet sociale ‘ka kaluar në një fazë histerie’ dhe sipas tij, nëse u kthen komenteve përgjigje, merr mbrapsht një sasi të madhe balte.
“Mos zbrisni te komentet. Komentet janë jopërfaqësuese për çfarë ti bën, për si e bën dhe kush je. Dhe jo vetëm në këtë kohë, që është një kohë shumë e ngarkuar për arsye se algoritmi ka kaluar në një fazë histerie, por në çdo kohë, dikur unë i përgjigjesha komentuesve intensivisht, i nisur nga ideja që meritojnë respekt dhe vëmendje. Por e kuptova që ishte e gabuar dhe në vend se minimumi të merrja pas respektin për faktin që impenjohesha për t’i dhënë përgjigje, vetëm rrisja angazhimin dhe sasinë e baltës që më kthehej pas. Kështu që qysh atëherë jo vetëm nuk u ktheva më përgjigje, por nuk zbres më në postim për të parë se çfarë thuhet. Nëse nuk e bëni këtë, impakti i bullizimit bëhet problem. Ju nuk jeni të shitur se merrni fonde nga programi i startupp-eve. Nuk keni asnjë arsye që të merrni seriozisht asgjë tjetër veç realitetit që ju perceptoni. Realitetet e tjera që krijojnë të tjerët për ju, injorojini. Dyfishimi i fondit këtë vit nga 3 milionë në 6 milionë euro është një trend që duam ta mbajmë duke mbajtur në konsideratë cilësinë e projekteve. Vitin e ardhshëm e nisim me 6 milionë euro këtë program, dhe do t’i përgjigjemi të gjitha projekteve”, shtoi Rama.
Nga ana tjetër, ministrja Delina Ibrahimaj tha se starupp-et janë rritur dhe kanë dhënë kontribut konkret në ekonominë e vendit tonë.
Ibrahimaj tregoi se për këtë vit, janë 1219 aplikime për të marrë pjesë në skemën e mbështetjes për startupp-et.
“Startupp-et janë rritur, kanë dhënë kontribut konkret në ekonomi. Ne jemi krenarë që jo vetëm që kemi trefishuar personat që kanë besim te financimi i qeverisë shqiptare. Janë 1219 aplikime për skemën këtë vit. Janë 3-fishi i atyre që kishin aplikuar herën e kaluar. Për këtë arsye ne do të dyfishojmë mbështetjen financiare. Më vjen shumë mirë që ka disa shifra për të cilat ja vlen të jemi krenarë. 189 aplikime kanë ardhur nga të rinj dhe të reja. Sot ne kemi Startupp-e që ne i financojmë në të gjitha qarqet e Shqipërisë”, tha Ibrahimaj.
Më tej Ibrahimaj theksoi se financimi për startupp-et është vetëm fillimi, pasi sipas saj, është e nevojshme plotësimi i kuadrit ligjor, si dhe financimi i universiteteve.
“Por financimi është vetëm fillimi. Në radhë të parë është e rëndësishme të përmendim kuadrin ligjor. Së dyti, ne këtë vit për herë të parë financojmë inkubatorët akademikë. Nuk mund të mendojmë që ne do të krijojmë qëndrueshmëri në këtë ekosistem, nëse nuk mbështesim universitetet tona që janë plotë ambicie, kanë talent dhe ide”, tha mes të tjerash Ibrahimaj. Përmes iniciativës sonë kombëtare për inteligjëncën artificiale dhe ministres Diella, ne po sjellim IA brenda administratës publike, në mënyrë që të rrisim eficencën në qeverisje dhe përgjegjshmërinë ndaj ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve”, shtoi Ibrahimaj.
Komente






