Francë - Spanjë nuk është më thjesht një gjysmëfinale Botërori. Është përballja e dy superfuqive të futbollit evropian, një duel që ndër vite ka prodhuar momente të paharrueshme dhe që sot rikthehet me protagonistë të rinj si Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe.
Historia e rivalitetit nisi në finalen e Euro 1984, të zhvilluar në Francë. Michel Platini udhëhoqi "Gjelat" drejt triumfit 2-0, ndërsa sfida mbeti në kujtesë për gabimin fatal të portierit spanjoll Luis Arconada, i cili 'lejoi' topin t'i kalonte poshtë krahut pas një goditjeje dënimi të legjendës franceze. Ishte një nga episodet më dramatike në historinë e Kampionateve Evropiane.
Në fillim të viteve 2000, protagonisti absolut u bë Zinedine Zidane. Fillimisht në çerekfinalen e Euro 2000, ku Franca fitoi 2-1 falë golit të tij, e më pas në Botërorin 2006, kur "Blutë" përmbysën Spanjën 3-1 në fazën e 1/8-ave. Goli i fundit i asaj sfide, një kryevepër e Zidane pas një aksioni individual, vulosi eliminimin e spanjollëve dhe një tjetër kapitull të dominimit francez.
Megjithatë, balanca ndryshoi me lindjen e "epokës së artë" të Spanjës. Në Euro 2012, kampionët e botës dhe të Evropës nuk falën, duke mposhtur Francën 2-0 në çerekfinale me dy golat e Xabi Alonsos, në një ndeshje që konfirmoi superioritetin e "La Roja-s" në futbollin botëror.
Vitet e fundit rivaliteti është bërë edhe më spektakolar. Franca triumfoi në finalen e Nations League 2021 me rezultatin 2-1, falë golave të Karim Benzema dhe Kylian Mbappe, pasi Spanja kishte kaluar e para në avantazh me Mikel Oyarzabal.
Por revanshi erdhi në Euro 2024. Në gjysmëfinale, Spanja përmbysi Francën 2-1 dhe në skenë shpërtheu talenti që po mahnit botën, Lamine Yamal. Vetëm 17 vjeç në atë kohë, ai realizoi një gol spektakolar nga distanca, ndërsa Dani Olmo shënoi golin që i dërgoi iberikët në finale.
Edhe përballja më e fundit mes tyre ishte një spektakël i vërtetë. Në gjysmëfinalen e Nations League, më 5 qershor 2025, Spanja shkoi në epërsinë 5-1 me golat e Nico Ëilliams, Mikel Merino, Pedri dhe dy realizime të Lamine Yamal. Franca reagoi fuqishëm në minutat e fundit me Mbappe, Rayan Cherki dhe Kolo Muani, duke e ngushtuar rezultatin në 5-4, por nuk arriti të kompletonte një rikthim historik.
Tashmë, dy kombëtaret përballen sërish në gjysmëfinalen e Botërorit 2026. Franca vjen me statusin e lehtë të favoritit, falë paraqitjeve më bindëse në rrugëtimin drejt katërshes më të mirë, ndërsa Spanja mbështetet te talenti dhe dinamizmi i brezit të ri. Historia mes këtyre dy gjigantëve ka treguar se çdo duel sjell një kapitull të ri dhe mbetet për t'u parë se kush do të shkruajë faqen e radhës të "derbit të Pirenejve".
Francë vs Spanjë, përballjet 'kokë më kokë' në gjithë historinë:
Ndeshjet në total: 38
Fitore Spanja: 18
Fitore Franca: 13
Barazime: 7
Gola të shënuar nga Spanja: 71
Gola të shënuar nga Franca: 44
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Sot në orën 21:00 Franca dhe Spanja do të përballen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026. Në gjithë historinë mes tyre të dyja kombëtaret janë përballur 38 herë, 18 herë ka fituar Spanja, 13 herë Franca dhe në 7 raste përballjet janë mbyllur në barazim.
Si vijnë të dyja skuadrat në këtë ndeshje:
Franca:
Kylian Mbappe u detyrua të largohej nga fusha gjatë fitores së Francës në çerekfinale për shkak të një lëndimi të lehtë në kyçin e këmbës, megjithëse pritet të rikuperohet në kohë për të filluar nga fillimi sot.
Manu Kone gjithashtu doli nga loja me një problem në gju, por ky zëvendësim besohet se ka qenë parandalues. Mesfushori i Romës duhet të mbetet në garë, ndërsa Aurelien Tchouameni po përpiqet të rikthehet nga një problem në kofshë.
Didier Deschamps ende ka një vendim për të marrë, me Desire Doue dhe Bradley Barcola që konkurrojnë për një vend përkrah Mbappe, Dembele dhe Michael Olise.
Spanja:
Mikel Oyarzabal ka shënuar katër gola në Kupën e Botës 2026 dhe pritet të udhëheqë sulmin.
Në mesfushë, Mikel Merino dhe Pedri janë në garë për t'u rikthyer në formacionin titullar, gjë që mund t'i vërë nën presion Fabian Ruizin dhe Dani Olmon për vendet e tyre.
Lamine Yamal nuk e ka arritur ende nivelin e lartë që tregoi në Euro 2024, por 'adoleshenti' mbetet zgjedhja e parë e Spanjës për krahun e djathtë. Pedro Porro pritet të luajë si mbrojtës i djathtë, pasi duket se e ka kaluar Marcos Llorenten në hierarkinë e zgjedhjeve.
Formacionet e mundshme:
Franca (4-2-3-1): Maignan; Digne, Saliba, Upamecano, Kounde; Kone, Rabiot; Doue, Olise, Dembele; Mbappe
Spanja (4-2-3-1): Simon; Porro, Cubarsi, Laporte, Cucurella; Rodri, Pedri; Yamal, Olmo, Baena; Oyarzabal
Francë - Spanjë, formacionet e mundshme
Komente




