Statutet e Shkodrës, të drejtat dhe
detyrimet e gruas në mesjetë

Statutet e Shkodrës, të drejtat dhe <br />detyrimet e gruas në mesjetë
Statusi i gruas në Arbërinë mesjetare dhe studimet gjinore që kanë të bëjnë me Arbërinë mesjetare në përgjithësi është një fushë e kërkimit shkencor që nuk ka tërhequr vëmendje të veçantë në historiografinë shqiptare. Kjo përpjekje për të ndriçuar pozicionin e gruas në këtë territor, që gjendet në kufijtë midis krishtërimit perëndimor latin dhe atij lindor bizantin do të bazohet kryesisht në burimet normative, dhe më specifikisht në Statutet e Shkodrës. Ndërsa e shohim statusin e gruas përmes kësaj pasqyre, duhet të mbajmë parasysh faktin që teksti normativ nuk reflekton domosdoshmërisht praktikat e përditshme, të cilat varjojnë nga rasti në rast. Kjo përpjekje tregon gjithashtu që kjo fushë kërkon më shumë punë empirike dhe krahasuese në të ardhmen.

Statutes e Shkodrës i kushtojnë një hapësirë të konsiderueshme pozitës dhe roleve të ndryshme që gruaja kishte në familje dhe në shoqëri. Aspektet e ndryshme të jetës së saj vizualizohen në mënyra të ndyshme duke u përpjekur të pasqyrojë të gjithë shumëllojshërinë e funksioneve dhe rolit të gruas në shoqëri dhe në familje. Nga ky këndvështrim nuk është e lehtë të cilësosh pozitën e gruas në shoqëri në një mënyrë absolute, por do të përpiqem të paraqes rrymat kryesore të aktivitetit të saj që kanalizohej nga mjedisi dhe kushtet në të cilat jetonte.

Sipas statuteve të Shkodrës, gruaja gëzonte një pozicion mjaft të mirë brenda familjes si nënë, motër, vajzë dhe grua. Nderi, respekti dhe madje edhe pavarësia ekonomike ishin fushat kryesore në të cilat gratë mund të ndërtonin një identitet të fortë. Ato konsideroheshin si shtylla të rëndësishme në vendimmarrjen e familjes dhe e merrnin këtë pozitë me gjithë autoritetin që kërkohej.

Megjithëse studiuesit argumentojnë që në mesjetë nuk mund të flitet për jetë private dhe publike, dhe as që mund të mendohet për një ndarje të tillë, për ta kuptuar më mire rolin e gruas në shoqëri dhe familje unë do t’i përdor këto terma jo në kuptimin që ata kanë marrë në shkencë, por në një kuptim më gjenuin të fjalës, në atë të jetës brenda familjes dhe jashtë mureve të shtëpisë. Kjo ekzistonte dhe vazhdon të ekzistojë në çdo familje shqiptare dhe na ndihmon për të kuptuar më mirë nëse gruaja mund të quhet e privuar nga disa të drejta që sot ia njohim si të drejta të pakontestueshme, apo këto mund të interpretohen edhe si privilegje.

Gruaja shqiptare nuk kishte të drejtën e trashëgimisë, por kjo nuk duhet konsideruar si privim i femrës nga kjo e drejtë. Trashëgimia ishte një ndër aspektet ekonomike të jetës në qytet që konsiderohej si çështje publike, duke qenë se ishte e lidhur ngushtë me reputacionin dhe statusin social të familjes apo të personit në fjalë. Trashëgimia nuk konsiderohej çështje private, por publike edhe sepse në të përfshiheshin procedura ligjore. Në këtë kontekst, është e kuptueshme pse vajza ishte e përjashtuar nga trashëgimia në familjen atërore, edhe pse paja që ajo merr nga prindërit, në momentin kur ajo martohet, mund të ketë po atë vlerë financiare që mund të ketë çdo lloj trashëgimie tjetër, por që jepet para se prindërit të vdesin. Në statute përjashtimi nga trashëgimia është i shprehur në mënyrë eksplicite, por kjo nuk duhet kuptuar si privim i gruas nga pronat atërore:

“Kur një baba apo një nënë kanë vajza të martuara si dhe djem a djem të djemve, ata nuk duhet t’u japin gjë tjetër vajzave, veç prikës. Gjithë sa mbetet pas sigurimit të prikës së vajzave, i takon djalit apo djemve të djemve. Nëse nuk ka djem, vajzat duhet t’i ndajnë këto pasuri mes tyre, në mënyrë të barabartë, që asnjëra të mos marrë më shumë se tjetra nga pjesa e mbetur e pasurisë, pas dhënies së prikave.” (Statutet e Shkodrës, kap. 162).
Trashëgimia si akt publik duhet të kalonte vetëm në linjë mashkullore, dhe pjesëmarrja në jetën publike nëpërmjet ndonjë akti trashëgimie ishte i ndaluar për gratë në të gjitha fazat e jetës së saj. Prezenca e nipërve në proçesin e trashëgimisë nuk gjendet në të ligje të ngjashme të Evropës, dhe mesa duket ka ekzistuar vetëm në traditën shqiptare, siç e komentoi Grethe Jakobsen.

Në Kodikun e Dushanit gjendet po e njëjta ide, por që i adresohet një shtrese më të lartë të shoqërisë: “Kur një fisnik vdes, kali i tij i mirë dhe armët e tij duhet t’i jepen perandorit, por rrobat e tij, perlat apo zingjirët e floririt, le t’i mbeten djalit të tij, dhe le të mos merren nga perandori. Nëse nuk ka djem, por vajzë, le t’i kalojnë vajzës, të mbajë, t’i shesë ose t’i falë sipas dëshirës.” Nëse mbajmë parasysh audiencën e këtyre dy statuteve, vlen për t’u tërhequr vëmendja te përshkrimi i saktë i shtresës së lartë për të cilën bën fjalë Kodiku i Dushanit. Ndryshe nga ky kodik, statutet e Shkodrës kanë një audience më të gjerë, gjë që tregon se këto ligje vlenin për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe për përditshmërinë e tyre dhe jo për raste të veçanta.

Përjashtimi nga trashëgimia në Statutet e Shkodrës, kompensohet me një pozicion shumë të fortë të gruas brenda familjes, dhe konkretisht nëpërmjet prikës. Megjithëse vajza supozohet të mos merrnin pjesë në pronat e babait, prika e saj mund të ishte mjaft e pasur, duke përfshirë edhe prona të patundshme si vreshta, shtëpi, toka të punueshme si dhe territore të tjera. ‘Nëse dikush vendos të japë në prikë ose të shesë vreshta e ara të lëshuara më parë me qera apo shtëpi të dhëna me qera, këtë mund ta bëjë vetëm pas një viti, kur përfundon kontrata me përdoruesin.’ (Statutet e Shkodrës, kap. 43-44). Në momentin që kjo pasuri bëhej e saj, ajo kishte kontroll të plotë mbi prikën e saj, dhe askush nuk mund ta prekte apo ta tjetërsonte atë.
Pozita juridike është e përcaktuar mire në familje edhe në situata të veçanta. Kështu p.sh. vajzat jetime, që nuk kanë nënë e babë, kanë të njejtat të drejta për të ndarë pasurinë e prindërve të tyre, si dhe të drejtë për të marrë prikën e virgjërisë. Nëse një vëlla dhe një apo më shumë motra mbesin jetimë, vëllai apo vëllezërit e mëdhenj duhet të marrin detyrën të rregullojnë martesën e motrës, apo të motrave me atë që kanë trashëguar nga babai apo nëna. Ajo që tepron pas prikës i takon vëllait apo vëllezërve. (Statutet e Skodrës, kap. 160).
Pozita e favorshme e gruas në familje është e qartë edhe nga mbrojtja ligjore e pasurisë personale të saj. Askush nuk mund ta prekë apo ta tjetërsojë vlerën e prikës, madje as bashkëshorti. Në statut shkruhet në mënyrë eksplicite: “Asnjë burri nuk i lejohet të marrë diçka nga prika e së shoqes për të paguar një gjakmarrje apo uzarbë. Komuna duhet t’i dalë në mbrojtje gruas, kurse burri që e kryen një marrëzi të tillë, duhet ta paguajë atë nga xhepi i tij. Nëse nuk është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, gruaja ka të drejtë të ushtrojë autoritetin e saj mbi të.” (Statutet e Skodrës, kap. 266). Edhe nëse një grua jep miratimin e saj për të tjetërsuar diçka nga prika e saj, ajo që merret nga prika duhet të zëvendësohet në kohën e caktuar. Nëse burri dhe gruaja bien në varfëri, dhe vendosin të përdorin prikën e gruas, me miratimin e saj, prika duhet të konsiderohet pasuri e përbashkët (Statutet e Skodrës, kap. 165). Përndryshe, prika ishte pasuri e plotë vetëm e gruas, dhe ajo mund të bënte çfarë të donte me të, si p.sh. ta jepte si donacion për arsye fetare nëse nuk donte t’ua jepte vajzave të saj (Statutet e Skodrës, kap. 196).

Edhe përsa i përket pasurisë së përbashkët brenda familjes, gruaja kishte një status të favorizuar, përderisa brenda familjes gruaja dhe burri kishin të njejtat të drejta mbi pasurinë e përbashkët. Nëse një burrë e një grua pasi martoheshin dëshironin të jetonin veçmas nga familjet e tyre atërore, gjithçka që fitonin duhet të konsiderohej si e barabartë: gjysma i përkiste bashkëshortit dhe gjysma bashkëshortes. Kjo vlente edhe për dëmet (Statutet e Skodrës, kap. 166). Nëse pas martesës, dhëndri dhe nusja kishin jetuar për një fare kohe me vjehrrin dhe familjen e tij, por pastaj vendosin të jetojnë më vete, duhet të merrnin vetëm ato mallra që kishin sjellë në martesë dhe asgjë tjetër (Statutet e Skodrës, kap. 167). Një burrë dhe gruaja e tij mund t’ia transferonin pasurinë e tyre njëri-tjetrit, por nëse gruaja apo burri vendosnin të administronin një pasuri, ky vendim ishte një përgjegjësi e madhe, sepse gruaja apo burri duhet ta administronin pasurinë sikur të ishte e vetja (Statutet e Skodrës, kap. 168), gjë që nuk ishte e lehtë për t’u vërtetuar në të gjitha situatat.

Kur ishte fjala për të punuar jashtë shtëpisë, gratë ishin më pak të favorizuara sesa burrat. Ashtu si kudo në Evropën mesjetare, puna e burrave konsiderohej si më me vlerë sesa puna e grave. Në kreun 62 të Statuteve të Shkodrës, një korrës fitonte 3 grosh në ditë kurse një grua vetëm 2 grosh në ditë (Statutet e Skodrës, kap. 62). Obligimet e punëtorëve ndaj punëdhënësve janë përshkruar në kreun 71, ku thuhet se nëse një punëtor, shërbëtor ose shërbëtore, i cili në prani të garantëve ka rënë në ujdi me padronin e tij për të qëndruar në punë për kaq e aq vite ose muaj, dëshiron të largohet para kohe, nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, qoftë sepse nuk mund të jetë parapaguar ose për faktin e thjeshtë se nuk lejohet largimi përpara përfundimit të kontratës. Nëse punëtori ose punëtorja do të sëmuret, padroni detyrohet ta ushqejë dhe kur të shërohet, duhet t’ia kthejë detyrimin atij, duke i shërbyer për të gjithë kohën që ka humbur në punë, për shkak të sëmundjes, në të njejtën stinë (Statutet e Skodrës, kap. 71).

Po kështu, gruaja konsiderohej si inferiore në proceset gjyqësore. Ajo nuk lejohej të ofronte ndonjë garanci, dhe në këtë drejtim nuk dallonte nga shërbëtorët, të varfërit, kriminelët apo grupe të tjera që për ndonjë arsye apo një tjetër ishin të margjinuar. Edhe përsa i përket përgjegjësisë për fëmijët, babai kishte shumë më tepër autoritet sesa nëna, duke qenë se ai mund të dëshmonte për çdo fëmijë, vajzë apo djalë, kurse nëna vetëm për djemtë, por jo për vajzat (Statutet e Shkodrës, kap. 135). Ka edhe raste kur ajo mund të ishte garante e plotë në çështje të tilla që kishin të bënin me moshën, fëmijët, ose sjelljen dhe virgjërinë e vajzave (Statutet e Skodrës, kap. 130). Nuk është e qartë nëse këto çështje konsideroheshin si më pak të rëndësishme apo gruaja konsiderohej më kompetente në zgjidhjen e tyre, duke iu njohur kështu autoritet i plotë në çështje dhe aktivitete të jetës së përditshme shtëpiake. Kjo është çështje që duhet shqyrtuar në më shumë detaje.

Kur burri nuk ishte i pranishëm në familje, gruaja merrte statusin e tij ligjor, duke përfaqësuar familjen publikisht dhe ligjërisht. Në këto raste, gruaja kishte të drejtë të shkruante testament (Statutet e Skodrës, kap. 196). Kjo do të thotë që ajo nuk konsiderohej si e paaftë fizikisht për të marrë përgjegjësi ligjore, por ishte aspekti social që e konsideronte atë të papërshtatshme për t’u ekspozuar publikisht në procese gjyqësore. Një grua e martuar ishte përgjegjëse për përfaqësimin e bashkëshortit të saj kur ai nuk ishte në qytet. Që të mos i cënohej nderi, ajo duhet të merrte një avokat që ta përfaqësonte atë (Statutet e Skodrës, kap. 117). Ruajta e grave nga paraqitja publike është arsyeja kryesore se përse gjyqi dënonte vetëm bashkëshortët për humbje rasti në gjyq dhe jo gratë e tyre (Statutet e Skodrës, kap. 117).

Nuk është e pazakonshme që ligji ishte shumë më i rreptë me burrat sesa me gratë kur ishte fjala për detyrimet familjare brenda familjes. Nëse p.sh. prindërit kishin djem e vajza për të martuar, vajzat duhet të martoheshin të parat dhe pastaj djemtë. Nëse djali dëshironte të martohej më parë, pa lejen e prindërve, nëna dhe babai kishin të drejtën ta dëbonin atë nga shtëpia (Statutet e Skodrës, kap. 161).

Të dëboje një burrë nga shtëpia, duhet të ketë qenë një dënim shumë i rëndë, përderisa është një kërcënim që haset shpesh në statutet e Shkodrës. Sipas kreut 159, babai kishte liri të plotë ta martonte të birin edhe kur ky ishte nën moshë dhe të merrte prikën e gruas së të birit e ta përdorte atë si të donte. Biri duhet të jepte pëqimin si për martesën ashtu edhe për prikën e së shoqes. Por nëse i biri nuk e jepte pëlqimin dhe nuk dëshironte që i ati ta merrte prikën e gruas së tij, por ta mbante për vete, babai, nëse dëshironte, mund ta dëbonte të birin dhe gruan e tij nga shtëpia (Statutet e Skodrës, kap. 159). Pritshmëria ishte pra që djali nën moshën e duhur për martesë ta jepte miratimin për përdorimin e prikës, nëse donte të martohej dhe të ndihej i mbrojtur e i sigurt në gjirin e familjes atërore. Kjo mund të jetë edhe një nga shpjegimet që çuan në krijimin e familjeve të mëdha.

Përsa i përket moshës së marrjes së përgjegjësisë sociale, sistemi funksiononte si kudo në Evropë. Përsa i përket aftësive për të shkruar, vajzat mund të dëshmonin me shkrim më herët se djemtë. Ndërsa djemtë nuk lejoheshin të shkruanin testament para moshës 14 vjeçare, vajzat mund të shkruanin një të tillë që në moshën 12-vjeçare, (Statutet e Skodrës, kap. 160) moshë kjo që korrespondon me atë të martesës sipas të drejtës kanonike.
Përgjegjësitë e gruas fillonin gjithashtu herët në jetën e saj, dhe standarte të dyfishta përdoreshin për të matur përgjegjësitë e saj përkundrejt përgjegjësive të burrit, sidomos përsa i përket seksualitetit. Ishte përgjegjësi e gruas të ishte e kujdesshme dhe të ruhej nga rreziqet jashtë shtëpisë.

Në raste dhunimi, i vetmi rast kur gruaja besohej plotësisht dhe mbrohej nga ligji ishte kur dhunimi bëhej nga një klerik. Nëse një grua e martuar ankohej që ishte dhunuar nga një klerik, ajo besohej edhe pa pasur dëshmitarë, dhe kleriku duhet të paguante një taksë (Statutet e Skodrës, kap. 200). Logjika e ndjekur duhet të jetë ajo që gruaja nuk duhet të kishte frikë dhe të mbrohej nga klerikët, si njerëz të besueshëm që duhet të ishin. Nëse nga ana tjetër, një djalë i pamartuar dhunonte një vajzë të pamartuar, ai ishte i detyruar të martohej me të me martesë të ligjshme dhe nuk mund ta braktiste për mungesë prike, përndryshe duhet të paguante një takes prej 8 perperësh (Statutet e Skodrës, kap. 265). Nëse gruaja e dhunuar ishte e martuar, dhe po kështu ishte edhe burri, burri duhet të paguante taksë dhe gjysmën e kësaj takse duhet ta merrte gruaja (Statutet e Skodrës, kap. 201).

Nëse një burrë dhunonte një grua, ai duhet të paguante 9 hiperperë (Statutet e Skodrës, kap. 256). Po kështu, nëse dikush dhunonte shërbëtoren e dikujt tjetër dhe gruaja vdiste gjatë lindjes, dhunuesi duhet të gjente një shërbëtore tjetër që të zëvendësonte atë të vdekurën, dhe fëmija i shërbëtores bëhej shërbëtori i tij (Statutet e Skodrës, kap. 202). Koncepti i turpit dhe nderit nuk dalin direkt në pah në statute, por nëse llogarisim Kodin e Lekë Dukagjinit, seksualiteti i gruas sigurisht që ishte nën kontrollin e krerëve të familjes, ndërkohë që seskualiteti i burrit nuk kontrollohej nga askush.

Kodi i Stefan Dushanit ishte shumë më i rreptë përsa i përket dhunimit të gruas: “Nëse një fisnik merr me forcë nga grua fisnike, le t’i priten të dyja duart dhe hunda. Por nëse një njëri i thjeshtë merr me forcë një grua fisnike, le të varet; nëse ai merr me forcë një grua të sojit të tij, le t’i priten duart dhe hunda” (Kodiku i Dushanit, kap. 51). I njejti nivel brutaliteti aplikohej edhe për gratë: “Nëse një grua fisnike kryen marrëdhënie seksuale më një burrë të një statusi më të ulët, le t’i priten duart dhe hunda” (Kodiku i Dushanit, kap. 52). Seksualiteti i gruas fisnike ishte pra symbol i nderit dhe i turpit në elitën sociale.

Ligjet e mëvonshme e ulin pozitën e gruas. Kështu në Kanunin e Lekë Dukagjinit, gruaja kishte një status shumë më inferior sesa burri, duke u privuar nga të drejtat e privilegjet e burrit jo vetëm në çështjet publike por edhe në ato familjare. Kodiku në ligjet normative e thjeshtëzon gruan në një ‘shakull’: Grueja âsht shakull për me bajtë. Nëse ky është një ligj i shtuar vonë gjatë pushtimit ottoman, apo ishte që në mesjetë, kjo është çështje e hapur për debat.

Në vend të konkluzionit, dëshiroj të shkruaj për punën në progress në këtë drejtim, duke qenë se ky shkrim është bazuar vetëm në tekstet normative të statuteve të Shkodrës. Më shumë kërkim duhet bërë me dokumente të tjera që tregojnë raste specifike sesi tekstet normative reflektohen në jetën e përditshme. Statutet e tjera të rajonit duhen konsultuar më nga afër, që të bëhet i mundur identifikimi i asaj që është autoktone dhe praktikë e përgjitshme në rajon. Ngjashmëritë dhe ndryshimet që mund të dalin nga puna kontrastive, do të hedhin tjetër dritë mbi pozicionin e gruas në shoqëri.

Shumë pyetje të tjera do të dalin sapo burimet të jenë në dispozicion të lexuesit dhe studiuesit, por për momentin shpresojmë që ky kontribut modest do të tërheqë vëmendjen e studiuesve në konsiderata që i duhen bërë kësaj çështje në këtë rajon dhe këto të dhëna të shikohen për një projekt të mundshëm mbirajonal.

Shkrimi u publikua në Suplementin Rilindasi, në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bëri thirrje për rrahje policësh dhe vrasje patronazhistësh, Genc Gjokutaj justifikon thirrjet për dhunë: Ishin letrare! Pyet gazetarin: A ke mbaruar Filologjinë?

Bëri thirrje për rrahje policësh dhe vrasje patronazhistësh, Genc Gjokutaj justifikon thirrjet për dhunë: Ishin letrare! Pyet gazetarin: A ke mbaruar Filologjinë?