Sterio Spase, Portreti i bërë nga
mikja ruse i dhurohet Shqipërisë

Sterio Spase, Portreti i bërë nga<br />mikja ruse i dhurohet Shqipërisë
TIRANE- Si erdhi nga Moska piktura “Albanian writer Sterjo Spase” e bërë 55 vite më parë në teknikën vaj në kanavacë, me përmasa 81 x 66cm

Një portret i shkrimtarit Sterio Spase i bërë para 55 vitesh në Rusi kthehet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë me vlerën 3 mijë euro. Piktura me titull “Albanian writer Sterjo Sapsse” e autores ruse Raisa Nikolaevna Zelinskaya – Plate,  e vitit 1959, në teknikën vaj në kanavacë, me përmasa 81 x 66cm, i është dhuruar Galerisë Kombëtare të Arteve nga i biri i piktores Z. Felix Plate. Vepra që paraqet shkrimtarin “të mbytur” në mendime e brenga është prezantuar dje paradite për mediat në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Nëpërmjet këtij portreti realist, autorja i ka dhënë një forcë të madhe shprehëse emocionale dhe psikologjike. Drejtori Shabani e  cilësoi një vlerë të shtuar të koleksionit të GKA-së këtë vepër, e cila sipas tij iu bashkëngjitet koleksioneve të tjera me rëndësi, siç janë ai i piktorëve të shquar shqiptarë që e zhvilluan karrierën jashtë Shqipërisë si Omer Kaleshi, Artur Tashko, Lika Janko, Fondacioni Lin Delia, por edhe disa piktorë të huaj si Jan Dibets e së fundmi Peter Pocs. Familjarët e artistes e kanë vlerësuar dhe ruajtur me kujdes portretin e shkrimtarit shqiptar për më shumë se gjysmë shekulli. Ishte vullneti i tyre dhe vendimi i të birit të zonjës Plate, zotit Feliks A. Plate për t’ia dorëzuar këtë vepër koleksionit të Galerisë Kombëtare në Tiranë.

Feliks Plate ka theksuar faktin se ky dhurim përkon edhe me 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Sterjo Spase. Portreti i shkrimtarit shqiptar Sterio Spase është një nga imazhet e fundit të pikturuar nga mikja personale e shkrimtarit. Ata janë njohur gjatë studimeve. Zonja Plate, këtë portret të vitit 1959, e ka pikturuar kur Sterio Spase e kishte  vizitën e fundit më Moskë. A ishte piktorja ruse Raisa Nikolaevna Zelinskaya vetëm një mike e ngushtë e shkrimtarit apo e dashura nga e cila Sterio Spase nuk mund të ndahej pa brenga gjatë kësaj vizite të fundit në Moskë nuk dihet. Drejtori i GKA-së Artan Shabani i përgjigjet se nuk ka rëndësi telenonovela e kësaj marrëdhënieje, por pamja, imazhi dhe në këtë rast piktura flet vet, siç flet gjendja psikologjike e Sterio Spases.

Pasi i biri e ka dhuruar këtë vepër për Shqipërinë, vendlindjen e shkrimtarit, procedura e dhurimit dhe  kostot e saj u mundësuan nga ambasadori i Shqipërisë në Republikën Federale Ruse, Z. Sokol Gjoka, ndërsa akti i dhurimit u krye në GKA midis drejtorit Z. Artan Shabani dhe diplomatit Z.  Shkëlzen Logu, përfaqësues i Ambasadës së RSH në Rusi. Diplomati Logu tha se “Ky është një portret që është realizuar gjatë  vizitës së fundit të shkrimtarit Sterjo Spase në Moskë, ku ka takuar edhe miken dhe kolegen e tij të fakultetit piktoren Raisa Nikolaevna Zelinskaya – Plate. “Ne ndihemi të kënaqur që më në fund mundëm ta sillnim këtë portret në atdheun e shkrimtarit.  Artistja ka qenë një mike e Shqipërisë, ashtu siç vazhdon të jenë edhe familjarët e saj.

Unë uroj që ky rast të mos jetë i fundit dhe të pasohet nga gjeste të tilla”. Piktura e vlerësuar nga vetë dhuruesi 3000 (tre mijë) euro/ 420.510 (katërqind e njëzetmijë e pesëqind e dhjetë) lekë, “do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit në GKA dhe do të jetë në standardet e duhura për ekspozim”, tha drejtori i GKA-së Artan Shabani. Sterio Spase është shkrimtar i mirënjohur shqiptar. Ai ka botuar disa përmbledhje tregimesh dhe dhjetë romane të cilat janë "Pse ?" (1935), "Afërdita" (1944), "Ata nuk ishin vetëm" (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit" (1965), "Zjarre..." (1972), "Zgjimi" (1973), "Pishtarë" (1975), "Ja vdekje ja liri" (1978), dhe "Kryengritësit" (1983). Romani me vlera antologjike në letërsinë shqipe i Sterio Spases konsiderohet romani “Pse” (1935). 

sterio spase






































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike