Në një kohë kur tensioni mes Rusisë dhe Perëndimit për shkak të Ukrainës nuk është i lehtë, NATO ka zhvilluar një stërvitje ushtarake në rajon. Më shumë se 2 mijë ushtarë nga nëntë vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut morën pjesë në stërvitjen e kryer në Poloni, stërvitje e cila u mbështet nga avionë luftarakë amerikanë, helikopterë transportues dhe tanke polake.

Demonstrimi që zgjati rreth 90 minuta ishte një sinjal për Kremlinin, i cili mbështet separatistët në Lindje të Ukrainës, gjë të cilën Moska e mohon. Pasi ndoqi stërvitje me, kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, ministri polak i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak tha: “Rusia nuk duhet gjykuar mbi fjalët e saj, por mbi aksionet dhe aksionet e një viti e gjysmë nuk na japin optimizëm. Aneksimi i Krimesë dhe aktiviteti në Lindje të Ukrainës kanë sjellë shqetësim për vendet e Evropës Lindore.”
 
Stërvitja e NATO-s vjen pasi presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se, arsenali nuklear i Rusisë do të pasurohet me 40 raketa të reja balistike interkontinentale. Ndërsa zhvendosjen e armatimit të rëndë dhe të tankeve në kufi me Rusinë, Moska e ka cilësuar si aktin më agresiv të Uashingtonit që prej Luftës së Ftohtë.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)