Për avokatin Ndue Pjetra, Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet që të marrë masa për stokun e dosjeve në gjykata.

I ftuar ditën e sotme në sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv, avokati tha se deri në 80 mijë dosje janë vetëm në Gjykatën e Apelit.

‘Sa herë që KPL kërkon që të marrë masa për punën e dosjeve çohet politika dhe i thotë stop. Ia pret iniciativën me pretendimet e tyre. Lidhur me stoqet vetëm në Apel janë 70 deri 80 mijë dosje stok që duan disa vite. Dhe vjen si rezultat i gjyqtarëve të rinjë. Çështjet që një gjyqtar ka dy vite që janë stok dhe s’ka dhënë asnjë vendim, gjyqtari do dojë kohë që ti shqyrtojë.

Kjo krijon stok sepse bëhen dy vite nga ato që ka qenë stok, e merr edhe ky tjetri bëhen edhe ca vite të tjera. Këto stoqe bëhen me qëllim, a duhet që të konsiderohet kjo si shpërdorim detyre, kjo duhet që të verifikohet nga institucionet e tjera. Një çështje që duhet të shkonte 3 muaj shkon 1 vit në hetim, sepse prokurori s’ka kohë që të merret me të’, tha ai.

Për avokatin Alfred Duka, drejtësia ndodhet në kolaps dhe se mijëra dosje janë në pritje.

Sipas tij në gjykata ka mungesë magjistratësh, ndërsa theksoi se prokurorët dhe gjyqtarët që janë kanë ngarkesë të jashtëzakonshme pune.

‘Janë 100 mijë dosje penale dhe civile. Nëse do të marrin çështjet civile një pjesë e rëndësishme e tyre është konflikte mes palëve dhe janë familje të ndryshme që sot mund të jenë shumë dhe gjysma e popullsisë të jenë në pritje të konflikteve gjyqësore.

Është reduktuar numri i gjyqtarëve dhe prokurëve që japin drejtësi penale dhe ngarkesa që kanë gjyqtarët dhe prokurorët, është e madhe dhe s’kanë kohë për ti arsyetuar këto vendime dhe të bëjnë procese gjyqësore. Drejtësia sot është në kolaps. Problemi është i numrit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve’, tha ai.