Marrëveshja evropiane e arritur për Greqinë është e rëndësishme për sigurinë e këtij vendi në NATO, theksoi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike, Jens Stoltenberg.

“E përshëndes këtë marrëveshje dhe mendoj se është e rëndësishme për ekonominë greke, por gjithashtu për gjithë Evropën dhe NATO-n”, deklaroi ai në një konferencë shtypi në Ljubljanë.

“Stabiliteti, prosperiteti ekonomik janë të rëndësishme për disa arsye duke nisur nga siguria e të gjitha vendeve tona”, nënvizoi Stoltenberg në përfundim të një takimi me kryeministrin slloven, Miro Cerar.

Stoltenberg u shpreh i bindur se pavarësisht programit shtrëngues ekonomik të arritur me kreditorët evropianë në këmbim të një plani të tretë ndihme, sot në mëngjes, Greqia vazhdon të investojë në mbrojtje për të ardhmen.

“Greqia është një aleat shumë i përfshirë, që i ka kushtuar më shumë se dy për qind të PBB-së mbrojtjes përgjatë disa viteve dhe jam i sigurt se ajo do të mbetet një aleate shumë e implikuar brenda NATO-s”, theksoi ai. /ATSH/