Moratoriumi
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi, më 31 korrik të vitit të kaluar, një bllokim në shqyrtimin e dosjeve me karakter civil të qytetarëve shqiptarë ose të huaj ndaj shtetit shqiptar, që lidhen me pretendime pronësie. Në vendimin e fundit pro ish-pronarëve shqiptarë, në dëm të shtetit, të lëshuar më 31 korrik 2012, Gjykata konstatoi "raste të tjera të ngjashme kundër Shqipërisë, që kishin lidhje me vonesat në zbatimin e vendimeve administrative për sa i përket çështjes së pronave".
Ajo i rikujtoi me atë rast shtetit shqiptar se, siç kishte deklaruar në rastet e ngjashme në të shkuarën, shkeljet që kishte gjetur në dosjet e njëpasnjëshme përbënin një problem shumë të përhapur, që prekte një numër të madh njerëzish: mohimin de facto të gëzimit të së drejtës së pronës, në një pronë të njohur nga vetë shteti, organet e tij gjyqësore apo ato të kthimit të pronës.
Ajo vuri në dukje me shqetësim se i kishte gjetur këto shkelje, edhe pasi i kishte sugjeruar Shqipërisë, në gjykimet e saj të mëparshme: në 2007-ën, 2009-ën dhe 2011-ën, që të merrte masat e duhura për të korrigjuar këtë problem.
Sa i përket procedurës që duhet ndjekur në raste të ngjashme, Gjykata vendosi t'i shtyjë të gjitha proceset gjyqësore në lidhje me ankesat e reja kundër Shqipërisë, që ishin depozituar pas dhënies së këtij vendimi dhe që kanë lidhje vetëm me vonesën në zbatimin e vendimeve në lidhje me pronat. Shtyrja hyri në fuqi për një periudhë prej 18 muajsh.
Ndërprerja u kërkua nga Tirana
Ka qenë qeveria Berisha, që e ka kërkuar një black-out të vendimeve të Strasburgut për pronat. “Në emër të qeverisë shqiptare, i kërkojmë Gjykatës Evropiane që ankimet e përmendura më lart, të deklarohen si të papranueshme, si dhe të pranohen observacionet e palës shtetërore, duke i adresuar palët ankuese që të përdorin mjetin e brendshëm ligjor efektiv që do të zbatohet për kompensimin financiar në Shqipëri”. Kjo është kërkesa zyrtare e qeverisë Berisha drejtuar Gjykatës së Strasburgut në vitin 2010.
Në dy raporte të ndryshme, të nënshkruara nga Avokati i Shtetit, njëri i prillit 2010 dhe i dyti më 16 qershor 2010, kërkohet prerazi mosmarrje në konsideratë e të gjitha çështjeve, ku ish-pronarët kishin paditur qeverinë për moskompensimin e pronës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga ana e Gjykatës Evropiane të Strasburgut, qeveria shqiptare bëri të qartë se arsya e kërkesës ishte e brendshme, pra kishte të bënte me mungesën e fondeve të mjaftueshme për të realizuar kompensimin financiar për pronarët.
“Shkaku kryesor i mosekzekutimit të vendimeve të komisioneve të Kthimit të Pronave është pamjaftueshmëria financiare e fondit për kompensimin e ish-pronarëve”, thuhet në dy raportet e qeverisë shqiptare, drejtuar Gjykatës së Strasburgut në prill dhe qershor 2010, megjithëse ky institucion gjyqësor ndërkombëtar po merrte vendime që, në fakt, i kujtonin shtetit tonë thjesht të zbatonte një të drejtë të njeriut, të sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
6 Milionë
Është numri jashtëzakonisht i lartë i çështjeve gjyqësore civile, të hapura në Shqipëri për çështje të pronësisë, në 23 vjet, nga të cilat ka që janë dhënë pro pronarëve, por nuk janë zbatuar
24.018 Subjekte
Ky është numri i pronarëvë që kërkojnë kompensimin financiar për pronat e konfiskuara nga regjimi komunist, në mungesë të kthimit fizik të pronave, siç parashikohet nga ligji përkatës në fuqi
368 Subjekte
Ky është numri i atyre kanë përfituar nga kompensimi në të holla për të shpronësuarit, por edhe kur ka ndodhur kompensim, kjo është krye në shumicën e rasteve në mënyrë të pjesshme
8.200 Vdekje
Rreth 8.200 persona kanë humbur jetën si pasojë e konflikteve të pronësisë, një bilanc i vërtetë lufte ky, që mund të ishte kursyer, në rast se organet e shtetit do të kishin kryer
Këshilli i Evropës: Dobësitë e Shqipërisë
Në një dokument të Këshillit të Evropës theksohet se kuadri ligjor për pronat në vendin tonë paraqitet mjaft i fragmentuar dhe ka nevojë të konsolidohet e të thjeshtohet, për të përcaktuar procedura të thjeshta dhe transparente kompensimi. Gjithashtu, nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar i pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin e vendit. Aktualisht mungon një hartë kombëtare unike e pronësisë. AKKP-ja nuk ka bazë elektronike unike të dhënash për vendimet, të cilat në vetvete nuk janë të përditësuara, kryesisht në drejtim të ndryshimeve që mund të kenë pësuar në rrugë gjyqësore. Nuk ka përfunduar procesi i legalizimeve për aplikimet e mbetura, si dhe nuk ka përfunduar identifikimi i fondit fizik të pronave, që do të shërbejnë për procesin e kompensimit fizik.
Shkrimi u publikua sot (24.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)