TIRANE - Në argumentimin e gjatë të vendimit të marrë nga Gjykata e Strasburgut për të mos miratuar kërkesën kundër shtetit shqiptar, bërë nga Altin Arapi, për shkelje të të drejtave të njeriut, dalin në pah të dhëna të tjera, shumë prej të cilave publikohen për herë të parë. Sa më poshtë, vijon me shkurtime pjesa e dokumentit ku referohet mbi proceset gjyqësore që përfunduan me dënimin e Arapit me burgim të përjetshëm për gjashtë akuza penale.
 
Më 28 tetor 2004 Prokuroria dërgoi në Gjyqin e Krimeve të Rënda gjashtë akuza penale për Altin Arapin. Më 16 dhjetor 2004 avokati i të akuzuarit deklaroi se Prokuroria kishte shkelur prezumimin e pafajësisë, duke bërë kërkesë ekstradimi më 30 tetor 2003. Më 17 dhjetor avokati kërkoi që të shpallej i pavlefshëm raporti mbi shenjat e gishtave i 6 nëntorit 2003 pasi ishin shkelur procedurat. Më 23 dhjetor Gjykata e hodhi poshtë kërkesën.