Strategjia e re e Policisë, i kapi të befasuar funksionarët dhe protestuesit e Partisë Demokratike në protestë, pasi reaguan duke e shpërndarë menjëherë grupin e zjarrit dhe duke shmangur aktet e dhunës. Por, kaq ka mjaftuar që Sali Berisha të lëshohet në akuza ndaj kryepolicit të ri, Skënder Hita, të cilin e akuzon se u emërua aty nga Balluku, dhe se operacionin e ka marrë më urdhër të saj dhe Ramës për të shuar protestat. Edhe policia e shmangu përshkallëzimin, duke sekuestruar plot 45 molotovë dhe militantët që i kishin të futura në çanta, Berisha i akuzoi efektivët se kishin qëllim ta kthenin “kryengritjen e tyre paqësore” në protestë të dhunshme.

“Me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës. eronjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, goditjeve shtazore që morën nga narkopolicë të droguar, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë siç donin banditët që i arrestuan.

Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, të cilën banditë me uniformë, narkokomisarë të tipit Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, Enton Pallushi dhe Dashi i operacionales bënë gjithçka për ta shndërruar atë në një protestë të dhunshme”, tha Berisha.

Ndonëse 5 policë u dërguan në spital pasi u lënduan në protestë, Berisha thotë se ishte policia ajo që ushtroi dhunë ndaj funksionarëve të PD dhe se efektivët nuk kishin asnjë plagë.

“Për të maskuar aktet e tyre shtazarake, sollën policë gjoja të plagosur, por asnjëri prej tyre nuk kishte asnjë lloj plage dhe u bënë qesharakë para personelit shëndetësor të Spitalit të Traumës dhe spitaleve të tjera”, vijon ai.

Vijoi akuzat se në protestë u përdor spraj kundër ariut.

“Për këtë qëllim, në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut. Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat. Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve”, tha Berisha.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
Ndjekësi kritika Berishës: Njerëzit janë lodhur, po zvogëlohen, ndryshoni strategji në protesta

Një tjetër ndjekës ka shfaqur kika hapur ndaj Sali Berishës gjatë bashkëbisedimit në rrjetet sociale. Ai i tha Berishës se duhet ndryshuar strategjia e protestave, pasi njerëzit janë lodhur dhe po zvogëlohen.

Erzen Rexha: A do ketë ndryshim strategjie në protestën e radhës sepse besoj se kushtet janë prekur për një ndryshim strategjie sepse kjo lloj strategjie po më bind që njerëzit janë lodhur dhe po zvogëlohen?

Sali Berisha: Strategjia edhe mund të ndryshojë, por protestat do të vazhdojnë si rruga e vetme për t’u dëshmuar shqiptarëve se ne nuk pajtohemi kurrë as nuk trembemi, as nuk frikësohemi, as nuk mposhtemi dhe nuk pranojmë kurrë qëndrimin e kësaj organizate kriminale ndaj shqiptarëve.

Ora 13:51
Deputetët e Partisë së Lirisë u larguan para përplasjeve, Berisha: Duhet të qëndronin deri në fund në protestë (VIDEO)

 

Sali Berisha u pyet nga ndjekësit në rrjetet sociale për tre deputetët e Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho të cilët u larguan nga protesta pasi kreu i PD mbaroi fjalimin. Berisha tha se deputetët duhet të qëndrojnë deri në fund, por shtoi se dje në mënyrë selektive deputetët e drejtues të partive u sulmuan qëllimisht me shkopinj gome dhe spraj kundër ariut.

Pyetje: Mbrëmë, por jo vetëm zoti Blushi, zoti Haxhinasto, zonja Xhixho, u larguan nga protesta pas fjalimit tuaj në kohën kur hidhet ujë dhe gaz lotsjellës. Ju duket e drejtë që ata në vend që të jenë në krah të protestuesve dhe kolegëve deputetë, ata largohen?

Sali Berisha: Për sa i përket deputetëve, mendoj se ata duhet të qëndrojnë gjer në fund. Nuk mund të them se kush ka ikur, por deputetët duhet të qëndrojnë gjer në fund. Dhe ju e patë se dje në mënyrë selektive të plagosur, të dëmtuar ishin një grup i gjerë deputetësh dhe drejtuesish, ndaj të cilëve u hodhën direkt spraji i ariut, u goditën me shkop dhe me mjete të tjera.

Ora 13:20
Ndjekësi i ankohet Berishës: Na mbytën me gaz, a do ngujohemi në shesh? Kreu i PD: Çdo variant do studiohet, do bëjmë gjithçka për t'u bashkuar me forcat e tjera opozitare (VIDEO)

 

Një ndjekës iu ankua Sali Berishës për strategjinë që po ndjekin lidhur me protestat në terren. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, ndjekësi e pyeti kreun e PD nëse do të ndryshojnë strategji pasi policia i ka mbytur në gaz, duke hedhur idenë e ngujimit në shesh. Berisha iu përgjigj duke i thënë se çdo variant do të studiohet dhe se do bëjnë gjithçka për tu bashkuar me forcat e tjera opozitare, që sipas tij, kanë mbetur jashtë kontrollit të Ramës. Një thirrje e kishte edhe për intelektualët, të cilëve u tha se ka ardhur koha të dalin nga konformizmi.

Muharrem Kurti: Doktor Berisha ju përshëndes. Mbrëmë në protestë na mbyten me gaz si gjithmonë edhe më keq. Pyetja ime është a do të ndryshojmë strategji psh, të vendosim një çadër të madhe në shesh e të ngujohemi deri në rrëzimin e regjimit famëzi të Edvin Ramës.

Sali Berisha: Çdo variant do studiohet. Por një gjë i dashur Muharrem, ne nga protesta s'heqim dorë kurrë dhe nuk ndalemi. Ne do bëjmë gjithçka për t'u bashkuar me forcat e tjera politike opozitare dhe unë prapë sot u bëj thirrje atyre.

Është koha të të veprojmë së bashku, kundër një armiku, kundër një armiku të egër të qenies shqiptare. I bëj thirrje shoqërisë civile, që ka mbetur jashtë kontrollit të Edi Ramës, të bashkohet me ne. Shikoni çfarë qëndrimi mizor mbajtën ndaj Aulon Kalasë, një nga veprimtarët më aktivë të shoqërisë civile, i cili në qindra protesta kurrë nuk ka protestuar me dhunë.

Ka protestuar paqësisht dhe me dinjitet, dhe u hakmorën dje në mënyrë më të verbër vetëm për t'ju tremb ju, anëtarë të shoqatave të pakontrolluara prej tyre. Por le të bashkohemi ne. Ju bëj thirrje intelektualëve, dilni nga konformizmi juaj, se shkatërrimtar. Duhet t'i dilni zot vendit tuaj, i cili po shkatërrohet.

Në universitete sot ju, ju them unë, nuk keni lirinë akademike as sa atë liri që kemi patur ne në diktaturën neo-staliniste. Dhe këtë jua them me fakte, me fakte dhe vetëm me fakte. Ju bëj thirrje studentëve. Paguani sot në vendin më të varfër, me prindërit me rrogat më të ulëta, tarifat më të larta në Evropë, përveç Britanisë së Madhe dhe Mbretërisë së Holandës.