Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit synohet të kenë një rol më aktiv në zhvillimin e vendit përmes Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2026–2030, e cila është hedhur për konsultim publik. Dokumenti e konsideron diasporën një partner strategjik të shtetit, duke synuar që kontributi i saj të mos kufizohet vetëm te remitancat, por të shtrihet edhe në investime, sipërmarrje, transferim njohurish dhe pjesëmarrje në jetën publike.
Një nga shtyllat kryesore të strategjisë është angazhimi financiar, profesional dhe intelektual të diasporës për zhvillimin ekonomik të vendit. Konkretisht parashikohet një mjedis më i favorshëm për investitorët shqiptarë jashtë vendit përmes lehtësive fiskale, partneriteteve ndërmjet sektorit publik dhe privat dhe mekanizmave të rinj mbështetës.
Sipas planit të veprimit, Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministritë e linjës, do të hartojë një paketë fiskale të dedikuar për diasporën që do të përfshijë ulje tatimore dhe stimuj sektorialë për investimet në fusha prioritare të zhvillimit ekonomik.
Ndërsa për investimet në sektorë strategjikë, dokumenti parashikon aplikimin e normave preferenciale të tatimit mbi fitimin, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe nxitjen e investimeve afatgjata.
Një tjetër mekanizëm i ri është krijimi i një "one-stop-shop", ose një sporteli të vetëm për investitorët e diasporës me synimin për të lehtësuar marrjen e informacionit në një pikë të vetme. Përmes këtij sporteli investitorët e diasporës do të marrin orientimin e duhur dhe asistencën për regjistrimin e biznesit, aplikimin për leje e licenca, procedurat fiskale dhe shërbimet e tjera administrative gjatë gjithë procesit të investimit.
Në fokus është edhe nxitja e sipërmarrjes dhe inovacionit. Dokumenti parashikon skema grantesh për startup-et e krijuara nga diaspora, mbështetje për inkubatorë dhe akseleratorë biznesi. Përmes partneriteteve ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat, universiteteve dhe organizatave të diasporës synohet gjithashtu transferimi i njohurive, teknologjisë dhe ekspertizës profesionale, duke e kthyer diasporën në një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe tregjeve ndërkombëtare.
Strategjia evidenton gjithashtu mungesën e një regjistri të plotë të diasporës, duke e konsideruar atë një pengesë për hartimin e politikave efektive. Për këtë arsye parashikohet krijimi dhe përditësimi i Regjistrit të Diasporës, si edhe ngritja e databazave të profesionistëve, sipërmarrësve dhe organizatave shqiptare jashtë vendit, me synim krijimin e një rrjeti më të strukturuar bashkëpunimi me shtetin.
Për zbatimin e Planit të Veprimit 2026–2028 është përllogaritur një kosto prej rreth 1.853 miliardë lekësh, ose 19.3 milionë euro. Sipas dokumentit, fondet do të sigurohen nga buxheti i shtetit, partnerët ndërkombëtarë dhe burime të tjera financimi, ndërsa zbatimi i strategjisë do të monitorohet përmes treguesve të performancës dhe raporteve periodike të institucioneve përgjegjëse.
Komente







