Shqipëria do të dalë përsëri në tregjet ndërkombëtare për të marrë eurobonde, për të shlyer borxhin në valutë dhe sidomos eurobondet ekzistuese.

Qeveria ka parashikuar në Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2026-2030, të marrë deri tre eurobonde të tjera. Emetimi i parë pritet të bëhet në nisje të 2027-ës rreth vlerës 650 milionë euro, ndërsa emetimi i dytë pritet të ndodhë në 2028-ën, me vlerë edhe më të lartë.

“Dalja me Eurobond në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, planifikohet të jetë një burim i rëndësishëm i financimit, ku parashikohen 2-3 emetime në tregjet ndërkombëtare, gjatë afatit pesë vjeçar të strategjisë”, thuhet në strategji.

Dalja e fundit në tregjet ndërkombëtare ishte në shkurt të këtij viti kur u emetua eurobondi 10- vjeçar, me shumë 650 milionë euro. Ndërkohë gjatë viteve 2010-2025 janë marrë në total 7 Eurobonde, ku 3 prej tyre janë maturuar dhe 4 të tjerë po paguhen.

Deri në qershor të vitit 2027 vendi duhet të shlyejë 650 milionë eurot e marra në 2020-ën dhe brenda 2028-ës mbyllet borxhi 600 milionë euro i marrë në 2023-shin. Sa i takon dy euronondeve ai i vitit 2021 dhe ai i 2025-ës mbyllen pas 2030-ës, thuhet në Planin e Huamarrjes për 2026-ën.

Për vitin që po vjen qeveria nuk parashikon të dalë në tregun e huaj, pasi financimi i nevojshëm është planifikuar të sigurohet në tregun e brendshëm. Përmes obligacioneve dhe bonove të thesarit në 2026-ën planifikohen të sigurohen në sektorin financiar të vendit 450 milionë euro, ndërsa financimi i huaj parashikohet 470 milionë euro, që do vij kryesisht si kredi e butë për projekte të rëndësishme.

Stoku i borxhit publik për 2026-ën është vlerësuar 14.9 miliardë euro ose 53.6% e Prodhimit Kombëtar, nga 54.1% i pritshëm për gjithë 2025-ën.