Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjen për aplikime për kreditë e buta për blerje të një banese. Afati është më 19 maj, ndërsa kërkesat duhet të plotësohen online përmes portalit qeveritar “e-Albania”. Për Report TV nënkryetarja e Bashkisë Vasilika Vjero, shpjegon kriteret dhe hapat që duhet të ndiqen.

***

Janë të paktën 1500 individë dhe familje, që pritet të përfitojnë nga kreditë e buta që Bashkia e Tiranës ofron dhe këtë vit për të lehtësuar blerjen e një banese.

“Kriteri i parë është mosha, pa diskutim. Pra kanë të drejtë të aplikojnë të gjithë ata që kanë një moshë mbi 18 vjeç. Kriteri i të ardhurave që është shumë i rëndësishëm. Vlera maksimale e kredisë lidhet sigurisht me strukturën familjare, lidhet me strukturën e ndërtesës, pra të apartamentit që blihet me të ardhurat që ka individi apo dhe familja dhe në bazë të kësaj përcaktohet edhe sa do jetë vlera e kredisë",- njofton nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Vasilika Vjero.

Nënkryetarja e Bashkisë së tiranës, Vasilika Vjerro sqaroi se ky projekt fokusohet në subvencionimin e interesave bankare mbi normën 3%

“Interesi i kredisë deri në normën 3% dhe principali do të paguhen nga vetë aplikanti. Pjesa tjetër do të subvencionohet nga bashkia edhe në rastet se mund të ketë ndryshime në normat e interesit",- thotë Vjero.

Vlera e kredive të buta ndryshon në varësi të përbërjes familjare. Individët që aplikojnë për garsoniere mund të përfitojnë deri në rreth 5.8 milionë lekë. Për familjet me dy persona, që synojnë një apartament 1+1, kufiri arrin mbi 7.1 milionë lekë. Familjet me 3 deri në 4 anëtarë mund të përfitojnë deri në mbi 10.5 milionë lekë për banesa 2+1, ndërsa për familjet me pesë ose më shumë anëtarë, kredia shkon deri në rreth 13 milionë lekë.

Niveli minimal i të ardhurave për të gjitha kategoritë që mund të përfitojnë një kredi të butë, është përcaktuar në 44,400 lekë, sipas referencës së pagës minimale të miratuar me VKM.

"Nëse aplikantët apo përfituesit në këtë rast dëshirojnë që edhe ata vetë të kontribuojnë për të marrë një strukturë më të mirë, patjetër që ata mund të kontribuojnë dhe janë përgjegjës që normat e interesit që lidhet me këtë detyrim shtesë ta kontribuojnë vetë ata",- thotë Vjero.

Aplikimi kryhet përmes shërbimit “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social” në e-Albania, ku qytetarët duhet të përzgjedhin programin “banesë me kosto të ulët”. Në mungesë të disponueshmërisë, mund të zgjidhet alternativa e “subvencionimi i interesave të kredisë”.

Bashkia njofton se faza e dytë e procesit, ajo e dorëzimit të dokumentacionit, do të njoftohet në një moment të mëvonshëm.