Stresi i ka të gjithë “letrat” në rregull për të qenë  një reper i denjë i një brezi të humbur. Këngët e tij kanë forcën të kenë me miliona klikime sic në të vërtetë i kanë në kanalin ku “lundrojnë” të rinjtë e botës dhe tanët: youtube. Tekstet në klipet e tij flasin për të rinjtë e rrugës, për të rinjtë e burgjeve, trafiqeve, makinave të luksit, marijuanës, drogës. Skenari i klipeve është ai i Tiranës, i periferive, Liqenit, Dajtit, qendrës, e në sfond dallon edhe pemët e sapombjella të Erion Velisë. Gjuha e Stresit, temat e tij janë më të vërteta se lukset e shumë studiove televizive, shumë salloneve fake që sforcohen të tregojnë një Shqipëri të cuditshme. Të jem e sinqertë, për shkak të moshës e shijeve, nuk i kisha parë më parë krijimet e tij, por aty mban aromë Shqipërie, Tirane e Prishtine. Ajo pjesë e jona e bërë nga dhimbje, gabime, trafiqe, Gucci, zinxhirë floriri, armë, euro e dollarë, miell të bardhë për t’ia dalë.

Stresi është djali “prodige” i Sali Lushës dhe ia ka dalë të jetë një reper i zemrave të thyera e të revoltuara të një rinie që e shohim tavolinave, lokaleve, rrugëve, e që i rrimë larg si të mos na përkiste. E si një djalë që e do fort babanë e tij u impenjua e u betua ta ndihmojë në kauzën e tij politike. Stresi ishte shpresa e fundit e babit të tij për të rianimuar një politikë të vdekur prej kohësh, në koma e në braktisje të përditshme. Do të mblidhte me mijëra zemërlënduar për të kënduar e shijuar dhimbjen e revoltën e këngëve të tij, por mblodhi me vështirësi pak qindra që kënduan këngën më të shëmtuar politike.

Nuk mund të bënte më shumë sa bëri Stresi. Të gjithë duhet ta vlerësojmë atë që një bir bën për babanë e tij (duke rrezikuar ndëshkimin) që e sheh si një Supermen, si një hero të filmave më të bukur të Hollivudit, por “pacienti” që i dhanë për ta shpëtuar, në të vërtetë nuk ka asnjë shpëtim. Atij “pacienti” ja kanë hequr prizën me kohë, përditë e më shumë, shqiptarët e mirë.