Gjatë protestës së organizuar para MAS studentët kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e institucioneve qeveritare për zgjidhje të problemit. “Sot përballem me një fakt shumë të rëndë. Ndërsa tërheq dosjen e studimeve të mia 5 vjeçare në universitetin e mbyllur, më rezulton se nuk kam listën e notave të asnjë prej viteve. Pa këtë dokumentacion unë nuk mund të vazhdoj transferimin e studimeve dhe për rrjedhojë duhet t’ia nis nga e para.
Por sot nuk kam as kushte financiare dhe as mundësi që ti rikthehem edhe një herë studimeve të mjekësisë, kur unë për 5 vjet i kam kryer normalisht ato” pohon Erjona, studente nga Lezha. Sipas studentëve, ne bazë të rregullores dhe udhëzimit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit tashme mbeten edhe 4 ditë për të kryer transferimet, ndërkohë që studentët nuk mund të hyjnë në këtë proces për shkak të mungesës së dokumentacionit në dosje.
E ndërsa studentët presin plotësimin e dosjeve, nga ana tjetër fakultetet kanë ngritur grupet e punës për të bërë ekuivalentimin e programeve për studentët e rinj që do të pranojnë nga universitetet që u është hequr licenca. Zv/dekani i Fakultetit të Mjekësisë Xheladin Draçini deklaron se studentët që nuk kanë listën e notave dhe numrin e matrikullimit nuk mund të aplikojnë për vijimin e studimeve në publik. Ndërkohë një komision i posaçëm në Fakultetin e Mjekësisë, ka bërë ekuivaletimin e programeve mësimore. Nga ky proces ka rezultuar se studentët e Universiteteve private nuk kanë kryer 60% të orëve të mësimit, që i përket lëndëve klinike dhe praktikës në spital.
“Në strukturat e universiteteve private ka munguar shpesh here ana praktike, ana klinike, sidomos për vitet e larta dhe kjo ka qenë një mospërputhje madhore” nënvizon Draçini. Kjo do të thotë se një student i privatit i vitit të pestë apo të gjashtë, mund të humbë dy deri tre vite shkollë nëse rinis studimet në publik. Data 29 shtator është afati i fundit për dorëzimin e dosjeve në institucionet ku studentët e Universiteteve të mbyllura kërkojnë të transferojnë studimet.
Shkrimi u publikua sot(25.09.2014) në gazetën Shqiptarja.com(print)
