TIRANË- Studentët e Mjekësisë vijojnë të bojkotojnë auditorët e universitetit dhe po zhvillojnë protesta për të kundërshtar ligjin që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Me pankarta në duar dhe me thirrjet "nuk dorëzohemi para padrejtësisë", edhe ditën e sotme studentët marshuan nga ambientet e Universitetit të Mjekësisë drejt Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë, vetëm një ditë më parë u miratua edhe pagesa që studentët duhet të paguajnë nëse nuk firmosin kontratën që u mban peng për 5 vite diplomën. Bordi i administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë ka përllogaritur koston e një studenti, në vlerën 240 mijë lekë të reja për një vit akademik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:35
Ish infermierja i bashkohet protestës së studentëve: Erdha kastile për t’i mbështetur

 

Një infermiere e cila ka dalë në pension, Natasha Ismaili u është bashkuar sot protestës së studentëve.

‘Unë kam punuar infermiere në kohën time dhe e di sesa e rëndësishme është mjekësia. Erdha kastile për t’i mbështetur. Këta janë studentët më të mirë në Shqipëri se kot nuk janë futur në mjekësi. Qeveria nuk e dinë se këta duan të rrinë nuk duan të ikin, nëse kanë mundësi këtu pse do ikin?

Unë do vdes në duart e këtyre se besoj aty aty nja 4-5 vjet do jetoj.’- tha infermierja.

Ora 11:45
Studentët e mjekësisë për Report Tv: Nuk e nënshkruajmë kontratën për të punuar 5 vite në Shqipëri, do protestojmë derisa të anulohet ligji

 

Studentët e mjekësisë po protestojnë para Ministrisë së Arsimit për ligjin që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Për gazetaren e Report Tv, Enxhi Musaj ata thanë se nuk do të tërhiqen derisa ligji të anulohet.

Ata thonë se nuk duan të largohen nga Shqipëria, por as nuk duan që qeveria t’i detyrojë të punojnë për 5 vite dhe t’i dërgojë në qytete ku ata nuk dëshirojnë.

Teksa dje u bë publike tarifa në 240 mijë lekë të reja që duhet të paguajnë për një vit akademik, studentët thonë se nuk do ta nënshkruajnë kontratën.

“Tarifa nuk duhet të ndryshojë fare, 450 mijë lekë të vjetra. Diploma është e jona nuk mund të na e marrë askush. Nuk do ta firmosim, do bojkotojmë derisa ligji të rrëzohet, thotë një studente.

“Vazhdojmë me protesta. 2.4 mln është skemë mashtrimi, pasi jo më larg se në korrik dhe qershor u aplikua tarifa 6.8 mln lekë. Kush tha që taksapaguesit paguajnë vetëm për ne, paguajnë për të gjithë studentët. Paguajnë një tarifë që është më e larta në Universitetet e Shqipërisë ato taks ai paguan edhe prindi im. Lufta jonë bëhet që qëndrojmë në Shqipëri me lirinë tonë, dhe jo të na detyrojnë të punojmë 5 vite, të na internojnë diku larg. Ne duam të qëndrojmë dhe të punojmë në Shqipëri, ca të keqe ka nëse unë specializohem jashtë dhe vi sërish në Shqipëri. Ne nuk kemi zhvilluar mësim dhe do vazhdojmë me protesta deri në një përgjigje nga GJK për padinë që kemi bërë për këtë ligj anti-kushtetues që është bërë për ne”, tha një tjetër student.

Ora 11:32
Protesta e studentëve të Mjekësisë, të rinjtë marshojnë në Ministrinë e Arsimit! Djegin manekinin simbolik të tubimit

 

Studentët e Mjekësisë e kanë zhvendosur protestën te Ministria e Arsimit. Me vete ata kanë marrë edhe një manekinë të veshur me përparëse të bardhë dhe e kanë djegur.

Ora 11:23
VIDEO/Studentët e Mjekësisë bllokojnë kryqëzimin te 9-katëshet në Tiranë, këndojnë këngë patriotike e himnin e flamurit

 

Studentët e mjekësisë janë ngritur sërish në protestë, ndërsa si një ditë më parë, bllokuan për pak minuta kryqëzimin në zonën e njohur si 9-katëshet në Tiranë. Ata u ulën këmbëkryq dhe kënduan këngë patriotike dhe himnin e flamurit, ndonëse kundërshtojnë ligjin që i detyron ata të punojnë për 5 vite në atdhe.