Bordi i administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë ka përllogaritur koston e një studenti, në vlerën 240 mijë lekë të reja për një vit akademik. Në vendimin e bordit, marrë sot (10 tetor) përcaktohet se çdo student që zgjedh të largohet nga Shqipëria pa ofruar shërbim shëndetësor nga 3 deri në 5 vite në vendin e tij pas diplomimit, do të duhet të paguajë këtë kosto në formën e tarifës së studimit.

Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, për të përcaktuar këtë tarifë u ngrit një grup pune për përllogaritjen e kostove për një student që ndjek studimet në fakultetin publik të mjekësisë duke llogaritur nga kostot direkte të Fakultetit të Mjekësisë, shpenzimet kapitale dhe kostot jo kapitale.

Megjithatë në relacionin ligjit për “Trajtimin e Veçantë të Studentëve të Mjekësisë” kostoja në këtë program studimi është deklaruar rreth 680 mijë lekë në vit, tarifë e cila hasi në reagime të kundërshtime të forta të studentëve e shoqëruar me protesta periodike nga studentët.

Me miratimin e kësaj tarife tashmë pritet që studentëve t’u prezantohet edhe kontrata që do të nënshkruajnë studentët nëse do të vendosin apo jo ta nënshkruajnë apo në të kundërtën të paguajnë 240 mijë lekë të reja për çdo vit akademik.

Që prej nisjes së vitit të ri akademik, studentët e mjekësisë kanë bojkotuar mësimin, pasi një pjesë e tyre nuk janë dakordësuar me vendimin e qeverisë që i detyron të punojnë pas studimeve 2 deri 5 vite në Shqipëri.

(Kliko këtu për të parë Vendimin e Bordit Adminsitrativ te UMT)