Më 18 maj 2026, para Urës së Gurit në Shkup, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë protestën e radhës për të kërkuar të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe. Në mbështetje të tyre ka reaguar edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi kauzën e studentëve si një të drejtë themelore dhe çështje dinjiteti njerëzor.
" Ka momente në histori kur një popull nuk kërkon privilegje. Nuk kërkon favore. Kërkon vetëm të drejtën për të qenë vetvetja. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë të drejta që nuk mund të zhbëhen, nuk mund të relativizohen dhe nuk mund t’u hiqen nga askush. Kur takova Mevlanin para disa javësh në Tiranë, pashë tek ai jo zemërimin e një njeriu të revoltuar, por qetësinë dhe dinjitetin e një patrioti që lufton për diçka themelore: të drejtën për gjuhën amtare. Për të drejtën që një njeri të flasë gjuhën e nënës së tij pa frikë, pa paragjykim dhe pa u ndjerë i huaj në vendin e vet. Sepse gjuha nuk është vetëm komunikim. Është kujtesë. Është identitet. Është historia që një popull ua lë brezave. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohen si qytetarë pa identitet dhe pa rrënjë. Europa që ne besojmë nuk ndërtohet duke heshtur përballë padrejtësive të vogla që me kohën bëhen plagë të mëdha. Integrimi europian nuk mund të jetë një fasadë që fsheh rrëshqitje drejt nacionalizmit apo cenimit të të drejtave themelore. Prandaj mbrojtja e gjuhës amtare nuk është vetëm një çështje politike. Është një çështje dinjiteti njerëzor. Dhe protesta për këtë të drejtë është jo vetëm legjitime, por e drejtë. Një të drejtë që e mbështes me bindje të plotë" shkruan Tabaku
Lajmi kryesor:
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kërkojnë të drejtën e gjuhës shqipe, ish kryeministri Pandeli Majko mbështet protestën e 18 majit: Betejë për të ardhmen, protestoni sot!










